Parlamenti Europian diskutoi këtë të martë raportin e Shqipërisë për vitin 2025. Hartuesi i këtij raporti, Andreas Schieder dhe komisionerja për Zgjerim Marta Kos vlerësuan progresin e Shqipërisë në procesin e intergimit, ndërsa disa eurodeputetë të Grupit të Majtë dorëzuan disa amendamente. Njëri prej të cilëve ngrinte shqetësimin e projektit të Zvërnecit.
***
Raporti i Shqipërisë për vitin 2025, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder, u diskutua këtë të martë në Parlamentin Europian, ndërsa sinjale pozitive për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian erdhën sërish edhe nga Komionerja për Zgjerim Marta Kos.
“Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve. Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t'u bërë. nëse vendet kandidate po japin rezultate, edhe ne duhet të japim rezultatet tona ky është një angazhim edhe nga ana jonë. Sepse nëse nuk arrijmë t'i integrojmë dhe nuk i ndihmojmë të rezistojnë kur kundërshtarët përpiqen t'i largojnë nga rruga europiane, atëherë të tjerët do të vijnë dhe do t'i përdorin kundër nesh. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë",- tha Kos.
Ndërsa raportuesi Andreas Schieder tha se Shqipëria është tashmë me një këmbë në Bashkimin Europian.
"Vendi i dytë në listën e vendeve kandidate për anëtarësim është Shqipëria. Shqipëria tashmë e ka një këmbë në kampin europian. Ajo ka ndjekur hapat e nevojshëm dhe më shumë se 90% e qytetarëve shqiptarë e mbështesin këtë hap, ndërsa projekti europian gëzon mbështetje në të gjithë spektrin politik. Objektivi është që negociatat të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe kjo tani është një perspektivë realiste",- tha Schieder.
Protestat masive në kryeqytet dhe projekti i Jared Kushner në Zvërnec nuk ka kaluar pa vëmendjen e eurodeputetëve. Eurodeputetë të grupit politik The Left Group kanë propozuar 4 amendamente, mes të cilëve shqetësimi për resortin luksoz të dhëndrit të Presidentit amerikan Trump.
Megjithatë, raportuesi Schieder tha se Shqipëria do t’i përmbushë të gjitha standardet europiane për realizimin e këtij projekti.
“Jam i bindur se të gjitha instrumentet ligjore të BE-së që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e zonave natyrore, mbrojtjen e shpendëve dhe kafshëve të tjera, ky tërësi instrumentesh legjislative do të jetë shumë efektive. Kjo do të thotë se standardet europiane do të zbatohen në Shqipëri, sepse jam i bindur se Shqipëria nuk dëshiron të rrezikojë pozicionin e saj në këtë proces",- tha Schieder.
Raporti I Shqipërisë për vitin 2025 pritet të miratohet në seancë plenare të mërkurën, pasi ka marrë më herët dritën jeshile nga Komisioni i Jashtëm. Përmbushja dhe cilësia e reformave do të përcaktojnë afatin kohor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në raportin e përpiluar Brukseli apelon që Shqipëria të thellojë reformat dhe të forcojë sistemet demokratike. Nevoja për ndërhyrje urgjente shihet në pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, ndonëse vlerësohet puna e bërë deri më tani nga SPAK.
Katër amendamentet
Amendamenti numër 4, i propozuar nga eurodeputetët Ilaria Salis, Danilo Della Valle, Emma Fourreau, Rima Hassan, Hanna Gedin, Jonas Sjöstedt, Sebastian Everding, në emër të Grupit të Majtë, fokusohet te mbrojtja e mjedisit në Shqipëri dhe investimi i planifikuar në Zvërnec.
“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji shqiptar i vitit 2015 për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe reduktojnë shqyrtimin mjedisor, çka rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera mjedisore të ndjeshme; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore ; shpreh, për rrjedhojë, shqetësim lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompanitë private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026”,- thuhet në amendamentin numër 4.
