Intervista/ Edita Tahiri: Duhet 
një marrëveshje ndërpartiake

Intervista/ Edita Tahiri: Duhet <br />një marrëveshje ndërpartiake
TIRANË - Kriza politike që po mban gjatë peng Kosovën, për Ministren për Dialog, Edita Tahiri, mund të kalohet vetëm përmes një marrëveshjeje të brendshme mes palëve politike. Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ajo shprehet se kjo klimë është zhgënjyese për qytetarët kosovarë, dhe po ashtu, po e dëmton Kosovën në arenën ndërkombëtare. E pyetur nëse do të jetë ajo pasuesja e Hashim Thaçit në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm, pas largimit të tij drejt karriges së Presidentit, Tahiri shprehet se nuk do të jetë ajo.

Znj. Tahiri, Kosova po kalon ditë të vështira ku dhuna ka dominuar edhe brenda Kuvendit. A është kjo Kosova për të cilën qytetarët luftuan?
Lufta e jonë për liri dhe pavarësi ka qenë një ideal kombëtar i shumë brezave sepse ne shqiptarët këndej kufirit asnjëherë nuk u pajtuam me ndarjen e padrejtë të kombit shqiptar dhe tokave shqiptare në fillimit të shekullit njëzetë. Pavarësia e Kosovës ishte projekti ynë politikë si një zgjidhje optimale dhe si një korrigjim i pjesshëm i padrejtësisë ndaj kombit shqiptarë.

Që nga 1999 e fituam luftën dhe mposhtëm pushtuesin serb, që ishte një fitore shekullore, e përbashkët e popullit të Kosovës dhe aleatëve perëndimor në krye me SHBA-të. Kur kemi parasysh faktin se zhvilluam një luftë e sakrificë sublime njëqindvjeçare për pavarësinë e Kosovës, dhe ëndrrën tonë e bëmë realitet, mendoj se do të duhej të ishim më të përgjegjshëm në raport me shtetin tonë të ri. E gjithë mendja, shpirti dhe kapacitetet tona duhet të investohen për ndërtimin e një shteti demokratik dhe ligjërisht funksional të integruar në strukturat euro-atlantike. Në asnjë rast nuk do të duhej të krijonim hapësirë për çfarëdo veprimesh që cenojnë zhvillimin dhe imazhin demokratik të shtetit tonë.

Në demokraci shprehja e lirë e mendimit përfshirë protestat janë një mjet demokratik, mirëpo dhuna e përdorur nga opozita brenda dhe jashtë parlamentit nuk mund të justifikohet. Shpresoj se opozita në Kosovë do të heqë dorë nga dhuna dhe ndjek rrugët demokratike për të shprehur mospajtimet. Kosova duhet të kursehet nga importi i modeleve negative të reagimeve opozitare sepse është një shtet i ri, i duhet forcimi.

A jeni ju e zhgënjyer nga klasa politike? A e kishit parafytyruar këtë situatë kolapsi kur për një kohë të gjatë u fshehët nëpër bodrume në kohën e luftës për të shpëtuar nga përndjekja serbe?
Pyetje me vend. Edhe pse si politikane me përvojë të gjatë nuk preferoj të them kur nuk do të besoja, megjithatë vërtet jam e befasuar dhe zhgënjyer me këto zhvillime, aq më shumë që ende nuk kemi arritur njohjen e plotë dhe jemi të ndërgjegjshëm se një Kosovë stabile dhe e prosperuar mund te sjellë më shumë njohje ndërkombëtare.

Për më shumë, Kosova ka ende armiq që nuk e dëshirojnë prosperitetin e saj, prandaj nxitja e krizave të brendshme mbase mund të shkoj në favorin e të tillëve. Një makiavelizëm i zhdrejtë ishte kjo që pamë dhe përjetuam në Kosovës, sepse mendoj se as Makiaveli nuk do të rekomandonte që qëllimi arsyeton mjetet në rastet e shteteve të reja e të brishta siç është Kosova.

Pse është kaq e pamundur të gjendet gjuha e dialogut mes palëve politike?
Demokracia dhe vlera e sistemeve demokratike bazohet në besimin qytetarë të shprehur nëpërmjet të votës së lirë. Mendoj se në Kosovë partitë opozitare kanë humbur durimin duke qenë gjatë në opozitë. Mirëpo rrugët e ardhjes në pushtet janë rrugë demokratike përmes votës dhe jo dhunës. Kritikat dhe pakënaqësitë e opozitës mund të jenë legjitime nëse janë të argumentuara, mirëpo nëse debati parlamentar nuk lejohet ashtu siç ndodhi, atëherë qytetarët nuk mund të gjykojnë se cila palë ka të drejtë pozita apo opozita.

Nëse dikush ka llogaritur në manipulimin e opinionit duke mbyllur debatin parlamentar mendoj se nuk e ka zgjedhur rrugën e drejtë, sepse për aq sa unë e njohë opinioni publik në Kosovë, qytetarët tanë kanë sens të mirë politik, dhe preferojnë qartësinë në gjykimet e tyre. Kjo më së miri është dëshmuar me faktin se shqiptarët e Kosovës asnjëherë nuk u dorëzuan deri në mposhtjen e plotë të Serbisë, pavarësisht se qarqet serbo-jugosllave kanë provuar forma të ndryshme të shtypjes, joshjes apo mashtrimeve.

Për këtë arsye, duke marrë parasysh zhvillimin e mendimit politik në Kosovë ndër breza, besoj se duhet hequr dorë nga format e dhunës dhe imponimit me dhunë të çfarëdo mendimi politik, në vend të sajë duhet të fillojë një dialog i brendshëm mes partive parlamentare. Një dialog i tillë ndërpartiak dhe brenda institucional do të duhej të rezultonte me një marrëveshje politike mes pozitës dhe opozitës në lidhje me çështjet madhore rreth të cilave sot jemi të ndarë. Pa një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse nuk shoh se mund të dalim nga kjo gjendje e krijuar.

Sa është dëmtuar Kosova në arenën ndërkombëtare nga zhvillimet e fundit? BE ka pasur ankesa edhe për zgjedhjen e Presidentit....
Zhvillimet e fundit në Kosovë për nga dimensioni i dhunës kanë dëmtuar Kosovën nga brenda dhe në planin ndërkombëtar. Ka disa sinjale që disa parti opozitare kanë reflektuar rreth këtyre dëmeve dhe si duket kanë ndryshuar qëndrimin, duke refuzuar kërkesat e partisë VV që të vazhdohet me protesta të dhunshme.

Vlerësoj se është një zhvillim pozitiv si një dritë demokratike në tunelin ku u vendos vendi ynë pa meritë. Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës Hashim Thaçi është bërë në pajtim me Kushtetutën dhe në mënyrë demokratike. Z. Thaçi është një figurë politike me legjitimitet të brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka vlerësuar procedurat e respektuara për zgjedhjen e tij.
 
Si i përgjigjeni opozitës se Thaçi u zgjodh me bekimin e Vuçiçit? Si është e vërteta e votave të përkatësisë serbe?
Ndonjëherë kur humb arsyeja politike deklaratat mund të jenë po aq të pa vend. Presidenti i ri u zgjodh nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë zënë vend në Kuvend me votat e qytetarëve. Kosova është shtet demokratik me shumicë shqiptare, por me një respekt për të gjithë minoritetet pa dallime.

Si parashikohet të jetë e ardhmja parlamentare e Kosovës? E kam fjalën për mbarëvajtjen e seancave plenare.
Jam e bindur se gjërat do të shkojnë në drejtimin e normalizimit të jetës parlamentare dhe kësaj do t’i paraprinë një dialog i brendshëm që është i pashmangshëm.

Ne në Shqipëri pamë javë më parë një panoramë të ngjashme me atë të parlamentit tuaj. Vezë ndaj shumicës dhe tentativë për bllokimin e punimeve. A po bëhen dy parlamentet shqipfolëse shembuj të këqij për njëri-tjetrin?
Më e mira është që të mos huazojmë modele negative nga njëra tjetra. Ne kemi nevojë për të bashkuar dhe unë bashkimin kombëtar e shoh në bashkimin e vlerave më mira që disponojmë, të vlerave tradicionale që kemi dhe të vlerave euro-atlantike që po i krijojmë.

Ju keni një eksperiencë lavdëruese sa i takon angazhimit diplomatik në negociatat me Serbinë. A do të jeni ju pasuesja e z. Thaçi si zëvendëskryeministre dhe ministre e jashtme?
Çështja e zëvendësimeve zakonisht bëhet nga njerëz të partisë së njëjtë, prandaj mendoj se pasuesi i z. Thaçi do të vijë nga PDK. Unë përfaqësojë partinë Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK) dhe ne jemi pjesë e Qeverisë në koalicion me PDK-në. ADK është një parti reformatore që drejtohet nga unë dhe bashkëmendimtarët e mi dhe ka ardhur në skenën politike pas përfundimit të luftës, në vitin 2014, me qëllim që të promovojë qeverisje demokratike dhe të kundërshtojë dukuritë e dëmshme për shtetin si korrupsioni dhe mosdija. Ne i besojmë një modeli të udhëheqjes që bazohet në dituri, ndershmëri dhe dashuri për kombin.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Gratë e PD-së së Sali Berishës dhe Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, vrarë me 21 janar 2011

Gratë e PD-së së Sali Berishës dhe Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, vrarë me 21 janar 2011