Intervista e plotë/ Duka: Listat e mbyllyra më mirë se të paktën e dinim që ishin të tilla! Nuk e di a do garoj me Bashën këto zgjedhje

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka është ndalur të flasë për zhvillimet më të fundit politike në vendin tonë, duke filluar nga aleanca me kryedemokratin Lulzim Basha, te hapja e listave e deri te zgjedhjet e 25 prillit.
***

I ftuar në studio është Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste. Si do t’i donit listat ju si parti politike, për zgjedhjet e vitit 2021?

-Natyrisht që partive të vogla ose partive alternative u shkon më mirë sikur të ishte ajo forma klasike e koalicionit sepse është e thjeshtë situata. E para, numri i votave për qark është shumë më i vogël, që i duhen një partie nëse del në koalicion; dhe e dyta, në fund të fundit, ka mundësi të garojë sepse me këtë lloj mënyre pa koalicione, neve na kanë hequr mundësinë e garimit se 140 vende janë gjithsej për të gjithë Shqipërinë. Nga 140 veta PD-ja pak a shumë ka rreth 10 aleatë, nëse nga 1 kandidat për qark të nxjerrin partitë aleate, i bie që 100 kandidatë duhet t’i zënë vendet e 140  vetave atje. Kështu që s’po them se sa është pjesa e renditur, por po them se në 140 veta është shumë e vështirë për të negociuar që ne të kemi mundësi të negociojmë në të gjitha qarqet, të paktën me nga 1 kandidat. Ose pastaj është një rast që argumentohet më mirë kjo që them unë, Kukësi ka 3 mandate, ne jemi 10, ku do t’i gjejmë njerëzit që t’i fusim aty? Del që nuk ka mundësi. Problemi tani është që ky e ka bërë këtë punë për interesin e vet, pikërisht për këtë punë, për t’i nxjerrë probleme kundërshtarëve. Në një intervistë të Gjiknurit që dëgjova, ai pohoi dhe tha që “në fund të fundit ne do të bëjmë një kod elektoral për interesat e forcës sonë politike”. Kjo gjë nuk është e ndershme dhe nuk është e mirë. Problemi është që Kodi Zgjedhor duhet bërë për interesat e votuesve shqiptarë dhe jo për interesat e një force politike. Nëse gjithsecili do të shikojë interesat e forcës së vet politike, qeverisja e shqiptarëve do të shkojë ashtu siç u bënë edhe zgjedhjet. Kështu që ne do të jemi gjithmonë të pakënaqur. Kjo do të ndodhte edhe nëse PD-ja do ta bënte këtë punë, pra unë do të thosha të njëjtën gjë. Por fakt që ky ka votat në parlament, ndoshta këtu del në pah edhe ajo që shumëkush, edhe nga shoqëria civile, por edhe nga politikanët qoftë edhe afër së djathtës siç jam edhe unë, kemi thënë që ka qenë shumë e diskutueshme ajo djegia e mandateve sepse ja se çfarë ndodh. Ne sot jemi në dorën e X apo të Y, s’po përmend emra, se çfarë do të bëhet me Kodin Zgjedhor. Dhe këta thonë se “ne bëjmë çfarë të duam në dobi të forcës sonë politike”. Kështu që produkti në fund fare, produkti final, duhet të jetë për votuesit shqiptarë. Unë mendoj që, që të gjithë këta, të majtë e të djathtë, me gabimet e tyre çojnë në dëm të banorëve të Republikës së Shqipërisë qofshin këta të zonave rurale apo të zonave urbane që po jetojnë keq gjatë gjithë kohës dhe po ikin nga Shqipëria.

Do të ishte më mirë që koalicionet të liheshin siç ishin, duke pasur parasysh faktin se kur erdhi PD-ja në Këshillin Politik, sa vonë nisën punimet, se mund të jetë e mirë hapja e listave, por kur ka kaq pak kohë për t’u zbatuar.

