Ish zëvendësministri i Financave Elton Haxhi i shikon si të pamjaftueshme paketat e qeverisë. Sipas tij paketat duhet të ishin marrë që në fillim të pandemisë dhe janë në vlerë minimale. Sipas tij të dy paketat përbëjnë vetëm 2.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas tij numri i të papunëve thuhet se mund të arrij në 80-90 mijë , dhe dëmi financiar vetëm në tre muaj të jetë 35 miliardë lekë.

Si i komentoni ju këto dy paketa ekonomike të prezantuara nga qeveria për të përballuar situatën pasi keni qenë edhe në brendësi të menaxhimit të financave më parë?

Paketa e parë ishte e mangët pasi u mundua që të trajtojë ato shtresat më në nevojë të cilat dukshëm dihet se do të prekeshin nga masat e COVID-19. Pra një pjesë e madhe e të prekurve nuk u trajtua me parë ishte një numër 60 mijë të punësuar dhe të të vetëpunësuar dhe punonjës të papaguar të familjes, që u përfshinë në paketë e cila iu siguroi këtyre një pagë minimale për 3 muaj. Paketa e dytë është një shtrirje e zgjeruar e paketës së parë duke e rritur numrin e përfituesve por duke ulur shpërblimin që marrin përfituesit e paketës së dytë. Unë do të thosha që paketa e dytë është e vonuar, duhet të ishte njëkohësisht me paketën e parë, për të dhënë në një siguri edhe për bizneset edhe për punonjësit e tyre që do të kenë mbështetjen e nevojshme financiare. Pra vonesa e pagesës B bëri që shpërblimi i tyre të përgjysmohej pra nuk do të marrin më tre paga, por vetëm një pagë e gjysmë, si dhe shtoi pasigurinë gjatë gjithë kësaj periudhe që nuk u tha asgjë për ta por u tha se ka një paketë B por nuk u tha se çfarë kishte brenda. Për këto dy arsye mendoj që pati një vonesë që mund të ishte evidentuar dhe pati një trajtim të diferencuar, pra këta përfituesit e paketës B. Në gjykimin tim nuk ka ndonjë vështirësi më të madhe financiare tek ato 60 mijë të paketës së parë, nga 100 mijë të paktën tek ata punonjës të paketës së dytë që janë përsëri punonjës dhe të vetëpunësuar përsëri tek biznesi deri në 14 milionë lekë qarkullim.

Me këtë dy paketa të parë që njëra është 11 miliardë dhe tjetra 7 miliardë lekë, mendoni se do të jetë e nevojshme një paketë e tretë marrë parasysh edhe situatën?

Kjo varet edhe nga mundësitë që ka buxheti i shtetit dhe nga burimet e financimit apo mundësitë për të mbushur edhe deficitin që do të krijohet nga mungesa e të ardhurave dhe nga shpenzimet e rritura për shkak të pandemisë. Të dy paketat po ti mbledhim së bashku zënë rreth 2.7% të PBB-së, që është në nivelet minimale edhe në Rajon por edhe më gjerë në lidhje me stimulin fiskal dhe ndihmën ekonomike që kanë dhënë vendet e tjera të rajonit. 2.7% është një mundësi që ka qenë në buxhetin e shtetit duke bërë alokimet e nevojshme të shpenzimeve dhe është krijuar kjo mundësi dhe është dhënë. Tani duhet menduar për burimet e financimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtarë që nuk mungon, pasi ka një angazhim mbarë kombëtarë që kanë krijuar një mundësi për financim. Financimi ndërkombëtarë vjen me një kosto kështuqë duhen bërë llogaritë përkatëse se kush janë mundësitë që Shqipëria të marri një borxh tjetër, dhe në çfarë niveli mund ta marrë, për të bërë të mundur shtrirjen me një paketë tjetër. Por, ka dhe mundësi të tjera si stimujt fiskal dhe jo financiar, pasi ato financiar nuk janë të mjaftueshëm, mund të jenë instrumenta që mund të kenë më shumë efekt në periudhën e rimëkëmbjes, pra mbas pandemisë.

Kur flasim për stimuj fiskal, ku mund të përqendrohemi konkretisht?

Stimujt fiskal kanë të bëjnë me tatimet dhe taksat. Duhet parë e gjithë gama e ndërhyrjeve në stimujt fiskal për të bërë të gjitha lehtësitë për biznesin në aspekt të likuiditetit të nevojshëm që biznesi të vazhdojë aktivitetin dhe të paguajnë punonjësit e tyre në kushtet kur mungojnë të ardhurat e mjaftueshme dhe në të tilla vendet e tjera kanë shtyrë pagesat e detyrimeve tatimore apo edhe me stimuj të tjerë siç është mbartja e detyrimeve apo edhe mekanizma të tjerë. Deri më tani me dy paketat, ku në të parë biznesi i madh nuk u adresua me përjashtim të shtyrjes së afatit të pasqyrave financiare, me paketën e dytë shohim që qeveria ka kthyer sytë edhe tek biznesi I vogël, në një pozicion pritës. Pra pritës do ta komentoja unë pasi ka pritur sa do dalin të papunë dhe pastaj I ka trajtuar. Do ishte më mirë që të ishte më proaktive, dhe ka kthyer përsëri sytë tek biznesi i madh duke shtyrë parapagimin e tatimit mbi fitimin, masë që mund të ishte marrë që në paketën e parë.

Po këto shtyrje e ndihmojnë biznesin?

Po patjetër që po. Për biznesin e madh është e vonuar dhe krijon një pasiguri, për biznesin e madh u trajtua që në paketën e parë, dhe me paketën e dytë u avancuar shtyrja e tatim fitimit dhe u siguruara edhe për biznesin e madh. Por mund të bëhet edhe një rishikim edhe për ato tatime që janë bazuar mbi përllogaritje të një aktiviteti normal, apo për llogaritje të aktivitetit të vitit 2019, dhe të tilla janë tatimi mbi fitimin, u bë shtyrja në shtator por duhet siguruar një lehtësi, dhe është e drejtë e tatimpaguesve të kërkojnë një rishikim të parapagimit të tatim fitimit.

Ulje të kësteve apo jo?

Po ulje të kësteve sepse aktiviteti nuk është ai i 2019, dhe legjislacioni ynë tatimor e parashikon një gjë të tillë në kushtet normale. Në kushte anormale duhet krijuar një angazhim dhe nuk ndryshuar legjislacioni, por duhet të jepen sinjale që administrate tatimore është e gatshme dhe e angazhuar që të rishikojë të gjitha parapagimet e tatim-fitimit për ato biznese që kanë pasur reduktim në biznesin e tyre. Por gjithashtu do të përmendja edhe taksa të tjera të cilat nuk varen nga aktiviteti që kryen por janë vlera fikse si ato të pushtetit lokal, siç është taksa e pronës që përsëri administrohen dhe taksa e pronës lidhet me vlerën e tregut të objektit, dhe në kushte kur ekonomia po izolim dhe këtë mungesë mund të bëhej një ulje e përkohshme vetëm për vitin 2020, për të lehtësuar një barrë fiskale që ka biznesi.

Në lidhje me garancive sovrane, unë kam dyshime që do të funksionojnë pasi ato kanë një instrument që do ketë përfitueshmëri vetëm biznesi që gjeneron të ardhura por nuk ka likuiditete. Pasi në kushtet kur ti nuk gjeneron të ardhura është një detyrim që rrezikon të të kthehet në një dështim në të ardhmen dhe të kalosh në falimentim.

Ta themi më ndryshe, nëse biznesi nuk i gjenerona ato të ardhura që t’ja kthej dhe bankës, a mund të rrezikojmë ne që të krijojmë një ngërç tjetër?

Po patjetër. Pra pavarësisht se ka një garanci sovrane, ajo është hapi I fundit në dhënien e kredisë dhe bankat zakonisht janë shumë të kujdesshme që të marrin siguri me procedurat normale të kthimit të kredisë pa shkuar në ekzekutimin e kolateralit apo edhe garancisë sovrane. Do të përfitojnë vetëm ato biznese që kanë pasur një performancë të mirë financiare përpara fillimit të pandemisë, dhe kanë vetëm një ngërç të përkohshëm për këtë periudhë dhe do të rikthejnë përsëri në aktivitetin normal dhe mund të kthejnë kredinë. Në rast të kundër nuk do të jetë e mund që të përfitojnë as nga ky instrument financiar.