Ndërsa amendamenti për paragrafin i ri 46a të Raportit për Shqipërinë: “Thekson faktin se Komisioni e ka paralajmëruar Shqipërinë kundër veprimeve që mund të ndikojnë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, në mes të protestave kombëtare në vazhdim lidhur me një projekt zhvillimi luksoz në shkallë të gjerë që kërcënon një zonë të mbrojtur natyrore, habitat i flamingove, fokave dhe vendeve të folezimit të breshkave; në këtë drejtim , i bashkohet kritikave të Komisionit dhe rikujton se përafrimi me rregullat mjedisore të Bashkimit Europian, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet, është një parakusht për anëtarësimin në BE.”
Grupi politik The Left Group kërkon që pasi Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, marrëveshja për emigrantët me Italinë të pushojë së zbatuari dhe qendrat italiane të ndalimit të emigrantëve në Gjadër të mbyllen.
“Vëren se, pasi anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian të jetë përfunduar, Shqipëria nuk do të konsiderohet më një vend jashtë BE-së; vëren, për rrjedhojë, se Memorandumi Itali-Shqipëri për Migracionin do të pushojë së zbatuari dhe se qendrat italiane të ndalimit në Shqipëri duhet të mbyllen”,- thuhet në paragrafi i ri 49a që eurodeputeti Danilo Della Valle synon t’i modifikojë Raportit për Shqipërinë.
“Nënvizon rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal si përbërës thelbësorë të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe mirëpret pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në nismat rajonale; thekson, megjithatë, në këtë kontekst, se një bashkëpunim i tillë nuk duhet në asnjë rrethanë të përdoret nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian për të detyruar Shqipërinë, apo çdo vend tjetër kandidat, të ndërmarrë masa që do të binin ndesh me të drejtën e Bashkimit Europian; thekson faktin se bashkëpunimi nuk mund të shërbejë si mjet për të anashkaluar detyrimet e BE-së apo për të cenuar të drejtat themelore, siç ilustrohet nga vendimet e fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian në lidhje me Memorandumin e Mirëkuptimit Itali-Shqipëri; rikujton, në lidhje me këtë çështje, shqetësimet e shprehura nga Gjykata e Apelit e Romës lidhur me përdorimin aktual të qendrës së Gjadrit si një qendër e plotë ndalimi para dëbimit ("centro di permanenza per i rimpatri"), e cila duket se është në kundërshtim me nenin 9(1) të Direktivës 2013/32/BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 26 qershor 2013, mbi procedurat e përbashkëta për dhënien dhe heqjen e mbrojtjes ndërkombëtare; nënvizon nevojën për bashkëpunim më të thellë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur koordinim më të ngushtë mes partnerëve rajonalë për të luftuar krimin e organizuar, kërcënimet kibernetike dhe sfidat hibride; njeh rëndësinë strategjike të rajonit Adriatiko-Jonian për sigurinë europiane dhe stabilitetin ekonomik; i bën thirrje Shqipërisë të forcojë kapacitetet e saj të sigurisë detare në koordinim me BE-në dhe NATO-n, përfshirë forcimin e infrastrukturës detare, përmirësimin e sistemeve të mbikëqyrjes dhe intensifikimin e përpjekjeve për të luftuar aktivitetet e paligjshme, si trafikimi i qenieve njerëzore; inkurajon Shqipërinë të bashkëpunojë më ngushtë me shtetet bregdetare të BE-së për të siguruar mbrojtjen e rrugëve detare kritike dhe qëndrueshmërinë mjedisore në rajon”,- thuhet në amendamentin numër 6.

Eurodeputeti Fredi Beleri mbajti fjalën e tij gjatë diskutimeve në Parlamentin Europian për raportin e progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke shprehur mbështetjen për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, por duke kërkuar respektim të plotë të standardeve dhe legjislacionit europian.
Ai kritikoi qasjen e institucioneve europiane ndaj qeverisë shqiptare gjatë viteve të fundit, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama është mbështetur për shkak të argumentit se ofron stabilitet dhe gëzon mbështetjen e qytetarëve.
"Për gati 13 vjet, me justifikimin se zoti Rama ofron stabilitet dhe gëzon mbështetjen e popullit, institucionet europiane e kanë mbështetur atë pa rezerva", tha eurodeputeti.
Sipas Belerit, qytetarët shqiptarë po protestojnë për shkak të problemeve që lidhen me funksionimin e demokracisë, mirëqenien ekonomike dhe sundimin e ligjit.
Deklarata e plotë e Fredi Belerit:
Sot po diskutojmë një raport që njeh si aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Europian, ashtu edhe mbështetjen e Parlamentit Europian për këtë proces.
Për gati 13 vjet, me justifikimin se zoti Rama ofron stabilitet dhe gëzon mbështetjen e popullit, institucionet europiane e kanë mbështetur atë pa rezerva.
Sot, qytetarët shqiptarë protestojnë për mungesën e demokracisë, për mungesën e mirëqenies, për cenimin e së drejtës së pronës, për manipulimin e drejtësisë, për lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe, në fund të fundit, për largimin e të rinjve nga vendi.
Natyrisht, këto probleme prekin pakicat, dhe mjafton të shihni minoritetin grek, që është më i madhi në vend.
Heshtja përballë realitetit, zbukurimi i situatës dhe prirja që në shumë raste ka treguar Komisioni AFET për t’u rreshtuar me kryeministrin shqiptar, interpretohen nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare jo si mbështetje për popullin shqiptar në realizimin e ëndrrës së tij europiane, por si mbështetje për Ramën.
Duhet të jemi të qartë: Po integrimit, por pa kompromise me acquis-in
Eurodeputetja Ilaria Salis nga Grupi i së Majtës europiane, e cila ka depozituar në Parlamentin Europian amendamentet që lidhen me çështjen e Zvërnecit, është shprehur se qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk po mbron interesat e popullit.
Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, eurodeputetja ka përshëndetur protestuesit, që sipas saj kanë dalë në shesh për të protestuar kundër një qeverie që nuk po mbron interesat e popullit.
Duke theksuar se protestat në Shqipëri janë një betejë për sovranitetin popullor, ajo ka bërë thirrje që Zvërneci të mos u shitet ‘spekulatorëve Trump-it dhe Kushner-it’.
Më tej ajo i bëri thirrje Bashkimit Europian që të vëzhgojë me kujdes atë që po ndodh në Shqipëri.
“Shqipëria është vërtet një model për Europën këtë javë. Shumë njerëz kanë dalë në shesh për të protestuar kundër një qeverie që nuk po mbron interesat e popullit.
Shqipëria nuk është në shitje. Nuk duhet t'u shitet spekulatorëve, Trump-it dhe Kushner-it, vetëm sepse ata mendojnë se mund të blejnë gjithçka: tokën, natyrën dhe demokracinë.
Ajo që po shohim nuk është thjesht një lëvizje; është një betejë për sovranitetin popullor. Është një popull që po rimerr të drejtat e tij përballë logjikës dominuese ekonomike të kësaj axhende.
Mendoj se Europa duhet ta vëzhgojë me shumë kujdes atë që po ndodh në Shqipëri, sepse kjo është diçka e rëndësishme për Bashkimin Europian. Ky është një popull i gjallë, i aftë të mobilizohet për drejtësi dhe liri”, ka thënë mes të tjerash eurodeputetja Salis.

Parlamenti Europian po diskuton sot Raportin e ecurisë së Shqipërisë në procesin e integrimit europian gjatë 2025.
Vetë hartuesi i Raportit, Andreas Schieder, tha para eurodeputetëve se Shqipëria tashmë e ka një këmbë në kampin europian. AI theksoi se Shqipëria mund të jetë historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit europian.
Fjala e plotë e Andreas Schieder:
Politika e zgjerimit është një nga instrumentet më të rëndësishme që ka Bashkimi Europian. Ajo sjell stabilitet, krijon siguri dhe mirëqenie në kontinentin tonë dhe u jep qytetarëve një perspektivë për të ardhmen.