-Unë ta argumentova çështjen e koalicioneve. Ajo e Këshillit Politik pastaj, është një komedi më vete sepse ky burri i gjatë, ky i gjati fare 2 metra, me koshiencë, të paktën kështu e shiti në fillim atë punë, pavarësisht se opozita jashtë parlamentit nuk gëzon asnjë të drejtë, për fajin e saj, nuk është në parlament, por për shkak të votuesve të së djathtës ne po e respektojmë dhe po ulemi në një tryezë jashtëparlamentare, jashtë institucioneve, gjithmonë nën presionin pozitiv ndërkombëtar për të gjetur një marrëveshje. Dhe e bëri atë marrëveshje. U duk sikur këtu u tregua d.m.th., në njëfarë mënyre, shumë pozitiv, jo më në interes të forcës së vet politike, por në interes të shqiptarëve. Por çfarë ndodhi? I futi shkelmin me të dyja këmbët asaj marrëveshjeje edhe ndodhi ajo që ndodh gjithmonë. Këta janë njerëz pa burrëri, këta s’duan t’ia dinë. Po të jetë puna për pushtetin e vet, këta s’duan t’ia dinë, asnjëri, sepse ti je tifoz i së majtës, e di unë. Po je more zotëri, edhe të gjithë ju këtu. Ti më thua a gënjen Lul Basha? Unë po të them ty, a gënjen Edi Rama? Është e qartë si drita e diellit që gënjen.

Kjo është pyetje e përgjithshme, për të gjithë. Unë të kam pyetur edhe për zotin Rama.
-Nëse ke ti interes politikisht ose për tifozllëk që të fitojë ky dhe të gëzohesh, problemi është se duhet të gëzohesh si shqiptar. Se po të jetë ideologjikisht, jam më shumë se ty unë. Unë vij majtas, si familje historike majtas.

Po, sigurisht, se ju keni qenë deputet ndërsa unë jo.
-E vërteta është se nuk do t’ia shohim të mirën këtyre lloj zgjedhjeve, sepse do të pjellin gjithmonë sisteme të shtrembëruara, qeveri të shtrembëruara dhe Shqipëria nuk do të gjejë kurrë qetësi. Mos u gëzoni kot.

Jo, ne nuk gëzohemi fare, por ky është faji i kujtdo që merret me politikë në Shqipëri. Edhe ju keni përgjegjësinë tuaj, sepse politikanët në Shqipëri, pasi dalin në opozitë, i harrojnë të gjitha.

Cila është pesha ime specifike, që kam unë? Unë jam një parti alternative, parti e vogël. Cila është?

Keni pasur mandate deputeti zoti Duka?

Kam pasur më 2001-2005, 2013-2017.

Mbani përgjegjësi për kartonin që keni ngritur për çfarëdo lloj ligji që keni votuar?

-Padyshim.

Prandaj pra. Kështu që tifozllëku edhe në qoftë se është nga një gazetar, që në rastin konkret nuk ka lidhje fare, është pa pasoja.

-Ata që kanë drejtuar politikën shqiptare janë emra nominalisht të njohur nga shqiptarët. Mos u kap me Dash Shehin, kapu me Lul Bashën, me Fatos Nanon, me Edi Ramën, me Ilir Metën. S’kam pasur asnjë gjë në dorë unë, e po ta kisha në dorë, kurrë nuk do të bëja nga këto gjëra.

Keni qenë bashkëpunues. Zoti Rama e ka mbajtur nga vota juaj pra, 2013-2017.

-S’kam pasur votë unë, votën e kanë këta që ia dhanë, që të bëjë lloj-lloj shtrembërimi siç i do qejfi atij, edhe ta shkelë marrëveshjen me këmbë, edhe të shkojë të qeverisë siç do ai të qeverisë. Si mund t’i besosh këtij njeriu? Nesër do t’i premtojë shqiptarëve që do të heqë taksat, do të rrisë rrogat, si mund t’i besosh?

Na e thoni ju që keni bashkëpunuar, unë nuk e di si mund t’i besoj.

-Unë kam bahkëpunuar dhe për hir të atij bashkëpunimi që nuk shkoi mirë, unë ika nga ajo parti.

Dhe mund të riktheheni prapë, se politika shqiptare çfarë nuk ka parë.

-Jo, te “Rilindja” nuk besoj. Kurse socialist jam, i majtë jam, nuk trembem unë që ta them këtë, pavarësisht se jam aleat me të djathtët. Ideologjia është tjetër gjë dhe burrëria tjetër gjë. Këtë botë e mbajnë marrëdhëniet burrërore, në biznes, në politikë, kudo.

 A ka burrëri në politikë zoti Duka?

