Intervista/ Gentian Lluri: Mjeksia
profesioni i sakrificave njerëzore

Intervista/ Gentian Lluri: Mjeksia<br />profesioni i sakrificave njerëzore
TIRANE- “Mjekësia është shkencë dhe art”. Kështu e nis komunikimin dr. Gentian Lluri, mjeku kardiolog shqiptar që punon në Los Anxhelos, në Universitetin e Kalifornisë. Pas një përvoje 15-vjeçare ai ka bindjen se për të fituar betejën me sëmundjen, një mjek i mirë, bashkë me shkencën duhet të shfrytëzojë edhe artin për të fituar besimin e pacientit.

40 vjeç, me gjysmën e jetës kaluar në auditoret e disa prej universiteteve dhe spitaleve më të njohura në SHBA, Gentiani nuk i ka ndërprerë asnjëherë studimet mjekësore, jo vetëm në fushën e kardiologjisë, por edhe në ato të kirurgjisë dhe neurologjisë.

Bashkë me doktoraturën në neurobiologji, që nga viti 2005 ai ka botuar një sërë artikujsh shkencorë në disa nga revistat e specializuara amerikane, duke u kthyer në një pikë referimi për të rinjtë që kanë zgjedhur profesionin fisnik të mjekut.

Një vit më parë kolegët e tij me prejardhje nga Shqipëria e zgjodhën në postin e presidentit të Shoqatës së Mjekëve shqiptarë në Amerikë. Një vlerësim i merituar për dr. Llurin ky i Shoqatës, ku bashkë me mjekë dhe studentë shqiptarë bën pjesë edhe Nobelisti Ferid Murat.
Po cilat janë stacionet e jetës së studiuesit kardiolog?
 
Shqipëri – Tunizi - SHBA
Pasionin për shkencat ekzakte Genti, siç e thërrasin të afërmit, e fitoi nga babai i tij, Kujtimi, mësues fizike mjaft i njohur në qytetin e Durrësit, e po aq edhe nga e ëma, Jalldizi, inxhinjere ndërtimi.
Nxënës i shkëlqyer në të gjitha ciklet shkollore, ai nuk u mendua aspak, kur në vitin 1993 zgjodhi degën e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Mund të zgjidhte degën që dëshëronte, dhe megjithë prirjet e dukshme në elektronikë, Genti preferoi Mjeksinë, duke respektuar edhe dëshirën e hershme të gjyshes së tij, infermiere në spitalin e qytetit bregdetar.

Rezultatet e shkëlqyera të vitit të parë mundësuan vijimin e studimeve në të njejtën degë në një nga Universitetet e Tunizisë, ku qëndroi disa muaj. Por Genti tashmë e kishte kuptuar se formimi i tij qoftë në Evropë, apo edhe në Afrikën veriore do të ishte i mangët. Ishte 20 vjeç, kur mbërriti në Amerikë për një qëndrim të përkohshëm.

 Etjen profesionale e “shuan” në Universitetin e Ilinoisit, në profilin Paramjekësor. Janë shkolla mjaft të shtrenjta, por Genti nuk ndalet. Punon në restorante, në ndërtim, apo në një fabrikë montimi pajisjesh elektroshtëpiake. Familja, që ka mbërritur pak kohë më parë nga Durrësi  në “kontinentin e ri” e mbështet me gjithçka mundet.

Djaloshi e quan vetën me fat, kur punësohet në laboratoret kompiuterikë të Universitetit. Aty mund të studiojë dhe të paguhet njëkohësisht. Diplomohet me medalje të artë dhe përfshihet në Librin e studentëve më të mirë. Stacioni i radhës bëhet Universiteti i Vermontit, ku falë rezultateve të larta, Gentiani pranohet të ndjekë njëkohësisht studimet për dy grada shkencore: MD Doktor në Mjekësi dhe PhD, Doktor në Filozofi. Shteti amerikan përmes Ambasadës së tij në Tiranë kujdeset që ti akordojë qëndrim të përhershëm në SHBA, tregues i rezultateve të larta të Gentian Llurit në shkollat më të mira perëndimore.
 
Studime e botime nga mjeku i ri shqiptar
Djaloshi nga Durrësi mbron doktoraturën në neurobiologji. Gjatë kësaj kohe boton artikuj shkencorë si "Regulation of TIMP-2, MT1-MMP,and MMP-2 ,expression during C2C12 Differentiation" në revistën"Muscle @ Nerve"(tetor 2005); në revistën "Neuro biology"(tetor 2006) boton artikullin "Tissue inhibitor of metalloproteinase-2(TIMP-2) via a B1 Integrin - Mediated Mechanism". Pas diplomimit si mjek(MD) dhe mbrojtjes së doktoraturës (PHD) ai fillon praktikën 3-vjeçare si mjek i përgjithshëm (Internal Medicine) ne UIC “University of Illinois at Chicago”.

Shpallet mjeku më i mirë rezident i vitit, duke fituar të drejtën të thellojë njohuritë e tij për kardiologjinë në "UCLA" (University of California at Los-Angeles).
Gjatë kësaj kohe boton "Left and Right Ventricular Diastolic Function in Adults ëith Surgically Repaired Tetralogy on Fallot. A multi- institutional study" në revistën  "Canadian Journal of Cardiology" (qershor 2013 . Studim tjetër nga fusha e shkencës së Kardiologjisë është "Coronary Arterial Development. A  Revieë of Normal and Congenitally Anomalous Patterns" në revistën "Clinical Cardiology" (shkurt 2014).
 
