TIRANË- Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha hodhi poshtë akuzat e opozitës se procesi i integrimit është bllokuar. Duke raportuar në Komisionin e Jashtëm përballë deputetëve, ministri Hoxha tha se integrimi vijon normalisht, në përputhje me planet e bashkëpërcaktuara me BE.
“Objektivi ynë është i qartë: të bëjmë pjesën tonë me seriozitet dhe të ecim përpara në përputhje me ambicien tonë dhe planin e përbashkët me Komisionin Evropian, duke iu afruar çdo ditë e më shumë realizimit të synimit tonë strategjik, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian në horizontin 2030”, tha ministri Hoxha.
Kryediplomati shqiptar theksoi se për vendin tonë prioritet mbetet hallka e radhës, kalimi i pikave të ndërmjetme IBAR, për të cilat ende nuk ka një vendim nga Brukseli. Miratimi i piketave të ndërmjetme do t’i hapte rrugë rrugë procesit të mbylljes së kapitujve të negocimit.
Ministri Hoxha theksoi se raporti që i është dorëzuar Këshillit të BE-së nga Komisioni, për Vlerësimin e pikave të ndërmjetme (IBAR), ka qenë pozitiv për Shqipërinë.
“Ajo që dimë me siguri është se rekomandimet e Komisionit për Këshillin kanë qenë pozitive, duke njohur progresin e arritur dhe përmbushjen e piketave, si dhe duke rekomanduar vijimin e procesit drejt miratimit të tyre”, theksoi Hoxha.
Ministri Hoxha hodhi poshtë të gjitha akuzat se ka pasur veto nga shtetet anëtare për Shqipërinë, duke theksuar se brenda vitit 2030 vendi ynë do jetë pjesë e familjes Europiane.
“Në debatin publik është pretenduar mëse një herë se procesi është bllokuar, se vende të caktuara kanë vënë veto (pretendohej për 9 të tilla) apo se Shqipëria nuk po avancon më. Duke mirëkuptuar interesin e veçantë për këtë proces dhe respektuar debatin publik pavarësisht qasjes, dëshiroj ta them qartë dhe me përgjegjësi: këto pretendime nuk qëndrojnë.
Nuk ka pasur dhe nuk ka bllokim, nuk ka pasur dhe nuk ka veto nga asnjë shtet anëtar. Procesi ka vijuar dhe vijon normalisht. Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë e ka konfirmuar publikisht këtë fakt. Progresi i dukshëm i vendit në negociata është theksuar në mënyrë të përsëritur, disa herë, nga Komisionerja Kos dhe Përfaqësuesja e Lartë Kallas”, vijoi Hoxha.
Miratimi i IBAR-it nga vendet anëtare do t’i krijonte Shqipërisë mundësinë që të hynte në fazën e mbylljes së bisedimeve për kapitujt.
Lajmi në përditësim....
Vërejtjeve të Tritan Shehut se Shqipëria është me vonesë për raportin e pikave të ndërmjetme (IBAR), Ferit Hoxha iu përgjigj se janë të pabaza pasi raporti nuk ka kufizim kohor.
“Ku është baza këtu se kush e di se sa duhet të kishte marrë? Askush në botë nuk e di sa duhet të kishte marrë. Nuk ka pasur asnjëherë një kohë që IBAR për Shqipërinë duhet të mbushej për 6 javë përndryshe Shqipëria është me vonesë, mund të shkojë edhe 6 vjet. Nuk ka kufizim kohor. Ky ushtrim po bëhet për herë të parë, me këtë metodologji për Shqipërinë, duke vënë një standard për vendet e tjera”, tha Hoxha.
Në përgjigje të pyetjeve të opozitës lidhur me procesin e integrimit në BE, tha se ngrirja e fondeve për Serbinë, nuk e prek aspak Shqipërinë.
“Plani i rritjes është i njëjti plan për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Për secilin ka hartuar axhendën e reformave dhe janë të përcaktuara masat konkrete se çfarë duhet të bëjë një vend. Nuk kanë asnjë gjë të përbashkët, s’kanë asnjë element. Çfarëdo lloj gjëje që ndodh me Serbinë, s’ka asnjë ndikim për Shqipërinë”, tha Hoxha.
Gjatë diskutimit në Komisionin e Jashtëm, Taulant Balla iu përgjigj kritikave të opozitës për procesin e integrimit në BE duke thënë se nuk ka ngecur, por është në shqyrtim raporti i IBAR. Ai tha se Shqipëria ka rekord të hapjes së negociatave dhe po punon për të mbyllur hendeqet, siç rekomandon raporti.
“Shqipëria jonë është shumë përpara Serbisë. Sot flitet për nga rajoni jonë, për dy vende pararojë, Mali i Zi dhe Shqipëria. Mali i Zi ka avantazh se i ka filluar 10-12 vite para nesh negociatat, kurse ne kemi rekordin historik të hapjes së negociatave. Shqipëria sot është në metodologji të re, kemi identifikuar hendeqet që po sheshohen për të shtruar autostradën e anëtarësimit në BE”, tha Balla.
Balla nënvizoi se reforma në drejtësi është një nga arritjet më të mëdha ku “ndahen rrugët” me opozitën për këndvështrimet e ndryshme të Shqipërisë në BE. Një koment e pati edhe për artikullin Rama-Vuçiç për median gjermane, lidhur me propozimin e kryeministrit për përshpejtimin e anëtarësimit:
“Ne jemi sot vendi 100% e njehsuar politika jonë e jashtme me BE, s’e ka asnjë vend tjetër. E di si m’u duk fjala jote Tritan? Si ato mbledhjet e bashkimeve profesionale kur mblidhej dhe thoshte filani ka lënë flokët e gjata. Në cilin vend të botës mblidhet Kuvendi dhe bën redaktimin e një gazete kur kryeministri Rama ka parashtruar një mundësi të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit? Pse jeni kundër? S’duhet të jeni kundër”, tha Balla.
Lidhur me artikullin e medias gjermane ku Rama e presidenti serb Vuçiç thonë se vendet respektive do të pranonin të ishin anëtare të BE pa të drejtë vetoje, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha para komisionit se ky ishte veç një opinion që synon ta bëjë rrugën drejt BE më të prekshme.
Por, nënvizoi Hoxha duke iu referuar kritikave se ky artikull është në dëm të Kosovës, Shqipëria është plotësisht krah kësaj të fundit dhe nuk ndryshon asgjë kundrejt Serbisë.
“Fakti që ky opinion, nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si tregues i ndonjë aleance apo si një projekt. Është veçse një artikull, as aleancë, as projekt. Vendet e rajonit, pavarësisht dallimeve shpesh të thella dhe ne e dimë çfarë dallimesh ka Shqipëria me Serbinë, në mënyrë të veçantë për Kosovën ku pozicionet tona janë diametralisht të kundërta dhe të papajtueshme deri më sot, por kjo tregon që vendet edhe në situata të tilla janë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbshkët dhe integrimi europian është nga ato interesa madhore që kërkon dialog dhe pragmatizëm. Asgjë në atë artikull dhe asnjë aspekt i marrëdhënies së Shqipërisë me Serbinë nuk zbeh në asnjë mënyrë qëllimet e qarta dhe të palëkundura të Shqipërisë për Kosovën apo çështje të tjera rajonale ku kemi qëndrime të ndryshme”, tha Hoxha.
Komente











