Zyrtarizim që në orën 6:00 të mëngjesit. Antonio Conte është trajneri i ri i Interit dhe zëvendëson Luciano Spalletti-n i shkarkuar një ditë më parë. Conte ka hedhur firmën në kontratën 3 vjeçare me zikaltërit që ditë më parë por sot herët në mëngjes ashtu edhe siç pritej u zyrtarizuar çdo gjë. Stafi i gjithi i përcaktuar, paga 9 milion euro në sezon që mund të shkojë deri në 12 në bazë të bonuseve dhe një merkato me emra big ku dy të parët që flitet se do të vijnë janë Edin Dzeko dhe mesfushori italian Barella. Klubi zikaltër ka publikuar edhe një video ku i uron mirëseardhjen teknikut 49 vjeçar që ka thënë edhe fjalët e para si zikaltër:
"Për mua nis një kapitull i ri dhe jam entuziast. Do të përpiqem që me punë të kthej besimin që më ka dhënë Presidenti dhe drejtuesit. Kam zgjedhur Interin për shoqërinë që përfaqëson, qetësinë dhe projektin ambicioz por edhe për historinë e tij. Më kanë bërë përshtypje idetë e qarta që ka klubi dhe dua ta dërgoj Interin aty ku e meriton” e mbyll ish- trajneri i Juventusit.Vlerësimet më të mira për teknikun ka bërë edhe Presidenti Steven Zhang i cili është i bindur që Conte do e ndihmoj Interin të arrijë objektivat./ Andi Kapxhiu.