Interi vë në diskutim jo vetëm vendin e 3-të por edhe kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm. Pasi panë t'ju hiqeshin dy pikë nga gjyqtari në transfertën ndaj Fiorentinës, zikaltrit të rënduar psikologjikisht nuk arritën të ngrinin kokë në Sardenjë përballë Cagliarit madje u mposhtën me rezultatin 2-1, duke pësuar humbjen e parë pa Icardin në formacion në këtë sezon. Gjithçka u vendos në pjesën e parë. Fillimisht kapiteni Cepitelli i vodhi kohën kroatit Perisic dhe me një goditje të saktë me kokë la të shtangur Handanovic.
Gjithsesi 7 minuta më vonë në të 38-ën, Lautaro Martinez barazoi shifrat duke realizuar sërish ndaj Cagliarit në këtë sezon. Krosim perfekt i Nainggolan me sulmuesin e talentuar argjentinas që me kokë ia kaloi topin poshtë këmbëve portierit Cragno. Por në pushimin mes dy pjesëve Cagliari shkoi në avantazh pasi në të 43-ën, Pavoletti me një goditje fluturimthi pas një krosimi të kroatit Dario Srna, mposhti sërish Handanovic, madje duke djegur në kohë si Skriniar ashtu edhe De Vrij.
Në pjesën e dytë, Interi dominoi por nuk mundi dot të gjente të paktën një gol për të mos dalë i mundur nga kjo sfidë. Lautaro u ndal nga shtylla ndërkohë raste të arta shpërdoruan 3 të ardhurit nga stoli Borja Valero, Ranocchia dhe Candreva. Në shtesë Cagliari fitoi një 11-metërsh por Barella e çoi topin mbi traversë, gjithsesi në Sardegna Arena gjithçka u mbyll me fitoren 2-1 të Cagliarit që mori tre pikë jetike në garën për mbijetesë ndërkohë që Rolando Maran pas 6 humbjeve mposhti për herë të parë në karrierë Luciano Spallettin. Në rast fitoresh të Milanit dhe Romës këtë të shtunë, Interi mund të rrëshkasë nga vendi i 3-të në të 5-in.
Komento