Dhe kjo perspektivë për të ardhmen është ndoshta nxitësi më i madh për reforma demokratike dhe progres shoqëror në vendet kandidate për anëtarësim.
Tani le të kalojmë te vendi i dytë në listën e vendeve kandidate për anëtarësim, që është Shqipëria. Shqipëria tashmë e ka një këmbë në kampin europian.
Ajo ka ndjekur hapat e nevojshëm dhe më shumë se 90% e qytetarëve shqiptarë e mbështesin këtë hap, ndërsa projekti europian gëzon mbështetje në të gjithë spektrin politik.
Objektivi është që negociatat të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe kjo tani është një perspektivë realiste.
Shqipëria ka treguar angazhime të jashtëzakonshme ndaj modelit të Bashkimit Europian. Të gjitha grupkapitujt e negociatave janë hapur brenda 13 muajve.
Kjo tregon se ekziston vullnet politik për të garantuar zbatimin e reformave.
Në raport trajtohen disa çështje, veçanërisht ato sociale.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme, jo vetëm për mua si socialdemokrat, por edhe sepse Bashkimi Europian nuk duhet të shihet si një model thjesht teknokratik dhe procesi i anëtarësimit duhet të sjellë përmirësime në jetën e qytetarëve.
Duhet të shqyrtojmë ligje efektive për mbrojtjen e punës dhe ne besojmë se kjo qëndron në thelb të procesit të anëtarësimit. Duhet të ketë zbatim të premtimeve të bëra.
Prandaj, mirëpres hapat e ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit dhe miratimin e legjislacionit përkatës, përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve të korrupsionit (ëhistlebloëers).
Një tjetër pikë e rëndësishme që po diskutohet shumë intensivisht në Shqipëri është menaxhimi i qëndrueshëm i turizmit.
Në këtë raport progresi e shohim këtë shumë qartë. Turizmi i qëndrueshëm është e vetmja rrugë përpara.
Turizmi krijon vende pune dhe rritje ekonomike, por në afat të gjatë, nëse natyra kërcënohet, atëherë i gjithë modeli mund të shembet.
Bashkimi Europian ka bërë thirrje për standarde të qarta dhe ky është një argument shtesë për kontributin e Shqipërisë në jetën e Bashkimit Europian.
Dhe jam i bindur se të gjitha instrumentet ligjore të BE-së që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e zonave natyrore, mbrojtjen e shpendëve dhe kafshëve të tjera, ky tërësi instrumentesh legjislative do të jetë shumë efektive.
Kjo do të thotë se standardet europiane do të zbatohen në Shqipëri, sepse jam i bindur se Shqipëria nuk dëshiron të rrezikojë pozicionin e saj në këtë proces.
Dhe zgjerimi nuk do të thotë vetëm hapje kapitujsh; do të thotë mbyllje me sukses e kapitujve. Por edhe mbyllja e kapitujve nuk mjafton.
Duhet të shohim zbatimin e ndryshimeve dhe reformave.
Këto janë të rëndësishme për qytetarët dhe ekziston nevoja për të zbatuar reforma të qëndrueshme dhe afatgjata, që forcojnë sundimin e ligjit, që forcojnë drejtësinë sociale dhe reforma që përmirësojnë jetën e njerëzve në mënyrë konkrete.
Si raportues, kam udhëtuar shpesh në Shqipëri dhe kam parë nivelin e optimizmit atje.
Shqipëria dhe qytetarët e saj po punojnë së bashku për të arritur këto objektiva: partnerët socialë, shoqëria civile, qeveria dhe shumë, shumë qytetarë të angazhuar.
Pikërisht për këtë arsye jam i bindur dhe ky është mesazhi im për ju sot:
Shqipëria mund të jetë historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit europian.
Gjatë ndjekjes së debatit në seancën Plenare të Parlamentit Europian, Taulant Balla vlerësoi si një moment krenarie deklaratat e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, dhe Raporterit për Shqipërinë, Andreas Schieder, të cilët e cilësuan Shqipërinë si një nga vendet që ka ecur me hapa pozitivë drejt integrimit europian.
Sipas Ballës, fakti që Shqipëria përmendet së bashku me Malin e Zi si “favoritja kryesore” për anëtarësim në Bashkimi Europian përbën një vlerësim të rëndësishëm për progresin e arritur nga vendi në rrugën e reformave dhe afrimit me standardet europiane.
“Çfarë krenarie të jem në Sallën Plenare të Parlamentit Europian dhe të dëgjoj Komisioneren Kos dhe Raporterin Schieder të thonë se Shqipëria mund të quhet me krenari ‘favoritja kryesore’, së bashku me Malin e Zi, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, shkroi Balla në një postim në rrjetet sociale.
Ky vlerësim vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e negociatave të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria vijon punën për përmbushjen e prioriteteve dhe përshpejtimin e reformave në kuadër të integrimit europian.
Deklaratat në Parlamentin Europian konsiderohen si një sinjal pozitiv për ecurinë e vendit dhe perspektivën e tij për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, është shprehur gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian se Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e anëtarësimit, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve.
Megjithatë, Marta Kos thekson se mbetet ende shumë punë për t'u bërë, deri në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Sot Parlamenti Europian po diskuton sot Raportin e ecurisë së Shqipërisë në procesin e integrimit europian gjatë 2025, të hartuar nga Andreas Schieder.
Fjala e Marta Kos:
Vetëm dje, siç e dëgjuam, mbyllëm përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë me Malin e Zi, duke e çuar numrin e kapitujve të mbyllur në rreth gjysmën e tyre. Përparimi i Malit të Zi ka bërë që Këshilli të nisë gjithashtu hartimin e traktatit të anëtarësimit të tij, i pari pas 17 vitesh. Ky do të jetë një brez i ri traktatesh anëtarësimi. Këto janë hapa që nuk i kemi parë që nga koha kur Kroacia negocionte anëtarësimin.
Edhe Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve. Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t'u bërë.
Duhet të shohim këtë lëvizje përpara nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sot ekziston një dritare mundësie për të avancuar drejt anëtarësimit dhe ne po inkurajojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ta shfrytëzojnë atë.
Në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, dëgjuam angazhime të qarta nga të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor se rruga drejt BE-së është prioriteti i tyre strategjik.
Komisioni Europian është i gatshëm të ecë përpara me të gjitha këto vende, nëse ato përmbushin angazhimet e tyre për reforma dhe tregojnë përafrim të mjaftueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si edhe me politikën e vizave.
E di se mund të mbështetem edhe tek ky Parlament në ndjekjen e një procesi zgjerimi të bazuar rreptësisht në meritë – kjo mbetet ende e vlefshme – që mbështet të gjithë partnerët tanë të zgjerimit në çdo fazë, por që është gjithashtu i qartë dhe i vendosur kur shohim se përparimi është i pamjaftueshëm apo ka regres.
Dhe jam dakord me ju, zoti Ëeiz: nëse ata po japin rezultate, edhe ne duhet të japim rezultatet tona. Pasi u kemi dhënë statusin e vendit kandidat, ky është një angazhim edhe nga ana jonë.
Prandaj, le t'i mbështesim kudo që është e mundur dhe le të jemi në krahun e tyre ndërsa punojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Komente








Ortodoksi i Progonatit me mbiemëtr turk e nxori kokën,si d.m.th.grek.
PërgjigjuMos befte hajer ai qe ju beni ju erodeputet nje person qe ka lyer duart me gjakun e bijve te nenave cfare pret nga ju vetem injorace
PërgjigjuIlaria Salis fol, sepse ne pikepamje strategjike mbrojtese, Sazani i perket sa Shqiperise, aq edhe Italise.
Përgjigju