INTERVISTA/ Frederik Stamati: 
Restaurimet në dorë të sharlatanëve

INTERVISTA/ Frederik Stamati: <br />Restaurimet në dorë të sharlatanëve
TIRANE- Kur bëhet fjalë për zbulime arkeologjike, studiuesit kanë nevojë për objektin si “dokument” origjinal historik dhe jo për kopjen apo imazhin e tij të ri. Po a konservohen si duhet objekte e shumta arkelogjike të zbulura në vendin tonë.

Numri i restauruesve me përvojë në Shqipëri është shumë i vogël. Një shkollim i posaçëm mungon, por kjo nuk ka penguar që të bëhen restaurime pafund. E ndërkohë restauratorë nevojiten ende në atelietë e monumenteve.

Kujtojmë se një nga restauratorët më të mirë, Frederik Stamati, vite më parë ka ngritur zërin për hapjen e një shkolle restaurimi që të përgatiten specialistë të aftë, e cila u aprovua edhe nga Instituti i Monumenteve dhe nga Ministria e Kulturës. Funksionoi vetëm një vit.

Po çfarë ndodhi më tej me këtë shkollë dhe çfarë pasojash po sjell përfshirja e restauratorëve të papërgatitur në muzetë dhe monumentet kombëtare. Restauratori Frederik Stamati përmes një interviste për “Shqiptarja.com” rrëfen sesi objektet muzeale dhe arkeologjike po bien në dorë restauruesve sharlatanë.
 
Zoti Stamati, vite më parë ju hodhët idenë e hapjes së një shkolle restaurimi. Çfarë ndodhi me këtë shkollë dhe si po përgatiten restauratorët e rinj?
Unë kam qenë në grupin e parë që kemi firmosur për hapjen e shkollës së restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe në atë kohë u bisedua kjo çështje. U bisedua edhe me drejtorin Vaso Tole që ishte përgjegjës i trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës dhe u diskutua gjatë se cilët do të jenë profesorët, programet dhe çfarë do të vijë nga jashtë si një eksperiencë më e madhe.

Atëherë u mendua se ishin në projekt specializimet dhe u vendos që kjo shkollë do të ishte një shkollë pasuniversitare. U vendos se kjo do të ishte një shkollë ku do të pranoheshin të regjistroheshin specialistë, të cilët kishin mbaruar universitetin në degën e inxhinierisë së ndërtimit ose në arkitekturë dhe që kishin disa vjet esksperiencë pune në restaurim, në Institutin e Monumenteve ose në atelietë e monumenteve.

Dhe këta specialistë do të bënin dy vjet shkollë për restaurim. Domethënë, mendohej të ishte më shumë se një master, sepse këta duhet të kompletoheshin me shumë njohuri specifike. Dhe kjo ndodhi vetëm njëherë, herën e parë dhe për arsye që unë si di shkolla u reduktua në disa kurse verore.

Madje po bëheshin kërkesa me insistim që të plotësohej numri i atyre pjesëmarrësve që do ndjekin kursin veror për të hapur shkolla. Pra zanafilla ishte në rregull, sepse u bë me parametra që ishin të pranueshme. Por, më pas kjo shkollë degjeneroi dhe nuk po nxjerr më specialistë, por kursantë.
 
Cili është shkollimi që duhet të bëj një specialist para se t’i besohen restaurime të rëndësishme?
Shiko, përgatitja e specialistëve në Europë bëhet me nivele universitare dhe këto universitete që funksionojnë në Europë, më minimalja janë pesëvjeçare, por shkojnë edhe mbi gjashtë vjet studime për degë të caktuara, si për restaurime letrash, etj. Ka edhe 12 vjet përgatitje universitare, kur vjen fjala për pikturën.

Është një përgatitje e tillë se në epoka të ndryshme kanë evoluar edhe teknologjitë. Ai që është specialist, duhet të dijë edhe epokat dhe si janë evoluar teknologjitë e njeriut se çfarë të bëjë me objektet, të dij të kalojë situatat që ka kur merr objektin në dorë.

Një objekt historik është një dokument, nuk është vetëm pjesë e asaj që shihet dhe restaurimi ka përgjegjësi të ruajë gjurmët e dokumenteve, dhe çfarë ndodh nëse gjatë restaurimit nuk e di mirë se çfarë je duke zhdukur një dokument të historisë së vendit tënd apo të mbarë historisë së njerëzimit.

Jo më kot në revistat e UNESKO-s shkruhej edhe më parë që ai nuk e di se çfarë është duke bërë, u bën më shumë dëm objekteve në atë masë çfarë nuk u ka bërë vetë toka. A është normale të bëjnë restaurim ata që vazhdojnë kurset disajavore për restaurimin e objketeve të monumenteve, a mund të përgatitet një specialist për disa javë.