Qeveria në paketën e dytë mori përsipër edhe kostot e interesit të kredisë së parë. Pra gjithë kostot financiare të pagesës së kontributeve të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore në rast se biznesi do ti paguaj ato përmes kësaj linje kredi i merr përsipër ti paguaj shteti. Do të ishte më e zgjuar që të shtynte pagesën e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për 3 muaj të paktën për bizneset e prekura sesa të fuste gjithë këtë kosto administrimi, qoftë për biznesin qoftë për bankat dhe përsëri koston financiare ta marrë përsipër qeveria vetë. Pra këtë kosto financiare mund ta kishte amortizuar me një financim  të shtuar për të mbuluar pjesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore direkt qeveria dhe ti jepte një shtyrje biznesit që të paguante këto detyrime  në vend se fuste një instrument të tillë dhe kostot po i vuan vetë ajo.

A e shikoni si lehtësi edhe shtyrjen e pagesës së qirave?

Është një ndihmesë shtesë për një kategori biznesesh. Por ka një palë që përfiton dhe një tjetër që humbet dhe mund të vihet në vështirësi dhe duhet gjetur një zgjidhje pasi të dy shtresat janë prekur. Tani duhet parë si do e përballojë qiradhënësi këtë vështirësi shtesë.

Qiradhënësit paguajnë edhe tatim për të ardhurat nga qiraja, ndërkohë për këtë aspekt nuk është marrë ndonjë masë për ta pezulluar derisa nuk marrin qiranë. Ju duket e drejtë kjo pjesë?

Detyrimi i qirasë lind në momentin kur përfitohen të ardhurat, pra tani nuk kanë më detyrim për të paguar. Pra shtyhet edhe detyrimi për tatimin mbi qiranë.

Nga këto parashikime që kemi deri më tani sa mendoni se do të jetë numri i personave që do të dalin të papunë?

Këtë gjë nuk mund ta llogaris. Por mund të them vetëm llogaritjet se sa do të jetë recesioni i cili është përllogaritur nga FMN, në nivelin e 5.2% për vitin 2020 për shtetet në zhvillim në kontinentin evropian dhe për vitin 2021 parashikohet një rritje me 4.2%. Kjo shifër do të përkthehet edhe në papunësi, parashikime që kam dëgjuar i janë referuar shifrës 90 mijë apo 80 mijë të papunë, por duhet parë se si do të jetë ecuria. Shifër që ndryshon sepse varet sesa do të zgjasë izolimi.  Po ashtu varet edhe nga stimuli fiskal që do të jap qeveria. Nxjerrja e shumë personave  të papunë do jetë kosto më e madhe se ndihma që po jep aktualisht qeveria, pasi këtë që dalin të papunë do të marrin pagën e papunësisë të patën deri në 3 muaj, pasi legjislacioni ynë e parashikon nga 3 deri në 12 muaj.

Sa mendoni se do të jetë dëmi financiar që do të shkaktoj të paktën 3 muaj izolim?

Nëse i referohem parashikimeve të FMN-së për recesion 5.2%, mund të jetë më pak apo më shumë, nëse e krahasojmë me aktin normative të rishikimit të buxhetit, me një llogari të thjeshtë duhet rishikuar edhe me nja 15 miliardë lekë të tjera në të ardhura. Ky është një impakt direkt. Tek rishikimi i parë ishte 20 miliardë lekë minus nga buxheti i miratuar në dhjetor, dhe referuar shifrave të recesionit duhen ulur edhe rreth 15 miliardë.

Kjo do të thotë se ose duhet rishikuar dhe kërkuar një borxh shtesë.

Ne do të marrim Eurobondin, duhet borxh shtesë?

Eurobondi është tek parashikimet e buxhetit të 2020, ose ajo vlerë duhet rishikuar në rritje, por nuk besoj  se është e mundur pasi tregjet financiare nuk po sillen në favor të kësaj vendimmarrje ose duhet parashikuar rishikim në ulje i shpenzimeve.

Mendoni se jemi në situatën ku duhet të prekim rezervën valutore të bankës së Shqipërisë?

Kjo është një vendimmarrje që mund të konsiderohet, është një vlerë e konsiderueshme që mund ta ndihmonte buxhetin e shtetit, dhe në rrethanat që jemi mendoj se është një vendimmarrje që duhet konsideruar.