-Ka pra ka, se po s’pati e pëson kështu si po e pësojmë ne. Në shtete si Zvicra, Gjermania, Holanda etj., ka burrëri. Nuk e kanë mendjen të vjedhin vota ata. Ata e kanë mendjen të bëjnë shtet të së drejtës. Prandaj e pësojmë kështu ne. Dhe më tepër se gëzohemi qoftë të majtë apo të djathtë ideologjikisht kur fiton njëra palë apo fiton tjetra. Jo more jo. Duhet të gëzohesh nëse fiton kombi yt, se ke të ardhmen tënde këtu, ti dhe fëmijët e tu.

T’i rikthehemi çështjes ndoshta më serioze për sa i përket problematikës së ditës. A do të kishit dashur të kishit përfaqësues në Këshillin Politik, pavarësisht se thatë që është komedi?

-Ai format është pak i vështirë për të pasur shumë përfaqësues. Natyrisht që do të ishte shumë mirë nëse do të ishim edhe ne. Ne jemi munduar që ato gjëra që thuhen nga ata dy persona që janë përfaqësues të opozitës, të konsultohen para se të shkojnë atje, të konsultohen edhe me grupin e opozitës. Natyrisht që të gjitha këto vendime që po merren, po shkojnë në dëmin e partive të vogla. Dhe nuk është problemi se kjo bëhet thjesht për të përfituar një krah apo një tjetër. Në fund të fundit, këta po shkojnë drejt një polarizimi të pushtetit. Më parë më pyete nëse do të më fusë Lul Basha mua atje. Do të më fusë se nuk ka nga ia mban, se kam vota. 10 543 vota i kam marrë më 2013. Pse të mos i marr edhe sot, kur jam te sigla e partisë sime? Dal më vete dhe i marr këto, se këtë sistem që ka bërë Edi Rama prandaj e ka bërë, që unë të dal më vete, të marr rreth 8 000 jo 10 000 vota, dhe t’i hedh në kosh. Po të dojë le të mos më fusë. Mos kujton ti se këta, si njëri apo tjetri, kushdo që është këtu brenda politikës, janë aq altruistë dhe të të japin atë thjesht për kontributin e kaluar dhe se je burrë i mirë? Jo more jo. Këta korruptojnë çdo gjë në interes të pushtetit të vet. Unë s’kam frikë ta them që, le ta provojë të mos më fusë, gjithnjë nëse unë do të vendos që të futem te lista e tij, sepse akoma s’e kam vendosur. Të shohim, kur të mbarojë Kodi Zgjedhor.

Pra ky është lajmi?

-Po padyshim, çfarë lajmi është ky? Unë dhe miqtë e mi që jemi atje, pavarësisht se po të na shihni nga jashtë ju do të thoni “çfarë partie kanë këta?”, dhe unë kam dëgjuar edhe njerëz që, pa pikë njohjeje, pa e ditur fare realisht sesi është realiteti i një partie politike në Shqipëri, thonë “rraqe”. Si more rraqe? Unë kam një tufë njerëzish atje, kam njerëz me background politik, njerëz që kam lëvizur në të gjithë Shqipërinë.

Zoti Duka ju mund të flisni për partinë tuaj, por një vend si Shqipëria me dy milionë e ca banorë, të ketë 140 parti politike? Mund të ma quani tifozllëk edhe këtë, se është e drejta juaj.

-Të të pyes, në 140 parti, kjo Partia Agrare Ambientaliste është në tregun politik shqiptar apo s’është? Po kush e ka bërë këtë? A përfaqësojnë disa interesat e një shtrese të caktuar?

Ju jeni dakord që në Shqipëri të ketë 140 parti politike?

-Po. Madje kjo rendja për t’i pushkatuar këta që kanë këto lloje mendimesh, është gabim i madh.

Por e dini ju që këto parti marrin nga buxheti i shtetit?

-Asnjë lek.

As në fushata elektorale?

-Asnjë kokërr leku zotëri. 4 vite kam unë si parti, asnjë kafe. Asnjë.

Pra, janë vetëm partitë e mëdha që përfitojnë në fushata elektorale?

-Asnjë lek, me lekët e xhepit e mbajnë veten partitë. Juve ju duket sikur çfarë po bëjmë ne.

Ju duket qytetarëve zoti Duka.

