Intervista e Veliajt ne aktivitetin e
organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtise‏

Cila do të ishte strategjia juaj për zhvillimin ekonomik në Tiranë, ose cilat do të ishin dy nismat tuaja prioritare për të tërhequr biznese dhe investime në kryeqytet?
Erion Veliaj: Sigurisht që situata ideale do të donte që të kishim një debat. Ndaj më vjen keq që nuk u realizua në formë debati, por shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme ne të kemi një debat të stilit amerikan, që dhoma Amerikane e Tregtisë e ka promovuar si një strategji komunikimi shumë të mirë me publikun. Për t’u kthyer te pyetja juaj, besoj se ka disa gjëra që Bashkia mund të bëjë për sa i përket zhvillimit ekonomik. Kemi disa përvoja shumë të suksesshme në hapjen e vendeve të reja të punës, duke përdorur fondin e nxitjes së punësimit nga qeveria. Kemi provuar se kur biznesi incentivohet me pagesë “kesh” për 12 muaj sigurime shoqërore, për 4 paga bazë, ka interes të shtojë punësimin. Kjo është një traditë që duam ta vazhdojmë edhe në Bashkinë e Tiranës. Duam gjithashtu, të përshtasim në nivel lokal një strategji që po funksionon për qeverinë në nivel kombëtar, që është Këshilli Ekonomik Kombëtar. Ne duhet të kemi një Këshill Ekonomik të Tiranës. Unë e di që në kohë fushate të gjithë flasin miqësisht për çdo kategori nga e cila përpiqen të marrin vota. Na rezulton se në mungesë të një strukture permanente konsulence, i bie që konsulta e radhës me biznesin të jetë pas 4 vitesh. Ne e ndryshuam këtë praktikë në qeveri.
Për një vit e gjysmë pata privilegjin që të drejtoj këshillin Kombëtar të Punës, një strukturë permanente që mblidhej periodikisht për t’u konsultuar me qeverinë për vendimmarrje shumë të rëndësishme, siç ishte reforma e pensioneve, reforma e arsimit profesional, reforma e shërbimeve sociale, reforma e tregut të punës dhe e zyrave të punës. Na rezultoi që këto dy nisma të suksesshme, si Fondi i Nxitjes së Punësimit dhe Këshilli Kombëtar i Punës, janë ideale për t’u pilotuar edhe në nivel lokal, si Fondi i Nxitjes së Punësimit për Bashkinë e Tiranës dhe Këshilli Ekonomik i Bashkisë Tiranë, si një strukturë permanente ku biznesi jep imput se si bashkia mund të zhvillohet.
Momentalisht për Tiranën ne kemi vetëm një plan zhvillimi urban. Pra, praktisht e thënë në një gjuhë shumë të thjeshtë, kemi vetëm përcaktimin e zonave ku investitorët të bëjnë ndërtime dhe pallate. Ky nuk është një plan zhvillimi, ky është vetëm një pjesë e zhvillimit. Zhvillimi nënkupton një plan ekonomik, një plan social dhe besoj shumë shpejt, ndoshta brenda 300 ditëve të para, Tirana do të ketë një plan të mirëfilltë zhvillimi, ku pjesa e urbanistikës është një element i tij. Pjesët e tjera social-kulturor-ekonomike, janë elementët e tjerë për të pasur më në fund një plan zhvillimit të Tiranës.
 
A ka problem në marrëdhëniet mes qeverisë lokale dhe qeverisë qendrore? Dhe nëse ka pengesa ligjore që duhen rregulluar, ju si kryetar i Bashkisë së Tiranës çfarë mund të bëni për ta bërë atë më mikpritëse për biznesin?
Presupozoni sikur ju jeni përfaqësues i “Mariott” apo “Hilton” dhe vini në Tiranë dhe shikoni se 871 rrugë të kryeqytetit brenda unazës janë të amortizuara. Vini në Tiranë dhe zbuloni se mungojnë 360 puseta; se në 176 rrugë ndriçimi nuk ekziston pas orës 19.00. Vini në Tiranë dhe shikoni pirgjet e plehrave të pa mbledhura, se si territore të tëra në sheshet kryesore të Tiranës janë pushtuar nga kafshët e rrugës. Vini në Tiranë dhe shikoni se si shërbehet ushqim buzë kanalizimeve dhe buzë pusetave. A ju duket ky një qytet me të cilin, ju si përfaqësues i një multinacionale, do donit të identifikonit logon tuaj?
Unë besoj se, së pari, përpara se të gjejmë fajin diku tjetër, dikush duhet të ketë pronë shërbimet e qytetit dhe kjo i takon bashkisë. Pra, bashkia fillimisht duhet të sjellë qytetin në një situatë normale, në një qytet të pranueshëm sepse çdo përfaqësues i një multinacionale është shumë fanatik për të ruajtur logon e vet të pastër. Një logo e caktuar nuk mund të trajtohet me dinjitet në një qytet i cili nuk ofron shërbimet minimale. Kjo është detyra e parë që duhet të bëjë bashkia.
Plani ynë për 300 ditët e para është të kthejmë në normalitet shërbimet jetike për qytetit, për t’u siguruar që pamja e parë që shikon një i huaj të mos jenë pirgjet me plehra dhe minjtë aty ku shërbehet ushqim për njerëzit, por një pamje e një qyteti modest në të ardhurat e veta. Tirana sot nuk është metropol i një vendi të zhvilluar, por të pastër mund të jemi, të rregullt mund të jemi, një trafik më të mirë mund ta kemi, ndriçim mund të kemi, qytetin mund ta pastrojmë. Kjo është detyra e parë.
Detyra e dytë është që bashkia, ashtu siç po bën qeveria, të marrë gjithë indeksin e të bërit biznes dhe të shohë ku janë elementët ku Bashkia mund të përmisojë. Në qoftë se sot shikoni ku paguhen taksat e bashkisë, do shikoni bizneset që shtyhen në radhë dhe duhet të fusin mik një polic bashkiak për të paguar detyrimet. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Biznesi duhet të pritet krahë hapur kur vjen për të paguar detyrimet. Madje s’duhet të vijë fare në zyrë që të shtyhet për të paguar detyrimet, pasi mund ta bëjë fare mirë online. Ndaj dhe një multinacionale në një qytet me këtë standard të shërbimeve bazike apo me një barrierë konstante edhe fizike për të paguar detyrimet dhe për të qenë në rregull me shtetin, nuk gjen një ambient të shëndetshëm në Tiranë.
Megjithatë, besoj se nëse bashkia arrin t’i ulë këto barriera, arrin që të modernizojë shërbimet dhe të kthejë në normalitet brenda 300 ditëve të para qytetin për sa i përket këtyre shërbimeve bazë, mund ta kthejmë Tiranën sërish në një vend tërheqës. Sepse besoj që deri në vitin 2011 s’e kishim këtë problem, kishim një Sheraton që vinte në Tiranë, kishim kompani të tjera. Do të thotë që ne e mbajmë mend edhe qytetin e administruar mirë, kur për disa banalitete të kësaj natyre nuk pengoheshin kompanitë që të investonin në Tiranë. Dhe duam t’i kthejmë qytetit atë lavdi që e humbi në vitin 2011.
 
A mendoni se partneriteti publik-privat është një mundësi që duhet shfrytëzuar sepse krijon më shumë vende pune, ofron më shumë shërbime publike të përmirësuara? A do ta mbështesni këtë partneritet në mënyrë që Tiranës t’i ofrojmë më shumë mundësi dhe cilat do ishin dy mundësi ose dy shembuj të këtij partneriteti që ju do donit të theksonit ose do donit të realizoheshin në kryeqytet?
