Nëse duam anëtarësimin në Bashkimin Evropian, na duhet 7 ditë punë nga 24 orë. Në vigjilje të vizitës së Komisionarit Stefan Fule, në Prishtinë, procesi i integrimit evropian vazhdon të mbetet vetëm synim i shtetit më të ri në Evropë. Ajo që dua të theksoj, është se pjesa më e madhe e punës drejt këtij synimi arrihet këtu, në Kosovë, pa e anashkaluar edhe rolin e pashmangshëm të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar se procesi i integrimit evropian kërkon përkushtim të plotë për të vënë në funksion gjithë mekanizmat: institucional, politik, juridik dhe zhvillimor. Ky proces kërkon përkushtim, për më shumë kërkon veprime dhe të arritura konkrete, me më pak retorikë. Në këtë kuadër, ne duhet të përgatitemi për një rrugë të gjatë dhe të mundimshme, por që njëkohësisht varet nga angazhimi ynë, që të shkurtojmë rrugën dhe kohën deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Thënë ndryshe, nëse ndjehemi komodë dhe vazhdojmë me këtë ritëm me inerci, ky proces do të marrë më shumë se një dekadë, por nëse i përvishemi punës, ne mundemi ta rrumbullakojmë edhe brenda një dekade. Kryesisht, procesi i integrimit evropian udhëhiqet nga elita politike dhe institucionale, rrjedhimisht vonesat në këtë proces janë indikator i një elite të dështuar.
Qytetarët e Kosovës, sikurse bashkëqytetarët e vendeve tjera, do ta meritonin sot vendin në familjen evropiane, por kjo nuk po dëshmohet nga politika dhe institucionet që përfaqësojnë ata. Si pasojë, Kosova ngec prapa në secilin moment të integrimit, sikurse bie fjala liberalizimi i vizave, apo përmbyllja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Vonesat, përpos se janë tregues i mungesës së progresit, janë tregues i humbjeve të energjive.
Kjo, sepse nuk është bërë sa duhet dhe nuk është bërë si duhet puna nga elita qeverisëse e Kosovës. Qytetarët duhet falënderuar që vazhdojnë të mbesin euro-entuziastë, sepse qytetarët e vendeve të tjera që kanë përshkuar këtë rrugëtim do të ishin lodhur kaherë. Dhe kjo më bënë të besoj se ne jemi kombi më vital në Evropë, por vitale duhet të jetë edhe elita dhe burokracia që administron hapat integrues. Kjo nuk po shihet, kjo po mungon.
Procesin e integrimit evropian duhet ta shohim si shteg i daljes së Kosovës nga izolimi, si mundësi për zhvillim konsistent dhe mbështetje për Kosovën, si model demokratik, të cilit duhet t’i referohemi dhe si një kulturë dhe mentalitet ku vendet investojnë dhe kontribuojnë për një civilizim, i cili nuk ndalet në problemet dhe sfidat, por sheh mundësitë dhe zgjidhjet. Në këtë drejtim, është i domosdoshëm përmirësimi i mëtejmë i funksionimit demokratik dhe efektiv të institucioneve, në mënyrë që atyre t’u jepet mundësia për të kryer më mirë dhe brenda një kuadri institucional detyrat që u janë besuar.

Procesi integrues duhet të na shërbejë si udhërrëfyes i qartë për drejtimin e Kosovës se kah duhet të shkojë. Duke pasur parasysh ngecjet, si vend që aspiron integrimin e plotë në BE, duhet të shtojë përkushtimin për të përmbushur në plotni objektivat e Integrimit Evropian. Institucionet e vendit, pavarësisht se posedojnë “plane”, ende nuk kanë arritur të adresojnë çështjet shqetësuese për Kosovën.
Sfidat vazhdojnë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mbi të gjitha në kthimin e besimit tek shteti. Institucionet e vendit dhe mekanizmat e tjerë në këtë proces për më tepër nuk duhet ta shohin si kushtëzim, por si mundësi për të ndikuar drejtpërsëdrejti në ngritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve. Fillimisht, liberalizimi i vizave do të duhej arritur sa më shpejt, kjo duke qenë se Kosova ka bërë një progres të theksuar në drejtim të administrimit të këtij procesi dhe të përmbushjes së kritereve të caktuara, sado që mbetet të plotësohen të gjithat.

Përderisa ne humbim kohë, kriteret e integrimit po ashpërsohen dita ditës dhe këtu askush përpos nesh nuk është “fajtor”. Fundja “blloku” ka logjikën e vet. Procesi integrues është sfidues për të gjitha shtetet që aspirojnë këtë rrugë. Kosova në drejtim të përmbushjes së këtij qëllimi duhet t’i rrisë kapacitetet e veprimit dhe ta dinamizojë punën në gjitha institucionet. Me theks në kriteret kryesore në të cilat përgjithësisht shtetet hasin vështirësi në zbatimin e tyre, siç janë: zhvillimi ekonomik, ndërtimi i shtetit ligjor, profesionalizmi i administratës, respektimi i të drejtave të njeriut, demokratizimi, adaptimi i Acqui të BE-së. Secila nga këto fusha është një mal me veprime dhe nënveprime, por në të duhet kaluar përtej.

Në këtë rrugëtim të Republikës së Kosovës, është tepër i rëndësishëm vullneti i aktorëve institucionalë dhe politikë në avancimin e proceseve integruese. Ngase mungesa e vullnetit krijon hendek në mes të pritjes së qytetarëve dhe kërkesave që dalin në zbatim të obligimeve të marra. Së fundmi, si vend kemi arritur progres në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që do të na shërbejë si bazë e mirë në procesin integrues. Megjithatë, na duhet përshpejtim që të ngrejmë kapacitetet politike, juridike dhe ekonomike për t’ju bashkuar familjes evropiane. Pavarësisht ngecjeve, ne duhet të jemi të vendosur për të vijuar procesin integrues si mundësia më e mirë e ofrimit në mes popujve të Evropës. Por nuk duhet të harrojmë se duhet angazhim i përbashkët në hapat e mëtejmë që duhet bërë përpara drejt integrimit evropian.

Në përmbyllje, i gjithë spektri politik dhe institucional i dalë nga zgjedhjet që po vijnë duhet që si prioritet të ketë mirëqeverisjen, pasi që vetëm me një qeverisje të mirë, që jep llogari dhe punon me transparencë të plotë mund të kthehej besimi dhe shpresa se edhe NE JEMI EVROPË DHE JEMI TË GATSHËM T’I PËRVISHEMI PUNËS SERIOZISHT!

Shkrimi u publikua sot,8 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)