Intervista/ Ismail Ndroqi, kleriku që 
 punonte për një Tiranë pa ferexhe

Intervista/ Ismail Ndroqi, kleriku që <br /> punonte për një Tiranë pa ferexhe
TIRANË - Nëntëdhjetë e gjashtë vjet më parë, Tirana u shpall Kryeqytet i Shqipërisë! Në manifestimet që ka organizuar dje Bashkia e Tiranës me Drejtorinë e Kulturës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ishin ekspozuar të gjitha portretet e kryetarëve të bashkisë së kryeqytetit që nga themelimi. Aty në radhët e para të të të ftuarëve zbulojmë se ishte një zonjë e nderuar, që dukej si një dëshmi e gjallë dhe e bukur e kohës. Ishte Fitnete (Ndroqi) Hoxha, vajza e Ismail Ndroqit, kryetarit të parë të Bashkisë së Tiranës.

Fitnetja ende i mban në mendje përpjekjet e para të një kryebashkiaku patriot që kërkon t’i jap një orientim europian, por dhe identitet kombëtar kryeqytetit të Shqipërisë. Rrëfimi i Fitnetes vjen i thjeshtë, nëpërmjet kujtimeve e mbresave që e kanë frymëzuar atë në rini. Por ky sinqeritet i saj hedh dritë në vërtetësinë e fakteve historike, plot 96 vite më parë, kur Tirana nisi të hidhte hapat e parë të një kryeqyteti europian. Fitnete Ndroqi Hoxha, edhe pse mban shumë vite mbi supe, është një zonjë e bukur e fisnike. Ja si kanë mbetur në kujtesën e saj babai Ismail Efendi Ndroqi, siç i thërrisnin tiranasit e vjetër.
 
Zonja Ftnete, si e kujtoni kohën kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë?
-Përpara se Tirana të shpallej kryeqytet, quhej katundari, dhe babai im ishte kryetari i parë i katundarisë së Tiranës që nga 1917-a deri në 1920-n, ku në 1920-ën doli për të pritur patriotët, sepse mbledhja e parë për organizmin e Kongresit të Lushnjës është bërë në shtëpinë tonë me Eshref Frashërin, me Këlliçin e me patriotë të tjerë të Tiranës, sepse në Durrës ata nuk shkonin dot se ishte vendosur qeveria italiane atje. Babai ka bërë këtu në Tiranë edhe pritjen e qeverisë së zgjedhur në Lushnjë.

Ai thoshte gjithmonë se Kongresi ishte menduar të bëhej në Durrës fillimisht, por atje e pengonin italianët. Kështu që pasi u bë kongresi i Lushnjës babai po bunte përgatitjet që të pritej në Tiranë qeveria që doli nga kongresi i Lushnjës, sepse edhe qeveria italiane ishte e përgatitur atëherë ta pengonte këtë gjë dhe me armatime të rënda e ushtarë rrinte në gatishmëri për të penguar vendosjen e qeverisë shqiptare në Tiranë. Italianët ishin të armatosur rëndë, ndërsa babai im që ishte një klerik nuk mbante as armë. Por në atë ditë babai im me shumë marifet dhe diplomaci hyri mes mitralozave në Tiranë dhe i kishte paralajmëruar me komandantin italian për të mos ndodhur ndonjë problem, të cilit i tha: nëse do të tentohet të bëhet ndonjë gjë ndaj këtij populli, do të ketë më pas pasoja të rënda për qeverinë italiane.
 
Po ndonjë kujtim tjetër nga koha ku babai mbante postin e kryetarit të parë të Bashkisë së Tiranës mund të na thuash?
-Kujtoj shumë gjëra, kujtoj se në radhë të parë babai im, edhe pse ka qenë klerik, ka qenë shumë liberal. Nëna ime ishte e para grua myslimane e zbuluar në atë kohë, që nuk mbante mbulesë në fytyrë. Së dyti, kujtoj se babai im ishte shumë patriot. Në atë kohë ishte bërë traditë që të gjitha vajzat që martoheshin shkonin te burri me pajë dhe me qëndisje me fjalë të kuranit në arabisht, ndërsa vajzat e familjes sonë shkonin nuse me flamur në pajë ku kishin qëndisur fjalët “për fe dhe atdhe”. Pra rrotull trëndafilave të qëndisur shkruhej me pe e gjilpërë se “shpëtimi i njeriut është lufta për gjuhën”, kjo bëhej nga ne, sepse lufta e babës tim gjithë jetën ka qenë për mbrojtjen dhe shkrimin e gjuhës shqipe.

Për këtë shkak babait tim iu kundërvunë edhe xhonturqit. Babai na tregonte se kur xhonturqit e burgosën, i shkoi në burg për ta rrojtur një berber nga Kavaja dhe i thotë: -Ibrahim Efendi, këtu qenke ti?! Eh mor’ Ibrahim Efendi, siç e sheh, brisku im vazhdon të punojë, ndërsa maja e lapsit tuaj qenka thyer.” Babai na ka treguar se tortura më e madhe që kam hequr, nuk ishte burgu i xhonturqve, por fjala e kavajasit, fjala e një shqiptari që e ofendoi aq rëndë, ngaqë ishte pro xhonturqve. Baba im tërë jetën nuk e harroi këtë ofendim të berberit kavajas, sepse e quante shumë-shumë të rëndë që shqiptarët të harronin çështjen e gjuhës e të atdheut për të qenë proxhonturqve.
 
Të kujtohet kush e mori bashkinë e Tiranës pas 1920-s?
-Pas babës tim kryetari i dytë ka qenë Ali Begeja.

Redaksia Online
(E.Ç.çshqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Gratë e PD-së së Sali Berishës dhe Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, vrarë me 21 janar 2011

Gratë e PD-së së Sali Berishës dhe Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, vrarë me 21 janar 2011