-Mirë pra, nëpërmjet teje po ua them qytetarëve. Kjo jetë kështu është. Rrëmben njëfarë ingranazhi dhe harron, d.m.th. fillon e futet njëfarë konkurrence dhe të duket sikur del prej andej, del i sfiduar. Nuk është vetëm që na mban ndonjë interes i madh në këtë politikë. Kemi edhe këtë lloj interesi, që përfaqësojmë një grup njerëzish që duam t’i nxjerrim në dritë. Por ju, përfshi edhe ty sepse e the, me idenë që t’i pushkatojmë këta, por nuk është nevoja.

Jo t’i pushkatojmë, por nëse janë të panevojshme, sepse janë 140 deputetë nga të cilët mund të flasin vetëm 30 në parlament dhe pjesës tjetër nuk i dëgjohet zëri për 4 vite. Dhe të gjithë këta dalin nga këto forca politike.

-Si mund të thuash ti që 1 000 biznese që merren me një drejtim të caktuar, p.sh. le të themi me prodhimin e vezëve, janë shumë. Është konkurrenca që i selekton këto, të bëhen 2 000 apo të mbeten 200. E njëjta gjë ndodh edhe në politikë. Mund të jenë 100 e ca, por ku janë? Ia mban mend emrat? Sapo të fillosh të mendohesh, do të të kujtohen vetëm 10 parti. Pra, janë selektuar, se kanë dalë në treg. Ju doni se s’bën t’i merrni në shenjë këta, t’i qëroni të gjithë dhe të lini PS, PD, LSI. Por nuk është e vërtetë, nuk është normale që të bëhet. Dhe madje këtë e ka bërë edhe ky për të cilin ti ke simpati, Edi Rama. Me këtë lloj sistemi që ka bërë ky, na ka pushkatuar neve. Më thuaj ti, ku do të shkojmë ne tani? Ose do të bëjmë aventurë dhe do të hyjmë vetëm në zgjedhje. Nuk është ndonjë gjë e keqe që të kesh simpati për Edi Ramën.

  Të lutem, kjo nuk është e vërtetë. Unë këtu bëj pyetje për të gjthë njëlloj.

-Mos ki merak se as nuk iki dhe as nuk fyhem fare.  Unë fyhem vetëm për diçka që s’është e vërtetë dhe ky është dallimi. Është e vërtetë kjo dhe këtë ta garantoj unë. Nga mënyra se si flet, dashje pa dashje, ti ta lë këtë përshtypje. Por s’ka asgjë të keqe, se janë mbi 50% e shqiptarëve që e duan Edi Ramën.

Jo, nuk vihet në pushtet me paragjykime. Unë jam më i ri se ju për t’ju këshilluar, por ky është paragjykim i hapur. Jeni alternativë për të ardhur në pushtet, apo thjesht kërkohet rotacion si opozitë?

-Unë them të dyja, edhe rotacion edhe alternativë, por edhe votë kundër, se edhe Zoti, kur e ka bërë vitin, e ka bërë me 4 stinë, pra ikën pranvera, vjen vera, vjen vjeshta, vjen dimri. Ky do që të mbajë vetëm një stinë. Kaluan 8 vite.

Pra do të shkojmë në dimër?

-Nuk i dihet, mund të shkojmë edhe në ndonjë stinë tjetër. Por edhe dimri nuk është i keq, ka edhe ai anët e veta pozitive. Këtë nuk e thashë që të bëjmë lojë fjalësh, por e thashë që rotacioni është gjë natyrale, gjë që e ka sjellë Zoti, e ka sjellë natyra. Këtë desha të them me këto fjalë, jo të krahasoja stinët mes tyre. E mira është që të ketë ndryshime, se ai që vjen, vjen me energji të reja. Nuk mund të vijnë më të njëjtët ministria, ashtu siç e pësoi qeveria e PD-së në mandatin e dytë, të njëjtët ministra të njëjtët drejtorë. Ky bën edhe këto lojëra që i bën fshesë drejtorëve para zgjedhjeve që të japë një imazh që shiko se ç’bëhet, t’i hedhë ca kocka njerëzve se e di që njerëzit i kanë qejf këto, do të ikë njëri që ka ngrënë më shumë dhe do të vijë një tjetër, vjen ndonjë që është pak më shumë militant partie. Nuk po lë gjë pa bërë. Zoti ia bëftë mbarë, se edhe po fitoi mua s’do më gjejë gjë. Por po them që nuk do të jetë mirë për të gjithë Shqipërinë. Ky çdo gjë, çdo lloj lëvizjeje e vë në funksion të pushtetit të vet. Ky është gabim i madh sepse kjo do të sjellë negativitet për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjithë ekonominë shqiptare.

