Që në fillim dua të nënvizoj se nuk aludoj se është feja ajo që përçan popujt. Mesazhi i këtij artikulli është se feja është një nga instrumentet më të forta që mund të (keq)përdoret për arritjen e qëllimeve të ndryshme socio-politike. Ka shumë shembuj që mund të ilustrojnë këtë, duke filluar nga përdorimi i fesë në përcaktimin e normave dhe vlerave brenda një shoqërie, keqpërdorimi i saj për të krijuar konflikte apo për të fituar forcë politike etj.
Kur është fjala për kombin Shqiptar, është absurde të mendohet në terma fetare, sepse ne jemi një komb multifetar.

Realiteti është që Shqiptarët janë të ndarë në besime të ndryshme, por mençuria qëndron në atë se ky diversitet fetar duhet të konsiderohet si pasuri dhe jo si mangësi. Pra të gjitha fetë, pavarësisht se kur dhe si ato janë shtrirë në tokat tona, kanë vënë vulën e tyre në formimin e këtij kombi, që ne jemi sot. Ato janë pjesë e identitetit tonë dhe duhet respektuar si të barabarta. Prandaj është idiote që nëpër portalet tona të hasim në diskutime me argumente te tipit “feja e krishtere ishte feja e të parëve tanë, prandaj...” apo se “feja myslimane (tani) është feja e shumicës dhe prandaj ...”.

Ishim dhe një pjesë akoma jemi të krishterë, por po ashtu ka shekuj qe shumica e Shqiptarëve i takon besimit mysliman. Dhe një pjesëtar i besimit mysliman nuk është as më pak e as më shumë Shqiptar se një pjesëtar i një besimi tjetër dhe anasjelltas. Ata Shqiptarë që mendojnë ndryshe, do t’i këshilloja të pyesin vetveten se në shërbim të kujt janë? Në shërbim të kombit multifetar Shqiptar, për ekzistencën e të cilit u derdh gjak ndër shekuj apo në shërbim të atyre që këtë komb e duan të ndarë?!

Është evidente se ne rrethohemi nga fqinjë që nuk kanë qenë gjithmonë miqtë tanë. Atyre u leverdis përçarja fetare mes Shqiptarëve sepse thonë “përçaj dhe sundo”.
Jo gjithmonë në histori jemi treguar të mençur, por në dekadat e fundit të shekullit të shkuar, Shqiptarët  brenda kufijve të Jugosllavisë nuk ranë në grackë të politikave përçarëse nga jashtë, por u unifikuan si kurrë më parë. Dhe shtrohet pyetja se pse atëbotë Shqiptarët nuk lejuan të përçahen, ndërsa sot po ndodh kjo gjë?

Ndoshta jo në përmasa të mëdha, por është shqetësuese se kjo tendencë është në rritje. E edhe më shqetësuese është kur kjo nxitet nga klerikë fetarë, popullorë tek masa, siç është rasti i Don Anton Kçirës, i cili quajti myslimanët e Kosovës “qenër” apo Shefqet Krasniqi, i cili ofendoi Nënë Terezën.

Arsyeja pse ne nuk u përçamë ishte se thjesht kishim një armik të përbashkët, që në këtë rast ishte Serbia. Ne dinim që e vetmja mënyrë që sadopak të rezistonim ishte të ishim të bashkuar (sepse bashkimi bën fuqinë). Por ndoshta edhe më me rëndësi ishte fakti që klerikët (kryesisht të pashkolluar) kurrë nuk arritën të bëjnë për vete rininë tonë dhe, si të tillë, ata nuk kishin influencë siç kanë sot. Rinia nuk shihte as hoxhallarët dhe as priftërinjtë si shembull (rol model) të tyre dhe nuk identifikohej me ta. Ishin intelektualët, patriotët dhe artistët ata, me të cilët rinia jonë identifikohej (e ata ishin të preokupuar me çështjen kombëtare dhe nuk merreshin aspak me fenë, ndërkohë që në Shqipëri Enver Hoxha ndaloi krejtësisht fenë).

Pra influencimi i rinisë (nga brenda) përmes klerikëve nuk pati sukses. Në anën tjetër, media nuk ishte aq e zhvilluar (kishte familje që ende nuk kishin as televizor), prandaj mundësia e influencimit nga jashtë ishte shumë e kufizuar.
Ndërsa sot kohët kanë ndryshuar. Interneti ka hyrë në secilën shtëpi Shqiptare dhe disa po e shfrytëzojnë maksimalisht këtë medium për të shtrirë influencën e tyre. Ndër të tjerë që me sukses po e shfrytëzojnë këtë medium janë klerikët shqiptarë (imamët janë të mbi-përfaqësuar, gjë që është logjike, pasi shumica e Shqiptarëve janë myslimanë) e realisht kanë arritur statusin e yjeve saqë disa nga ta janë edhe më të popullarizuar se yjet e estradës.

Mjafton të hysh në YouTube për të kuptuar që këta “yje” të rinj kanë më shumë video dhe klikime se disa yje të estradës, duke ushtruar kështu influencën e tyre tek një pjesë e rinisë sonë. Por nuk mbaron me kaq. Përveç klerikëve ekstremistë, ata që kanë gisht në tentimin e përçarjes së këtij populli kanë gjetur kanale edhe më efektive për të influencuar rininë. Dihet që rinia është motorri i çdo shoqërie, prandaj influencimi i saj është parësor. Duke njohur mirë forcën influencuese të medias dhe për të maksimalizuar rezultatet, ata me sukses po përdorin edhe të ashtuquajturit “opinion formues” (opinion leaders).

Sipas një teorie të njohur të komunikimit (Two-Step Flow Theory, Lazarsfeld & Katz, 1944), ideologjia që dikush përmes medias do ta përcjellë tek masa, arrin atë shumë me lehtë, nëse ajo përcillet përmes opinionformuesve të një populli. Thënë ndryshe, duhet shfrytëzuar njerëzit të cilëve u shkon fjala. Pra njerëzit e dashur dhe të respektuar tek masa, ata që masa i sheh si shembull të shoqërisë sepse njeriu beson dhe përqafon më lehtë ideoligjinë e atij me të cilin identifikohet. Dhe çfarë mund të thuhet për rininë tonë sot? Kush janë shembujt e tyre apo njerëzit me të cilët ata duan të identifikohen?

Rinia do te identifikohet me ata qe kanë famë, pasuri, status shoqëror etj. Dhe kush më mirë se VIP-at i plotësojnë këto kritere? Pra njerëzit popullorë tek masa (kryesisht reperët, por edhe fytyra tjera publike) janë shembuj për rininë tonë dhe si të tillë ndikojnë në formimin e opinionit të tyre.

Gjithçka që ata thonë dhe bëjnë lakmohet, pranohet dhe kopjohet nga të rinjtë. Dhe si të mos lakmohen këto figura, kur ata gëzojnë respekt nga shoqëria, kanë famë, bëjnë jetë luksoze? Thënë shkurt, rinia ëndërron të bëhet si ata. Dhe nëse ata frekuentojnë kultet fetare, patjetër që rinia do t’i ndjekë. Prandaj kemi një shtim të madh të frekuentimit të kulteve fetare nga rinia jonë. Dhe promovuesit e këtij trendi të ri janë pikërisht këta VIP, shumë prej të cilëve janë bërë “flamurtarë” të promovimit të fesë, gjë që para luftës nuk ekzistonte. Dhe në fakt, nuk ka asgjë të keqe në promovimin e fesë apo të çfarëdo ideologjie tjetër, përderisa ti respekton ideologjinë dhe mendimin e tjetrit edhe kur ata janë në pakicë.

Ky pra është thelbi i problemit, që rinia jonë do duhej ta kuptonte njëherë e përgjithmonë. Jetojmë në një sistem demokratik, ku populli (shumica) vendos, por GJITHMONË duke garantuar dhe mbrojtur edhe të drejtat e pakicës. Pra sfida më e madhe e demokracisë është që të mos kaloj në atë që Alexis de Tocqueville e quan “tirania e shumicës”, ku pakicave u imponohet vullneti i shumicës. Do të duhej që rinia jonë e mrekullueshme të mësojë të zhvillojë sensin e mendimit kritik dhe jo të marrë si të vërtetë absolute atë që dikush ua servir.

Është e dhimbshme, por edhe fyese për inteligjencën e rinisë sonë, që një këngë nga një reper si Golden AG të ketë një jehonë siç pati kohëve të fundit kënga e tij e titulluar “Shqiptar”. Rinia jonë duhet të mësohet të kullojë mirë gjërat. Si mundet kjo këngë të titullohet “Shqiptar”, kur ajo është diskriminuese për një pjesë të Shqiptarëve që kanë të drejtën e tyre ta konsiderojnë vetveten ateistë, për shembull?

Apo, si mundet ky reper (që quan vetveten “zëri i shumicës”) të flasë në emër të Shqiptarëve dhe të fyejë gjithë ata që nuk kanë të njëjtin mendim si ai? Si mundet një reperë që deri sot bëri një jetë prej gangsteri, t’u hedhë hi syve të rinisë tonë, duke bindur ata se tani kinse na qenka kthyer në rrugë të mbarë (apo “është udhëzuar” siç preferon ta quajë vetë) dhe tani merr guximin t’u tregoj Shqiptarëve se si duhet jetuar (si duhet të vishen, çfarë duhet të konsumojnë etj)?

Disa kritika në këtë këngë, siç janë ato kundër korrupsionit për shembull, duhet çmuar, por nuk duhet mbyllur sytë para diskriminimit dhe hipokrizisë, si kjo e Golden AG, kur, për të dhënë mesazhin e tij se cili do të duhej të ishte “morali” i Shqiptarit, thyen TV-në, ku duket një nga videoklipet e Tunës.
A nuk do të ishte shumë më bindëse nëse ky reper do të thyente ekranin ku shfaqet një nga videoklipet e tij të kohës kur ai akoma nuk ishte “udhëzuar” e ku ai shfaqet me vajza gjysmë lakuriq, që në fakt nuk i duron syri i një myslimani të devotshëm? Është një hipokrizi e shkuar hipokrizisë, apo jo?

Do të duhej që rinia jonë të kuptojnë mirë se është për t’u çmuar dhe mbrojtur me jetë liria e shprehjes, liri, e cila po përdoret pikërisht nga ky reper kur fyen presidenten e shtetit tonë (edhe pse pajtohem që elokuenca e saj është për t’u kritikuar). Rinia jonë po ashtu duhet të kuptojë dhe çmojë lirinë e plotë që sistemi në të cilin jetojmë na e ofron.

Le të shkojë ky reper në një shtet ku sundon Sheriati (kodi ligjor Islamik) si në Iran apo Arabi Saudite, pasi nuk është i kënaqur me sistemin tonë dhe të flasë për njerëzit që janë në pushtet siç flet ne videoklipin e tij dhe do të shohim se si do ndahet. E kuptoj shumë mirë frustrimin e tij me disa çështje, siç është ajo e ndalesës së shamisë në shkolla, gjë që në fakt bie ndesh me principet e demokracisë dhe lirisë fetare (aq më tepër kur është e diskutuehme nëse shamia duhet të konsiderohet si simbol fetar pasi bartet nga pjesëtarë të disa feve, edhe pse bartja e saj nga femrat myslimane në shumtën e rasteve bëhet nga motive fetare). Por në demokraci debati është mënyra për të zgjedhur problemet dhe jo dhuna apo gjuha e urrejtjes.

Dhe debati kurrsesi nuk duhet bazuar ne disa thënie individuale të dikujt që i mban anë njërës apo tjetrës palë duke vënë theksin në ato që neve na dallojnë (me qëllim të polarizimit të kombit tonë), por duke marrë shembull ata që vënë theksin në ato që neve na bashkojnë dhe na bëjnë të ndjehemi NJË.
Dhe në fund dua të shtoj se toleranca në përgjithësi, por veçanërisht toleranca ndërfetare, është ajo që i duhet këtij populli për të mbijetuar. Prandaj, tani më shumë se kurrë ka vlerë thënia gjeniale e Pashko Vasës “mos shikoni kisha e xhamia, feja e Shqiptarit është Shqiptaria”.

Dhe do të doja t’i shpjegoja Golden AG (i cili ne videoklipin e tij kritikon edhe poetin e lartpërmendur) dhe atyre të rinjve që këtë reper e konsiderojnë si rol model të tyre domethënien e kësaj shprehjeje. I madhi Pashko Vasa nuk është se zbuloi një fe të re, pra “Shqiptarinë”. Por në kohën kur ai thuri vargjet e kësaj poezie legjendare, kombi ynë po përçahej. Dhe poeti (duke nuhatur rrezikun) deshi të paralajmërojë kombin Shqiptar se do shkojë drejt zhdukjes po lejoi të përçahet. Prandaj, rini e dashur, në momentin që konstatoni se diskutimi (mes Shqiptarëve është fjala) shkon drejt polarizimit, pra i shtohen përemrat “ne” dhe “ata”, atëherë besoni që nuk jeni në rrugë të mbarë…

Shkrimi u përditësua në 25 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)