Në radhë të parë ata nuk njohin kiminë, nuk dinë çfarë kimikatesh kanë përdorur, ata nuk dinë se cilat janë bashkëveprimet midis kimikateve që kanë përbërë objektin. Unë  e kam ngritur urgjentisht këtë çështje, që shkolla verore të mbyllet dhe të shkojë në nivel univesitar, ku restaurues të monumenteve të shkojnë të bëjnë studime plotësuese në Universitein e Shkencave të Natyrës, të shkojnë në Universitetin e Arteve, për të ndjekur degë ku ka dijeni të posaçme që pastaj t’i shërbejnë në specializimin e tij si restaurator.

Nuk është e thënë të ketë një degë të veçantë që të bëhet masive si dega e restaurimit, sepse nuk mund të mendohet që çdo vit një universitet të nxjerrë dhjetëra e dhjetëra restauratorë. Këto janë kurse që bëhen edhe me katër studentë, pesë studentë, kaq. Këtë e kam parë edhe jashtë shtetit. Qëllimi është të përgatiten specialistë, sepse duke qenë kaq të papërgatitur si të tillë, konkretisht janë bërë dëme në objekte dhe restaurimet po ngelen në dorë të sharlatanëve.
 
Ku janë bërë dëme konkretisht?
Këto janë gjëra që i takojnë një teme tjetër, por çështja ka mbetur këtu që një orë e më parë specializimin e restauratorëve duhet ta kthejnë në përgatitje universitare. Është një çështje që unë e kam ngritur vazhdimisht. Nuk e di pse heziton Ministria e Kulturës, është një çështje që ajo duhet ta shikojë me vëmendje, le ta bisedojnë me Ministrinë e Arsimit, sepse ka vite që restaurimet ngelen në dorë të sharlatanëve, problemet që kanë dalë janë bërë të njohura, nuk ka ç’të presim më. Nuk mund të prishim objektet, siç po prishen.
 
Sa vite ka që është krijuar një handikap në restaurimet në Shqipëri, ndërsa kam parasysh se njihen ndoshta katër-pesë restauratorë të specializuar në vend?
Shiko Shqipëria s’ka pasur kurrë shkollë restaurimi. Në qoftë se ne do të hapin këtë vit një shkollë restaurimi, minimalja pas tetë vjetësh do të kishim specialistë. Ne jemi në konceptet e fundit të shekullit të 19-të dhe në fundin e shekullit të 20-të në këtë fushë.

Jemi gati një shekull mbrapa nga bota në problemet e restaurimit. Po të shikosh programet e universiteteve të shteteve të ndryshme, në përgatitejn e specialistëve ka një përgatitje që nis nga  mësimi i teknologjisë së kohës, i filozofisë së kohës, artografisë e të tjera. Këto programe universitare e përfshijnë brenda përgatitjen.
 
Përsa i përket ruajtjes së gjurmëve të objekteve arkeologjike gjatë një restaurimi ka një parim, rregull apo një ligj bazë?
Ka parime. Nuk ka një metodë të caktuar. Duhet ta gjesh vet sepse si është prishur një objekt, nuk është prishur tjetri, edhe shkaqet e prishjes janë të ndryshme.
 
Si mund të dilet nga kjo situatë, që të paktën të mos vënë dorë restauratorë të paaftë mbi objektet?
Shiko, kur flitet për trashëgiminë, duhen marrë parsysh disa gjëra. Për shembull, fjala restaurim është e kufizuar në literaturë, pra fjala më gjithëpërfshirëse është fjala konservim. Konservimi përfshim brenda edhe restaurimin në funksion të ruajtjes. Konservimi është ndarë në dy pjesë; në konservim pasiv dhe aktiv. Konservim pasiv do të thotë ta ruash objektin, derisa të vij koha që të shkojë në laborator.

Do të thotë që nga momenti i gërmimit të ndërpesësh të gjitha aksionet e shkatërrimit dhe të ndërpresësh kështu shkatërrimin. Kur vjen puna në laborator bëhet restaurimi aktiv që të përballojë edhe ekspozimin. Kur vjen puna në muzueumet e botës kam parë me sytë e mi se ata kanë parë makazinat, kushtet që të mos zhvillohen reaksionet. Ne nuk e kemi këtë kujdesje në asnjë muze të Shqipërsië, nuk ekziston.

Do t’i bëja një thirjje Ministrisë së Kulturës, që të hap të paktën një kurs me drejtorët e muzeumeve që këta drejtorë të muzeumeve të mësojnë se ç’është konservimi aktiv, si duhet të rrinë në muzeume dhe një domosdoshmeri është që drejtori i Muzeut të mos jetë politik, duhet të jetë teknik se pastaj çon edhe pa dashje në dëmtimin e objekteve.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot