Interi ka gjetur forcat për të marrë veten pas dështimit në Champions League, pasi sot zikaltërit kanë fituar 3-1 me përmbysje në Seria A në transfertën e Cagliarit.

Pas një nisje të avashtë zikaltërit e panë veten në disavantazh, si shumë herë gjatë këtij sezoni, në minutën e 42.

U krijua ideja se zikaltërit do të dorëzoheshin pa kushte, por pas disa zëvendësimeve ekipi i Conte-s kapi ritmin.

Gjithsesi për të parë golin e barazimit duhet të vinte minuta e 77, me Barella-n që realizoi një perlë. Pak çaste më pas do të ishte Dambrosio, i futur si zvëndësues ai që përmbysi gjithçka.

Në limitet e kohës do të kishte kohë edhe për një gol të Lukaku-t, i cili pas një sprinti kaloi edhe portierin në gjysmëfushë për të vulosur shifrat përfundimtare.