 Adrioni, lidhja e re me atdheun
Gentian Lluri nuk i ka humbur asnjëherë lidhjet me atdheun. Ai vjen shpesh në Durrës me familjen e tij të vogël - tregon Vera, halla e tij. Takon shokë e miq, ndërsa një pjesë të mirë të qëndrimit në Shqipëri ia kushton bregdetit.

Me bashkëshorten mjeke patologe, Ria Vergara-Lluri, dhe djalin e  vogël kanë filluar të eksplorojnë plazhet e Adriatikut dhe po programojnë edhe bregdetin e Jonit.
“Djali ynë quhet Adrion dhe ka nisur të mësojë shqipen-tregon Genti. Kështu do ti mësojë më mirë edhe brigjet nga e ka marrë emrin”.

Mjeku i suksesshëm shqiptar thotë se interneti i ka shkurtuar distancat dhe kontaktet me homologët në atdhe janë plotësisht të mundshme. “Në punën tonë shkencore ne bashkëpunojmë me universitete e spitale thuajse nga e gjithë bota, edhe në Australi e Japoni - sqaron Genti, duke theksuar se për lidhjet me Shqipërinë mund të ndihmojë edhe Shoqata e mjekëve shqiptarë në Amerikë. 

“Kjo është një shoqatë vullnetare, që synon të bashkojë e të ndihmojë anëtarët e saj të fushës së mjekësisë. Ka shumë shqiptarë të talentuar në SHBA që kontribuojnë në fushën e mjekësisë-shprehet dr. Gentian Lluri, president i kësaj Shoqate.
 
Mjekësia, profesioni i sakrificave njerëzore
 -Intervista me dr. Gentian Llurin, president i Shoqatës së Mjekëve shqiptarë në SHBA-
 
-Cfarë i ka dhënë SHBA dhe cfarë i ka dhënë Shqipëria Gentit?
Së pari po e filloj me më të rëndësishmen.  Cfarë më ka dhene Shqiperia?  Më dha gjithçka që kisha nevojë për të çarë në Amerikë.  Shkollimi që pata në Shqiperi ishte çelës i suksesit.  Ishte edukimi, sidomos në shkollë të mesme, edhe mësuesit e “Gjergj Kastriotit”, së bashku me "Sallën 50" ku bënim provimet e tmerrshme, që na dha kurajon edhe bindjen se asgjë nuk është e pamundur. 

ShBA më dha mundësinë që jo vetëm të vazhdoj studimet në mjeksi, por në të njejtën kohë mundësinë për avancuar kërkimet shkencore në fushën e sëmundjeve të zemrës.  Mundësi që jo shumë vende në botë ta japin.  SHBA më dha mundësinë, thjesht në bazë të rezultateve akademike, që të arrij majat e mjeksisë, pa më pyetur se nga vija apo kush isha.
 
-Cili ka qenë qëllimi kryesor i Gentit kur mbërriti në SHBA?
Qellimi kryesor gjithmonë ka qenë i njejtë.  Të bëhesha mjek.  Madje të shkoj edhe më tej:  jo vetëm të mësoj fushën e mjekësisë, por edhe ta avancoj atë.
 
-Cila është sakrifica njerëzore që bën një mjek?
Jo vetëm në Amerikë, por kudo në botë një mjek i mirë, sakrifikon shumë vite të gjata studimi dhe trajnimi.  Orë të tëra ditë edhe natë në spital, me qellimin e vetëm që çdo pacient, sado i sëmurë pavarësisht moshës, etnisë, statusit financiar, apo çdo gjëje tjetër të ketë mundesinë për tu shëruar dhe të ribashkohet me familjen e tij.  Janë momente të tilla kur bëhet fjala për jetë a vdekje, që jo vetëm sakrifica fizike nga ana e mjekut, por edhe sakrifica emocionale dhe mendore janë shumë të rëndësishme për të mbrojtur shenjtërine e jetës.
 
-A ka diçka përtej profesionalizmit të një mjeku, Zoti psh.?
Mendimi im personal është që janë shumë faktorë perveç profesionalizmit. Dashuria për jetën, modestia, kurajo për të kërkuar ndihmë nga kolegët, respekti për kolegët, edhe pacientët.  Gjithashtu mendimi im personal është besimi në Zot, por ka mjekë shumë të mirë që nuk janë besimtarë.  Besimi në zot është diçka personale, që nuk është faktor kritik në cilësinë e mjekut.
 
-Si funksionon shoqata e mjekëve shqiptarë?
Shoqata e Mjekëve shqiptarë në Amerikë (Albanian American Medical Society) është një shoqatë, që unë e kam për nder që jam anëtar prej shumë vitesh, edhe presidenti aktual.  Shoqata ka për anëtarë individë në fushën e mjeksisë, të cilët janë krenarë për origjinën shqiptare, dhe synimi i shoqatës është që nga lidhja, ndihmesa, dhe bashkëpunimi mes antarëve të shoqatës.  Shoqata është joqeveritare,  jopolitike, jo për qëllime biznesi. 

Anëtarët janë në të gjithë Amerikën; shpesh bëhen takime lokale, dhe çdo dy vjet bëhet takimi/darka e madhe, ku të gjithë anetarët e shoqatës marrin pjesë.   Anëtarët janë nga të gjitha fushat e mjekësisë.  Kemi anëtarë fitues të çmimit Nobel, por kemi edhe studentë të mjekësisë.  Jemi të gjithë krenarë për origjinën tonë. 
 
-A keni një këshillë për studentët e mjeksisë dhe mjekët e rinj?
Hmmm...  Mjekësia është shkencë  dhe art.  Shkencë për të luftuar sëmundjen, dhe art për të fituar besimin e pacientit.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar