Intervista/ Flora Nikolla: Konferenca 3 ditore që shpall aleancën e gruas së suksesit

Intervista/ Flora Nikolla: Konferenca 3 ditore që shpall aleancën e gruas së suksesit

Konferenca Ndërkombëtare “Vlera e të qenit grua në shekullin e XXI” është një nismë e marrë nga presidentja e Albanian Excellence, Flora Nikolla, që pritet këtë fundjavë të kurorëzohet me shpalljen e çmimeve “Zonjat që bëjnë shqiptarinë”. Konferenca do të mbahet në Tiranë dhe Shkodër në datat 14, 15 dhe 16 prill. Ndërsa një vit më parë “Albanian Excellence” organizoi me sukses eventin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”,ngjarjes së madhe të këtij viti i bashkohen zonja shumë të nderuara nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga bota.

Mbi 50 zonja të sukseseve të mëdha në të gjitha fushat e jetës kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Konferencë. Ndërsa presidentja e AE, Flora Nikolla, shprehet në një intervistë për “Shqiptarja.com” se pjesëmarrëset janë “Zonja të nderuara që jetojnë në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, por edhe nga Presheva, Italia, SHBA e më gjerë”. Konferenca do të nis me një mbrëmje magjike në Kalanë e Tiranës, për të vijuar më pas në një ditë të plotë pune në Dajt, ku orë pas orë do të tregohen, shpjegohen, përvijohen histori të vërteta suksesi zonjash kudo ato jetojnë. “Por po aq bukur do të jetë dita e 16 prillit,kur të gjitha së bashku do të udhëtojmë drejt Shkodrës, në mikpritjen e  Kryetares së Bashkisë së Shkodrës, zonjës Voltana Ademi.

Një ditë shkodrane, ku sërish do vijojnë diskutimet sipas rendit të ditës të planifikuar për t’u organizuar nga Albanian Excellence.”, rrëfen Flora Nikolla, e cila flet edhe për rezultatet e kësaj konference, prej së cilës do të krijohet Aleanca Globale e grave shqiptare të suksesit. Surprizat e këtij eventi nuk mbarojnë këtu..., por do të ketë disa zhvillime të rëndësishme të projekteve të ideuara nga Flora Nikolla gjatë drejtimit të Albanian Excellence si: Vijimi i nënshkrimit të memorandumit të nisur në vitin 2016 në Nju Jork: “Të jesh grua në shekullin e XXI”. Vijimi i nënshkrimit të Peticionit në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale në shekullin e XXI dhe shpallja e Çmimit të Madh, “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”. “Kjo Konferencë do të shpallë Kongresin e gruas shqiptare kudo është, që do të organizohet në vjeshtën e vitit 2021.”, shprehet Flora Nikolla gjatë intervistës.

Ideatorja dhe organizatorja e këtij eventi, Flora Nikolla, shprehet se “Përgjatë tri ditëve do të jemi së bashku në një maratonë idesh, mendimesh, bisedash, takimesh, buzëqeshjesh, miqësish të reja, vendimesh, nënshkrimesh, me një ide të përbashkët për të përmirësuar qenësinë e gruas panshqiptare kudo është” dhe e gjithë kjo sipas saj bëhet: “Jo vetëm për të qenë së bashku e për t’u konturuar më mirë në jetët tona si gra, si zonja, si intelektuale, nëna dhe motra, por edhe se pranvera që na mbledh së bashku është e bukur në Shqipëri si mendja,zemra dhe fytyra e të gjitha zonjave shqiptare!”, shprehet Flora Nikolla.

Intervista
Flora, jemi pikërisht në pragun e konferencës treditore “Vlera e të qenit grua në shekullin e XXI” Deri në ç’pikë kanë arritur zhvillimet e këtij organizmi të madh, që vjen ndryshe nga ngjarjet e një viti më parë “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”
-Jemi në një pikë ku të gjitha zonjat kanë konfirmuar ardhjen. Janë përcaktuar të gjitha temat që ato do të flasin dhe kanë konfirmuar ardhjen rreth 50 zonja shumë të rëndësishme që e shtrijnë aktivitetin e tyre në të gjitha fushat e jetës. Ato vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi. SHBA e më gjerë. Dua të theksoj se për herë të parë vjen edhe një kolege gazetare nga Presheva, që drejton televizionin “Presheva” dhe faqen online “Presheva.com”, kryetare e Lidhjes së gazetarëve të Preshevës. Zonjat vijnë edhe nga Italia, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Kroacia, si Sherida Bilali. Janë të gjitha zonja që i bashkon dashuria për ta jetuar jetën me të gjitha dimensionet e saj dhe me të gjitha vlerat që i kanë bërë të kenë sukses të barabartë e madje edhe më shumë se meshkujt në shoqërinë ku ne jetojmë.

Cili është qëllimi i konferencës “Vlera e të qenit grua në shekullin e XXI”?
-Konferenca ka si qëllim kryesor vijimin e të gjitha dokumenteve që ne kemi nënshkruar që nga viti 2016, ku në Nju Jork organizuan eventin “Zonjat shqiptare në Nju Jork” nën kujdesin e Presidentit Bujar Nishani dhe në prezencën e tij u nënshkrua memorandumi “Vlerat e të qenit grua në shekullin e 21-të”. Pikërisht ka qenë ku memorandum që ka pasuar të gjithë aktivitetin që ne kemi zhvilluar për zonjat shqiptare “që bëjnë Shqipërinë”, për “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, për “Zonjat që bëjnë Botën” e kështu me radhë. Domethënë ne vijomë detyrat që nënshkruan në Nju Jork në 2016-n. Në këtë kuadër ne organizuan vjet “Zonjat që bëjnë Shqipërinë” me mbështetjen, sigurisht edhe të medias tuaj e të gjithë stafit të Report TV e “Shqiptarja.com” dhe për këtë vit do të bëjmë “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”. Për pasur një nyje lidhëse të të gjitha këtyre aktiviteteve që po zhvillojmë, me mendojmë që të organizojmë këtë konferencë; e cila në mënyrë demokratike do të shpërfaqi vlerat e grave shqiptare në fusha të ndryshme nga biznesi, gazetaria, informatika, jurisprudenca, arti, kultura letërsia, domethënë është një gamë shumë e madhe temash që aty do të prezantohen dhe në vijim të kësaj konference do të shpallet edhe aleanca Globale e Gruas së Suksesit Shqiptar. Kjo aleancë do të përbëhet pikërisht nga këto zonja që të jenë prezente aty, por njëkohësisht do ketë edhe zonja që prezantojnë shoqata grash në të gjithë botën. Ato do t’i bashkëngjiten kësaj aleance, që të zgjerohet më tej dhe ato zonja të jenë një zë i fuqishëm i gruas së suksesit shqiptar. Do të jetë pikërisht kjo aleancë edhe bërthama e Kongresit të Gruas të Shembullit Shqiptar që do të organizohet në vjeshtën e vitit 2121. Domethënë ka disa objektiva konferenca. Vijimin dhe shpalljen e zonjave që bëjnë shqiptarinë, shpalljen e krijimit të aleancës globale të gruas së suksesit shqiptar, shpalljen e kongresit në vjeshtën e vitit 2021 dhe sigurisht vijimin e nënshkrimit të peticionit për gratë e dhunuara në Luftën e Kosovës në vitin 1999 që ne e nisëm sërish në Nju Jork në qershor të vitit të kaluar. Të gjitha këto gjëra do të jenë një bazë e sigurt, mendoj unë, që “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, i pari çmim me këtë vlerë në të gjithë hapësirën shqiptare, në të gjithë hapësirën tonë, do ta konsolidojë atë dhe do ta kenë edhe më të lehtë për të vijuar në muajt në vazhdim që ky çmim të jetë një çmim dinjitoz dhe të ketë një partneritet të barabartë me zonjat që do të zgjidhen në këtë çmim, “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”.

Për çmimin “Zonjat që bëjnë shqiptarinë”, cili do tè jetë kriteri i vlerësimit?
Ky çmim ka shumë rëndësi të kuptohet si një sprovë e zonjave. Albanian Excellence ka nderuar shumë. Është momenti që njerëzit që nderon Albanian Excellence të tregojnë se sa të aftë janë që të mbajnë këtë çmim. Që do të thotë që të gjitha zonjat që do të nominohen nga një juri e përbërë nga gazetarë; e mbështetur nga juria e nderit e Albanian Exellence, e përbërë nga personalitet që kanë bazën e shëndoshë në Albanian Excellence, që do jenë tek kjo juria e nderit; nga vota e publikut dhe nga votat që do ketë bordi i Albanian Excellence. Pra janë katër juri që do të votojnë për çmimet. Dhe ato që marrin “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë” do të qesin një platformë të tyre konkrete se çfarë do të zhvillojnë mbi bazën e këtij titulli. Domethënë, titulli është shumë i madh. “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë” duhet që në një faqe të përcaktojnë se çfarë do të bëjnë më tej kur kanë këtë titull. Kur merret titulli fillon puna, dhe kjo është një gjë shumë e prerë për “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”. Patëm një praktikë me “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, ku kam kënaqësinë të të them se disa prej zonjave që kanë këtë çmim do të jenë në një panel të konferencës. Konferenca do të ketë disa panele. Paneli i parë do të jetë “Zonjat që bëjnë shqiptarinë”, ku ato do të tregojnë se çfarë bëjnë ne në emrin e Albanian Excellence, ato do të bëjnë prezantimin e vetes së tyre dhe të shikojnë rolin e gruas shqiptare sot. Në panelin e dytë do të jenë gratë e suksesit nga të gjitha trojet shqiptare. Në panelin e tretë do të jenë gratë e suksesit nga diaspora, në panelin katër gratë e suksesit shqiptar. Doja të theksoja që konferenca do të vijojë në qytetin e Shkodrës me ftesën personale që i ka bërë kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi. Ne do të shkojmë atje në kryeqendrën e Veriut në Qendrën Rinore që është ngritur rishtas atje, për të promovuar librat e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë gjatë luftës në vitin 1999. Do të vijë vetë Ramizeja, një zonjë që do të flasë aty. Shumë prekëse, e që do të godas opinionin është edhe fakti që të rinjtë e të rejat shkodrane dhe do të ketë edhe të rinj meshkuj, jo vetëm fermat që do të nënshkruajnë dhe do të solidarizohen me këtë peticion për të mbështetur këto viktima, të cilat vërtetë duhet të marrin atë vendin që meritojnë. Dhe besoj se po ecet në rrugë të mbarë, përderisa po lobohet dhe nga organizata në Kosovë, dhe të them të drejtën në Shqipëri Albanian Excellence është e vetmja organizatë që publikisht e ka nisur këtë lëvizje duke i dhënë përmasa shumë të mëdha mbështetjes së viktimave të dhunës seksuale, e njëkohësisht për të arritur deri në Kombet e Bashkuara, që ky fenomen të marrë emërtimin krim lufte dhe dinjiteti i zonjave të dhunuara të shkojë deri aty ku iu takon, e të fitojnë të drejtën që iu takon.

A ka një “mbyllje sysh” ndaj vlerave të qenit grua në shekullit e 21-të?
-Natyrisht që ka. Janë burrat ata që i anashkalojnë rastet e suksesit edhe me ironitë që shprehin, kur këto gra arrijnë kulmet e suksesit. Madje shprehen edhe me fyerje ndonjëherë hapur dhe qëllimi ynë është të këto zonja të nderuara të ruajmë fytyrën e të qenit femër dhe lartësinë e bukurinë e vlerave që ato kanë i transmetojnë në mënyrën më sfiduese në të gjithë shoqërinë.

 

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dhuratë e hidhur për Krishtlindje? Armando Broja mund të shkarkojë Guardiolën! Liverpool e Chelsea luajnë për 'Boxing day'

Dhuratë e hidhur për Krishtlindje? Armando Broja mund të shkarkojë Guardiolën! Liverpool e Chelsea luajnë për 'Boxing day'