Të flasim pak edhe për draftin e propozuar nga PS-ja për hapjen e listave, pra nëse ke më shumë vota se partia dhe nuk je renditur në listë, nuk shpallesh fitues.

-Budallallëk i madh, s’ka më shumë budallallëk, sepse po të jetë puna që unë arrij të marr në Durrës 10 000 vota, të mund atë që është i 5-ti p.sh., se ta zëmë që merr PD-ja 5 deputetë në bazë të numrit të votave që merr, dhe ky që është jashtë liste merr 10 000, nuk ka nevojë fare të dalë tek ajo lista ai, me 10 000 del vetëm. Sepse edhe Partia Agrare Ambientaliste në qoftë se merr mesatarisht 10 000 vota nxjerr 1 deputet. E pse duhet të hyjë aty unë, të konkurroj me ata? Nuk ka për të ndodhur asnjë rast, d.m.th. asnjë rast, as edhe vetëm një nuk ka për të ndodhur që këta që janë jashtë kësaj liste do të hyjnë këtu. Madje, ai sistemi që ishte me lista të mbyllura, është më i mirë, sepse të paktën ishte i mbyllur dhe shitej si i mbyllur, por ky është i hapur dhe shitet si i mbyllur. Ky është mashtrim.

Të flasim edhe për koalicionin opozitar.

-Është bërë lëmsh, çfarë të bësh me koalicionin opozitar. Tani duhet të presim që të mbarojë Kodi Zgjedhor, të ulen këta ustallarët që merren me llogari matematike, jo më llogari idesh, se s’ka më, ku të lë ai të bësh llogari, s’ka fare, se çfarë përfaqëson PAA-ja, ku të lë ai? Në qoftë se ai të linte, unë duhej të garoja me 140 veta. Por s’kam mundësi. Të dal më vete? Por s’kam komisionerë, s’kam numërues, bëj armik këtë e atë. Ata të bëjnë sanduiç. Çfarë do të nxjerr? Megjithatë duhet menduar edhe ajo. Nuk e di. Çdo gjë që ka bërë, e ka bërë vetëm për leverdinë e vetes së vet dhe në dëm të partive të vogla. Sa për atë historinë pastaj, që këta kanë atë marrëveshjen me njëri-tjetrin, unë nuk e besoj sepse nuk i hyj këtyre teorive konspirative.

 Historia ka treguar që nuk janë fare teori konspirative, por ju keni mendimin tuaj.

-Unë di atë që kanë bërë në dritën e diellit. Kështu fshehurazi nuk kanë bërë ndonjëherë, por nëse e kanë bërë.

Kur thoni në dritën e diellit, e keni fjalën për 17 majin?

-Kam qenë vetë aty. U bashkuan, shkuan atje, bënë marrëveshje dhe ikën.

 E dini që zoti Zguri që ishte pjesë e asaj marrëveshjeje, e dha dorëheqjen vetëm para një jave apo për ju kjo nuk përbën detaj?

-Unë e kam mik dhe kjo përbën detaj, se e kam shok. Ai është njeri me kontribute dhe me integritet. Madje unë jam munduar që të jap kontributin tim ose të bëj presion pozitiv që Klement Zguri të jetë pjesë e KQZ-së së re, të këtij formati të ri.

Si rregullator besoj, jo si kryetar.

-Si kryetar nuk bëhet më fjalë.

Kolegia Migena Sotiri do t’ju bëjë një pyetje që besoj se do t’ju pëlqejë, pasi Migena është më e pavarur se unë.

Zoti Duka, ju keni gjithmonë përfaqësues i Qarkut të Durrësit në Kuvendin e Shqipërisë, si ligjvënës dhe jo vetëm, por gjithashtu edhe në pozicionet që keni mbajtur. Vitin e ardhshëm elektoral shikojmë një garë shumë të fortë. Mes liderëve kryesorë të partive është konfirmuar zoti Rama dhe zoti Basha në sheshbetejën që kanë zgjedhur për Durrësin. Pretendohet edhe zonja Kryemadhi, por edhe ju do të jeni një kandidat. Si e gjykoni, pse është zgjedhur Durrësi si një arenë e fortë ndërmjet liderëve?

-Zoti Rama e ka konfirmuar. Për zotin Basha nuk e di që të ketë konfirmuar se do të kandidojë në Durrës.

Ka informacione.

-Sa për informacione, nuk e di. Unë kam biseda direkte me të dhe nuk më ka pohuar kandidim në Durrës. Madje, besoj që nuk do të jetë mirë, se duket sikur do të bëjmë ndonjë luftë demash atj. Ajo zonë ndoshta zgjidhet nga Rama taktikisht dhe logjikisht dhe unë mendoj që ka bërë mirë, sepse është një zonë që u përfol shumë në zgjedhjet e kaluara. Është zonë që pati probleme me tërmetin dhe ka disa fonde për rindërtim. Kështu që me ardhjen e tij, ai mundohet që të rregullojë të gjitha fijet sepse natyrisht që u prish pak rregulli me daljen e Dakos nga loja. Tashmë Dako doli nga loja. A do të jetë aktiv në fushatën e ardhshme apo jo, nuk e di. Por të jesh e sigurt se, nëse Rama nuk do të shkonte atje, ai nuk do të ishte aktiv. Kjo është natyra njerëzore, apo jo. Por me ardhjen e Ramës atje, ai mundohet që gjithsesi t’i lidhë këto fije. Pastaj marrja e mandateve në Durrës, d.m.th. 8 mandate herën e kaluar dhe përgojimi i këtyre mandateve nga opozita, duke gjetur përkrahjen ndoshta edhe në disa sfera të ndërkombëtarëve, e bënë Ramën që të lëshojë të gjitha bateritë e veta, në mënyrë që të konfirmojë që “ja, shiko, ne arritëm një rezultat, ndoshta jo 8, por një rezultat ndoshta maksimal”.

Përbën problem për ju ndoshta personalisht garimi i tyre?

-Personalisht, absolutisht fare. Unë nuk kam asgjë personale me askënd nga ata. Frikë nuk kam asnjeri. Dhe unë e them me plot bindjen.

Në pozicionin që mund të keni në këtë garë.

-Nëse unë do të dal me listën e PD-së, që ka shumë gjasa, është një listë e mbyllur, në qoftë se do të jetë ky draft. Nëse do të dalim me koalicionet klasike sepse ky draft mund të rrëzohet, unë kam besim që do të fitoj sepse edhe logjika më thotë se, përderisa mora 10 543 vota në vitin 2013 nuk kam pse të mos i marr edhe tani që kam një sigël të partisë sime.

Por në Durrës ka rënë numri i banorëve.

-Por do të bjerë edhe numri i votave që kërkohen.

Por edhe PAA-ja është zhvilluar si forcë politike.

-Natyrisht, besoj se po. Besoj se ne kemi aq kredibilitet atje që do të mund të dalim me deputetë. Nëse s’dalim nuk bëhet kiameti. Por do të ishte shumë, shumë mirë që të konkurronim, dhe këtë jua them me shumë sinqeritet, me siglën tonë të Partisë Agrare Ambientaliste, në koalicion me këta. Ky lloj formati nuk na lejon. Megjithatë do t’i shohim mundësitë.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fshatarvpa tok e pa lope: 24/09/2020 15:35

    Fshatar pa toke e pa lope po shyqyer kemi kete RROTE

    Përgjigju
  • gjethja e thete e fikut: 24/09/2020 08:50

    Ca kerkojne keta kodoshe te krijojne parti dhe te marin leke nga taksapaguesit, populli nuk eshte budall e kupton qe kryetaret e te ashtuquajtura particka dhe partite e medha punojne vetem per vehten e tyre. Ka 1 vit qe nga termeti dhe pandemia qe partite diskutojne vetem per kushtetuten dhe kodin zgjedhor, pra per vehten e tyre dhe si do te jene deputete perseri, qe te rruajne placken e vjedhur, dhe asnje gje per ekonomine per rritjen e te ardhurave publike, mbrojtjen e popullit dhe mireqenien kombetare. Ja pra keto jane partite shqiptare qe po na marrin edhe frymen. Duhet vetem nje permbysje e madhe dhe te zhduken nga faqja e dheut sala, rama, lulushi, ilir florini kokl...qja, monika silikoni dhe gjithe kepushat e tjera.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja