Dilaver Reçi, babai i të arrestuarit për “Gjobëvënie” ndaj biznesmenit të kafesë Julian Bregu, shprehet për gazetën Shqiptarja.com se djali i tij Ditmar Reçi, akuzohet padrejtësisht. 66-vjeçari, u shpreh për gazetën se djali i tij nuk ka kryer asnjë vepër penale, por vetëm sa e ka ofenduar me një fjalë dhe në emër të kushërirës së tij i ka kërkuar paratë që Juliani i kishte borxh asaj.

Dilaver Reçi tha se gjithçka është e sajuar nga biznesmeni i kafesë, duke e quajtur këtë të fundit mashtrues. Po ashtu, ai bëri të ditur se Ditmari dhe kallëzuesi ishin shokë fëmijërie, ishin rritur bashkë.

foto
(Në foto, në të majtë Julian Bregu dhe në të djathtë Ditmar Reçi)

Ditmar Reçi, bashkë me shtetasit Pajtim Serjani, Genci Ferhati, Elvis Karoli, Arianit Luli, Klevis Kardashi dhe Arben Haxhihyseni, akuzohen për gjobëvënie ndaj Julian Bregut. E gjithë ngjarja është shënuar në muajin prill, kohë kur është bërë edhe arrestimi i shtatë të akuzuarve. Shtetasit e mësipërm akuzohen për gjobëvënien e 13 mijë eurove ndaj biznesmenit të kafesë, Julian Bregu, në varësi të xhiros ditore që ai kryente. Por, Bregu bëri kallëzim në polici, duke sjellë arrestimin e personave të sipërpërmendur. Ndërkohë, babai i të akuzuarit Ditmar Reçi, tha se askush nuk i ka vënë gjobë Julianit, por të gjithë ata të akuzuar kanë kërkuar paratë e tyre që i kanë dhënë borxh. Tashmë çështja po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Z. Reçi, djali juaj akuzohet për gjobëvënie, si qëndron e vërteta?
Im bir akuzohet se i ka vënë gjobë një personi. Djali im akuzohet se i ka kërkuar atij viktimës lekët e veta, që ai mashtruesi i ka vajzës së vëllait tim, vetëm për kaq. Nuk bëhet fjalë as për gjobëvënie e asgjë tjetër çfarë është thënë deri tani. Këta mund ta akuzojnë për çfarë të duan djalin tim, por një diçka kur nuk është e vërtetë, nuk është. Ai (Julian Bregu) e akuzon për gjobëvënie djalin tim, kur tre personave nga të akuzuarit kallëzuesi i ka borxhe për shkak të aktiviteteve. Para dy vitesh, Julian Bregu ka në shtëpinë tonë për ditëlindjen e nipit tim pasi ishin shokë e miq, kam dhe fotografi ku Ditmari ka dalë më të. Le të gjejë policia nëse djali im i ka marrë ndokujt një shishe ujë, e jo më t’i vendosë gjobë Julian Bregut mashtruesit më të madh. Nëse kjo akuzë që ka ngritur Prokuroria mbi djalin tim, unë jap firmë që Ditmari të kalbet në burg, por nuk e bën djali im një diçka të tillë.

Përderisa ju thoni kështu, pse akuzohet djali juaj me djemtë e Rrugës së Kavajës?

Të gjithë ata djem të arrestuar për gjobëvënie dhe që sot dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë shok me njëri-tjetrin, mes tyre edhe djali im. Im bir ka qenë shok fëmijërie me kallëzuesin, Julian Bregun, atë mashtruesin. Julin unë e kam tamam si djalin tim, por ai arriti deri në këtë pikë. Pyesni nëpër bankat për Julian Bregun, ai është skandaloz. Një njeri që që ishte biznesmen i kafes. Sa futi të gjithë shokët e tij në burg e shiti biznesin e tij të Rruga e Kavajës që të shpëtojë larjen e borxheve që ka. Ai nuk e ka menduar se i ka borxh djalin tim, por i ka detyruar që t’i vendosin gjobë. Por çfarë gjobe mund të të vendosë dikush që i ke para borxh. Djali im spo i merrte dot paratë e veta, do t’i merrte gjobën.

A keni kontaktuar ndonjëherë me Julianin për këtë çështje?

Jo, as nuk kam pse ta takoj atë njeri. Ai, pasi ndodhën të gjitha këto ngjarje a trillime të tija, la edhe bashkëshorten e tij. Është shumë e qartë, ai ka trilluar gjithçka vetë, vetëm për t’u shpëtuar borxheve të shumta që ka. Djali im nuk ishte në pikë të hallit për para, që të shkonte e të t’i vendostë gjobë Julit.

Po si u gjend në mes të atij grupi djali juaj?

Pak ditë përpara se të ndodhte e gjithë kjo situatë, vajza e vëllait tim Megi Reçi e cila është administratore e një kompanie transporti, i kërkoi Ditmarit që t’i thoshte Julit t’i jepte paratë që i kishte borxh. Julian Bregu kishte bërë një transport kafeje me kompaninë e saj dhe nuk kishte paguar lekët që detyrohej dhe ngeli borxh 2000 euro tek mbesa ime. Pas disa kohë Megi ia kërkoi, sepse në fund të fundit për ato para punojmë të gjithë. Për hatër të kushërirës, Ditmari ia kërkoi Julit, por arriti aty ku është edhe sot, madje me akuzën e gjobëvënies. Ditmari im dhe Julian Bregu janë rritur bashkë.

Emri i djalit tuaj gjendet në atë grup, si u bë pjesë e tij?

Në një moment, të gjithë ata që ndodhen aty brenda (në burg), e kuptuan që Juliani po i mashtronte për borxhet që u kishte. Një herë, dy herë, tre herë, përsëri Juliani nuk u bindej. Në një kohë, dy a tre nga këta djemtë e tjerë se e kanë rrahur nuk e di mirë, por kanë marrë Ditmarin në telefon. O Ditmar i kanë thënë, hajde se jemi këtu. Ka shkuar edhe Ditmari atje ku ishin shokët e tij. E ka parë Julin dhe i ka thënë: “O legen, jepi lekët Megi Reçit”. Edhe kur Julian Bregu është marrë marrë në pyetje në polici, ka thënë që Ditmari nuk më ka bërë gjë, vetëm më ka ofenduar dhe kërkuar lekët e Megi Reçit. Vetëm kaq është gjithçka dhe djali im mbahet në burg se ka kërkuar lekët e tij.

Z. Reçi, dy ditë më parë në portën e shtëpisë tuaj ka ndodhur një shpërthim, keni dijeni kush mund ta ketë bërë?

Ajo ngjarje nuk është asgjë e madhe. Unë problemin tim më të madh e kam me djalin që po më mbahet padrejtësisht në burg. Ai ishte një shpërthim i vogël, ndoshta për të më trembur mua por pa asnjë dëm të madh. Unë kam dy makina dhe të dyja i lë jashtë shtëpisë. Shumë mirë nëse ata që vendosën lëndën plasëse tek porta donin të më “vrisnin”, mund ta vinin tritolin tek makina. Unë jam një njeri që shikoj punën time dhe nuk ngaxmoj askënd që mund të sjellin ngjarje të tilla. Për shpërthimin te porta që ndodhi në orën 04:00 të mëngjesit të së dielës, lajmërova policinë dhe gjithçka ia thashë atyre.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)