Erion Veliaj: Në një vit e gjysmë në drejtim të MMSR pilotuam me shumë sukses disa partneritete publik-private, sidomos në ofrimin e shërbimeve sociale, shtëpitë për të moshuarit, menaxhimi i zyrave të punës, ku shumë kompani private po bashkërendojnë dhe po marrin një pjesë të barrës të ndërmjetësimit për punësim dhe besoj se kemi një përvojë shumë të mirë. Disa fusha ku unë shoh potencial për të pasur partneritet publik-privat janë parkimet. Me të vërtetë ne do të respektojmë moratoriumin e qeverisë për të ndaluar ndërtimet për së larti, por do të shikojmë me prioritet ata që duan ta zhvillojnë pronën e tyre për së poshti, pra për parkime nëntokësore, që nuk pengojnë dhe që nuk zënë hapësira dhe territore, por që në mënyrë estetike përdorin të gjithë hapësirën nëntokësore për parkime. Besoj se do të fuqizojmë shumë projekte të tilla. Kështu që kushdo sipërmarrës në fushën e parkimit i bën nder qytetit, ndaj edhe kërkohet partneritet publik privat në fushën e parkimeve.
Në fushën e grumbullimit të produkteve bujqësore, Tirana sot është një qytet prej afro 1 milionë banorë, ka 24 njësi, 13 prej tyre janë komuna, 185 fshatra. Ne momentalisht kemi vetëm një pikë grumbullimi në partneritet publik-privat. Mendoj se mund të kemi një tjetër në hyrje të Dajtit, ku vjen gjithë produkti nga zona e Zallbastarit, e Shëngjergjit dhe e Dajtit, një tjetër nga zona e Sauk-Lundrës, ku vjen i gjithë prodhimi nga Petrela, Bërzhita, Baldushku, Krraba dhe Farka. Dhe një në zonën e Kombinatit, ku vjen i gjithë prodhimi nga Ndroqi, Vaqarri dhe Peza. Shoh shumë potencial dhe shoh shumë interes për partneritet publik-privat edhe në këtë çështje.
Patëm një diskutim në javën që kaloi dhe besoj që disa shërbime të tjera të bashkisë, siç është ndriçimi publik mund të jetë partneritet publik-privat. Sot ka shumë kompani që ofrojnë një teknologji led, e cila kursen shpenzimet, i kursen bashkisë faturën e energjisë që shpenzon, kemi një qytet më të ndriçuar, dhe kjo është një formulë fituese, pra ku të dyja palët dalin të fituara. Kemi pasur një partneritet publik-privat në kohën e ministrisë edhe në disa shërbime të tjera, pra në mënyrën se si paguhen pensionet, kemi prishur monopolin e një kompanie shtetërore që ka qenë Posta e Shqipërisë dhe shumë ofertues privat po e bëjnë me një kosto më të ulët edhe për shtetin, edhe për qytetarin që merr pensionin. Ndaj dhe besoj se i kemi dhënë provat se dimë të menaxhojmë me sukses dhe me transparencë partneritetet publike-private. Këto ishin 2-3 shembujt që besoj se mund t’i aplikojmë në Bashkinë e Tiranës.
 
Po kalojmë në një çështje tjetër, ajo që lidhet me taksat. Cilat janë zërat e fuqishëm që do të rrisnin apo do të siguronin të ardhurat e bashkisë, pasi realisht të ardhurat nga taksat nga biznesit të vogël kanë rënë ndjeshëm?
Erion Veliaj: Keni shumë të drejtë. Bashkia, ashtu si dhe bizneset që janë përfaqësuar këtu, është në thelb një sipërmarrje. Dhe si një sipërmarrje, nuk mund të dalë me humbje se ndryshe falimenton. Secili prej sipërmarrësve këtu, nëse ka më shumë shpenzime se sa të ardhura, nuk vazhdon dot më të operojë. Sot kemi një bashki e cila nuk realizon dot të ardhurat e veta. Meqë përmendëm parkimin, të ardhurat nga parkimet që menaxhon qyteti i Tiranës realizohen në vlerën 5%. Kurse 95% nuk mblidhen. Pra, bashkia ka falimentuar misionin e saj të parë të mbledhjes së të ardhurave. Ndërkohë që e merr grantin 100% të pakushtëzuar nga qeveria, por pjesën tjetër meqenëse është bashkia më e madhe në vend duhet ta ngrejë vetë, 5% realizon. Akoma më keq është realizimi i taksës së pronës.
Unë gjykoj se një bashki, së pari, duhet të fillojë të mbledhë të ardhurat e veta. I dëgjoj diskutimet, për mendimin tim populiste, do ulim këtë e do ulim atë. Së pari, lind pyetja pse nuk i ulni tani? Parafolësi dhe kryetari i PD-së e menaxhojnë tani bashkinë, mund t’i ulin tani, por e di pse nuk i ulin? Se tashmë janë shumë keq me realizimin e të ardhurave. Më rezulton se qytetarët nuk ankohen për nivel të lartë të lartë taksash, për 450 lekëshin e pastrimit, por ankohen për padrejtësinë që disa njerëz e paguajnë dhe disa të tjerë nuk e paguajnë, disa trajtohen si të nënës dhe disa si të njerkës, kjo është padrejtësi. Është padrejtësi për qytetarët dhe për bashkinë, e cila nuk arrin dot të mbledhë të ardhurat. Gjykoj që në çështjet, siç janë taksat, që kanë të bëjnë me pronën, bashkia mund të bëjë një punë shumë herë më të madhe. Sigurisht, unë jam i majtë, unë besoj tek taksimi progresiv. Unë besoj se një njeri që jeton në Shkozë apo në Kombinat, nuk mund të ketë, siç e ka sot, të njëjtën tarifë për taksën e pronës si dikush që jeton në Bllok, ose në një zonë rezidenciale, ose në 500 metra katrorë banim. Ndaj dhe besoj se taksimi progresiv duhet të jetë një koncept edhe për bashkinë, ku ata që janë më në periferi, sigurisht që duhet të paguajnë një taksë më të ulët se sa ata që janë në qendër.
Fillimisht, bashkia duhet të fillojë të mbledhë të ardhurat. Sa për një shembull, defiçiti i mbledhjes së të ardhurave të bashkisë për vitin që kaloi ka qenë 30 milionë dollarë. Të kujtoj se buxheti i bashkisë është diçka më shumë se 70 milionë dollarë. Do të thotë se thuajse gjysma është e pambledhur. E përkthyer në investime, është e barabartë në 30 shkolla, ose 60 kopshte, ose 70 çerdhe. Kjo do të thotë që bashkia si prokurues numër 2 i punëve publike, pas qeverisë qendrore, ka një potencial shumë të madh për zhvillimin. Ju bëtë pyetjen e parë se si do të punësohen njerëzit, por një ide kam unë, që bashkia të bëjë investimet e veta. Duke bërë investimet dhe duke kontraktuar punët, sigurisht që rrit punësimin te të gjithë kontraktorët dhe nënkontraktorët. Vetëm fondi i shkollave, kopshteve dhe çerdheve, për këtë vit ka qenë 16 milion euro, është shpenzuar vetëm 1.6%. Me këtë ritëm, bashkisë i duhen 66 vjet që të bëjë punën e një viti dhe ju pyesni pse s’vijnë kompanitë në Tiranë. Besoj se na duhet një bashki e zhdërvjellët që realizon të ardhura dhe investime.
 
Zoti Veliaj, bashkia e re e Tiranës ka përpara një sfidë, siç është ajo e territorit. Për herë të parë ajo zmadhohet ndjeshëm, zmadhohet në sipërfaqe, zmadhohet në popullsi. 13 komuna do të bëhen pjesë e saj, shtohen komuna rurale si ajo e Shëngjergjit apo e Krrabës. Si kryetar i Bashkisë, ju si do t’i siguroni qytetarët se ata do të kenë një akses të njëjtë, se bashkia do të ketë vëmendje të njëjtë si në qendër edhe periferi, se ata do të përfitojnë nga shërbimet e përmirësuara, se do të jenë të përfshirë në procesin e vendimmarrjes. Çfarë hapash do të ndërmerrni që edhe në këto zona të ketë aktivitet ekonomik?
Erion Veliaj: Së pari, unë me të vërtetë jam i ri në moshë, por nuk jam i ri në administrimin e një territori dhe ofrimit të shërbimeve në të gjitha skajet e Shqipërisë. Në një vit e gjysmë menaxhuam me transparencë, madje shkurtuam ndjeshëm deficitin e shumë skemave kombëtare, si ajo e asistencës sociale, e personave me aftësi të kufizuar dhe pensioneve. Për herë të parë kemi pasur një buxhet që është kursyer në mënyrë të ndjeshme. Ju kujtoj se vetëm me skemën e pensioneve kursyem 100 milionë dollarë dhe nga mënyra më e mirë e mbledhjes së të ardhurave. Do të thotë se pata privilegjin t’i shërbej qeverisë time dhe kombit tim në një territor ku asnjë ditë nuk u vonua ndihma ekonomike, as në Malësi të Madhe, as në Gjirokastër. Ne kemi pasur 36 degë të Zyrave të Punës, 12 prej tyre janë sot me modelin e ri modern, 46 agjenci të pensioneve, 36 zyra të Shërbimit Social, një mori institucionesh rezidenciale, shtëpi për të moshuarit apo shtëpi për foshnjet, 12 Qendra të Formimit Profesional, 12 Agjenci Kombëtare të Inspektoratit të Punës. Besoj se kam treguar që në një popullatë që merrte shërbimin nga Ministria e Mirëqenies Sociale për 1 milionë banorë nuk është vonuar asnjë ditë pensioni. Nëse është vonuar, apo dikush ka abuzuar edhe në fshatin më periferik të bregut të lumit të Vlorës dikush është penalizuar se s’ka ofruar shërbimin në nivelin kapilar, ashtu siç është rekomanduar nga ministria në nivel qendror. Do të thotë se e di fare e mirë për çfarë po flasim. E di se si ofrohen shërbimet në nivel kapilar dhe Tirana sot është sfidë, por jo aq e madhe sa ishte ministria për të ofruar këto shërbime dhe pagesat në të gjitha cepat e Shqipërisë.
Procesi është shumë i qartë. Pas zgjedhjeve, kryetari i bashkisë cakton 24 administratorë. Besoj se kam dëshmuar që nuk prirem të shikoj njerëzit nga bindjet politike. Ju kujtoj punën që kemi bërë me të përndjekurit, me hapjen dosjeve dhe shumë çështje kritike. Prirem të punoj me menaxherë të mirë. Fati kësaj here është që kryetari i bashkisë zgjidhet, punon me menaxherë të cilët i emëron ose i shkarkon në bazë të performancës së tyre. Ashtu siç arritëm të ngrinim performancën në një ministri që ishte bishti i kavallit dhe për të cilën askush nuk i binte në mend, as nuk e dinte me çfarë merrej, gjykoj se do të sjellim në të njëjtin standard dhe të njëjtin nivel Bashkinë e Tiranës që ka katër vjet që fle gjumë me gërrhima.

Në të vërtetë, ju folët shumë për çështjet e punësimit dhe me të vërtetë punët krijohen kur një qytet ndërtohet mbi avantazhe konkurruese, ku mbështet zhvillimi i industrive të ndryshme, telekomunikacion, art, turizëm, prodhim. Çfarë avantazhesh konkurruese ka sipas jush Tirana dhe çfarë industrish ju shikoni si të mundshme për t’u zhvilluar në kryeqytet. Çfarë veprimesh do të ndërmerrni ju për t’i mbështetur këto industri, sepse jeni përpara një fakti ku 40% e ndërmarrjeve në Tiranë janë në fushën e tregtisë, vetëm 7% e totalit totalit të tyre ofrojnë më shumë se katër të punësuar. Si do të mund të orientohet kalimi i kësaj ekonomike nga një biznes i vogël drejt një ekonomie më të qëndrueshme?
Erion Veliaj: Do të fokusohemi në disa hapësira që besoj se meritojnë muskulin dhe fuqinë e bashkisë për t’u shtyrë përpara në çështje të ekonomisë dhe biznesit. Së pari, industria e lehtë. Tirana ka një zonë industriale, është zona e Kasharit. Po mundohemi të fuqizojmë zonën industriale në zonën e Vaqarrit, ku kemi më shumë hapësira për kapanone dhe prodhim. Vetëm së fundmi kemi pasur një kompani tjetër gjermane, që falë lobimit të qeverisë do të zhvendoset në atë zonë. Janë rreth 400 të punësuar, kryesisht me arsim profesional të elektroteknikës, një kompani e cila bën paketat elektrike për makinat gjermane. Besoj se kjo industri e lehtë ka potencial në Shqipëri, ka potencial në Tiranë, në rrethinat e Tiranës. Duam gjithashtu që të kemi një zonë të tretë industriale që është në dalje të Rrugës së Arbrit nga rruga e Dibrës. Në çdo hyrje – dalje kryesore të Tiranës të kemi edhe një fuqizim të biznesit, një rritje të vlerës së pronës dhe një shtim të punësimit. Ndaj duam që të mos të jetë vetëm Kashari monopol i industrisë së lehtë, por të hapim edhe dy zona të tjera të cilat mund të konkurrojnë për vende pune dhe incentiva që do të forcojmë në këto zona.
Shoh një potencial të jashtëzakonshëm për bujqësinë. Me kolegët kemi qenë disa herë në komunat që i afrohen Tiranës. Komuna si Ndroqi, Vaqarri, Peza, Baldushku, Bërzhita, Shëngjergji ku prodhohet domatja e vonë dhe të tjera, kanë shumë potencial për bujqësi. Momentalisht sot në një tokë të fragmentarizuar, ne nuk jemi 100% as tregtar dhe as fermerë, se ai që punon tokën, ai bëhet vetë edhe tregtar. Pikat e grumbullimit që kemi propozuar do të ndihmojnë që bujqësia të fuqizohet me një kosto më të ulët. Duam të inkurajojmë për herë të parë një bashkim dhe një kooperim, jo kooperativat e stilit të vjetër, por kooperativat kapitaliste ku bashkohen tokat dhe burimet e mekanizuara për të rritur efiçencën e prodhimit dhe për të siguruar që jemi më konkurrues në treg.
Shoh një potencial shumë të jashtëzakonshëm për sa i përket turizmit. Ne sot kemi një turizëm naiv në Tiranë. Gjykoj se Tirana me pajën që merr nga 13 komunat, ku janë 100 liqenet, 13 kala, besoj se meritojnë një shtysë më të madhe dhe të gjithë energjinë e bashkisë për ta promovuar Tiranën. Ju kujtoj se kam përvojë me këtë, bëmë shumë për Gjirokastrën dhe e kthyem në qendër të vëmendjes publike një vend, një perlë të Shqipërisë, ku shumë njerëz nuk kishin qenë ndonjëherë në jetën e tyre. Është provë që mund ta bëjmë këtë për Tiranën.
Por, mbi të gjitha, Tirana ka nevojë për një kryetar bashkie që shkon në punë dhe jo tek partia. Një kryetar bashkie që i rrin punës tek koka. Unë besoj se Shqipëria është ende një vend, në dallim nga SHBA, ku institucionet janë të stabilizuara, kanë inerci dhe njeriu sillet si institucioni ku punon, ndërsa në Shqipëri prej përvojës modeste në demokraci institucioni sillet si njeriu që e drejton. Kur njeriu që e drejton nuk është aty ta drejtojë dhe është tërë kohën i angazhuar me punë të tjera, me politikë apo ambicie të tjera, jo me ambicien për t’i shërbyer qytetit, unë besoj se ky është fillimi i një pune të re në bashki. Ndaj dhe jam këtu për të thënë që jam i përkushtuar që të jem 24 orë, 7 ditë të javës, në krye të detyrës dhe me të njëjtin përkushtim se si stabilizuam shumë skema të dala jashtë kontrollit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe se si sollëm një revolucion të shërbimit publik në një fushë që ishte deri dje e falimentuar, do të bëjmë të njëjtën gjë në Bashkinë e Tiranës.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT