Profesor Eno, si e keni njohur Gjergj Antoniun gjatë karrierës suaj artistike?
-Gjergj Antoniun e kam njohur si instrumentalit, si një nga muzikantët më të shquar shqiptarë në kuptimin më të plotë të fjalës. Unë kam shkruar dhe një shënim për librin e bërë për të nga Iliriana Dema dhe thashë që është mishërimi i atij që do të ishte një muzikant shqiptar, një muzikant i përbotshëm me ato parametra, me ato kërkesa. Ishte një njeri sikur s’i përkiste atij trualli të ashpër ku u rrit, me atë delikatesën e tij, përkushtimin e tij dhe energjinë me të cilën përdorte instrumentin. Gjergj Antoniu u bë si një korife që duhej të ndiqje udhën e tij në drejtimin e lojës instrumentale që është një loja më e vërtetë e muzikës shqiptare.
Ju i keni njohur prindërit e tij Kristaq Antoniun dhe piktoren Zengo dhe fati i familjeve tuaja ka qenë pothuajse i përafërt në diktaturë, me privime, apo jo?
-Po. Po. Androniqi Zengo ishte piktorja e parë shqiptare, dhe babai i tij Kristaq Antoniu ishte artist, të cilët në jetë patën privime. Por, Gjergji u rrit me një përkujdesje familjare në edukimin artistik. Megjithatë edhe pse vetë Gjergji është rritur në mjedisin e artistik, ai asgjë nuk e ka fituar drejtpërdrejtë nga prindërit. Ai lindi me talent. Me këtë dua të them se nuk është rasti i atyre fëmijëve që ua mësuan prindërit profesionin e tij, por ai jetoi në një atmosferë artistike kur çdo gjë ishte sublime nëse i referohej krijimit artistik. Kjo është edukata thelbësore që mori në familjen e tij, përkushtimin sublim për krijimtari të mirëfilltë. Natyrisht ka dhe të tjerë artistë në këtë botë që sakrifikohen për artin, por Gjergj Antoniu është një ndër ata njerëz që akoma s’i ka ardhur koha të vlerësohet si duhet. Ai jo vetëm ishte mjeshtër i instrumentit, por pati rol të spikatur, sepse edhe këngën popullore e ka kënduar bukur e me madhështi. Gjergji, pra mori nga prindërit atë dedikimin absolut ndaj asaj që i përkushtohej dhe kjo gjë ra veçanërisht në sy. Iliriana Dema ka shkruar një libër. E ka shkruar shumë bukur edhe sikur të parandihet se nuk do ta kishim më, ajo ka derdhur edhe energjinë e shprehjes për të.
Kohët e fundit e takonit shpesh Gjergjin?
-Jo. Kohët e fundit nuk e takoja shpesh. E takoja rrallë dhe pyesja si e kalonte me sëmundjen. Dhe, ai çuditërisht gjithnjë përgjigjej “Jam më mirë”. Habitem ku e gjente gjithë atë shpresë, kur sëmundja bënte nga ana tjetër të vetën. Ku e gjente forcën e optimizmit. Ai kishte kancer dhe kurrë nuk u ankua “më dhemb këtu”, apo “atje”.
Duke iu referuar veprës së Antoniut, si njohës dhe studiues muzike, çfarë pasurie i ka lënë muzikës shqiptare?
I ka lënë shumë regjistrime, besoj se ka qenë kompozitori që i ka lënë më shumë pasuri muzikologjisë shqiptare. Gjatë jetës së tij në skenë shkruheshin vepra vetëm për të. Shkruheshin koncerte vetëm për të. Për shembull, kompozitorët shqiptarë e kishin si udhërrëfyes gati-gati. Sa e shkruanin muzikantët diçka mendonin se ai duhej ta luante me violonçel. Ai ishte bërë si shkencëtar, jo më vetëm muzikant, i kishte kaluar ato përmasat e muzikantit dhe nuk punonte më thjesht për lojën. Ai merrej me analizën e gishtave e të frymëmarrjes, me këtë gjë s’para merren shumë muzikantë këtu në Shqipëri. Pra ishte njeriu që qëndronte mes muzikantit dhe shkencëtarit të muzikës. Aq shumë kishte depërtuar në thelbin e muzikës. Fuqia e tingullit të tij si mjet ekspresiv.
Po vlerat e tij njerëzore, si do t’i përmblidhnit me dy fjalë?
-Gjergji të befasonte për dashurinë për instrumentin, talentin e tij dhe megjithatë ishte më i thjeshti njeri në Universitetin e Arteve. Ai punonte në një mënyrë të pandërprerë, por edhe gati të pandjeshme. Ishte i pabezdisshëm deri në dy vitet e fundit që u shkëput prej sëmundjes. Rrinte në kontakt me shkollën, me kolegët tanë. E kam njohur nga afër atë. Megjithëse shqetësimet e tij për shëndetin i kam përjetuar dhe familja ka bërë shumë, shumë gjëra që ai t’i shpëtonte sëmundjes, ne nuk patëm fuqi që ta ndalojmë ikjen e tij. Sëmundja na mori një mik shumë të mirë dhe një koleg shumë të dashur.
Si e kujtoni Gjergjin në vitet më të hershme
E kujtoj Gjergjin që në moshë të vogël. Ai atë shtatin e tij të imët dukej edhe më i brishtë në hijen e rëndë të violonçelit. Por për çudi spikati me tingujt e këtij instrumenti. Gjergji ishte i pari që theu traditën e asaj kohe “që violonçeli ishte një instrument më i spikatur dhe i rëndë dhe duheshin mosha më të rritura për të. Ai spikati si një ndër më të talentuarit dhe koha e vërtetoi këtë. Studiues të ndryshëm të muzikës i kanë kushtuar vëmendje të veçantë lojës instrumentale të Gjergj Antoniut, tek i cili sipas tyre veçohet sidomos trajtimi mbi tingullin dhe ritmin. Prej cilitdo studiuesi serioz që mund të shkruaj për një interpretues të skenës muzikore, njohuritë më të domosdoshme të fushës janë këto: njohja në vetvete e artit të interpretimit dhe njohja e muzikës si të tillë, pra të çështjeve si ato që kanë të bëjnë me gjuhën, stilin, me marrëdhëniet me epokën. Antoniu i kishte kapërcyer me këto marrëdhënie.
(ad.ti/shqiptarja.com)