Intervista/ Jeta e arrirë e një
gruaje pa mbështetjen e një burri

Intervista/ Jeta e arrirë e një<br />gruaje pa mbështetjen e një burri<br /><br>
Një motër dhe një vëlla. Sa e sa kombinime që përdoren në shoqëri për të treguar ekuilibrin, balancën, suksesin. E kur njëri mungon, duket si trupit që i mungon një dorë, një këmbë, një sy. E na është thënë historikisht se një grua pa burrë është si e paralizuar. Derisa takon Marjanën. Po, derisa takon një grua si Marjana, që e ka humbur babin shumë herët dhe më pas gjatë jetës është përballur me një divorc. Por sot nuk është e braktisur. Nuk ka qenë asnjëherë. As e cunguar. As viktimë. As është justifikuar. As nuk qahet e ankohet. Por është e buzëqeshur, i ndrin fytyra, ka studiuar shumë, është një mami e lumtur, punon pa u lodhur dhe jeton me dashuri për jetën.

Shqiptarja.com udhëtoi drejt Korçës për rrëfimin e një gruaje,  sepse është 8 marsi, dita kur gratë falë lëvizjes së tyre, fituan disa prej të drejtave të mohuara. E njohur botërisht si datë që në vitin 1910, lëvizja e 100 grave nga 17 vende të ndryshme të botës për njohjen e statusit të tyre në shoqëri pati një rëndësi të madhe në vendosjen e ligjeve të reja për kushtet e punës si dhe të drejtat e tyre. Për simbolikën e kësaj dite, për historinë, për qëllimin e saj, jemi sot pranë Marianës, e cila është një grua e pavarur, e angazhuar në jetën profesionale dhe civile dhe që rrit e vetme djalin e saj.

-Marjana Pashko, e lindur ne Korçë në vitin 1984, nënë e një djali 9 vjeçar, mësuese në gjimnazin Raqi Qirinxhi dhe e angazhuar në teatrin e Korçës në shfaqje të ndryshme si aktore.Faleminderit që pranuat të ndanit me ne një panoramë të jetës suaj.Çfarë është jeta e një gruaje Marjana? Jeta e një gruaje në Shqipëri, me apo pa rrethanat tuaja...
Jeta e një gruaje në Shqipëri besoj se është e mbushur me shumë vështirësi. Unë shikoj dhe ajo që më bën përshtypje,  për pjesën e evoluimit, kërkimin e të drejtave apo çështjet e lumturisë janë ende sipërfaqësore. Realisht, një femër në Shqipëri ende është nën tutelën e mentalitetit apo të individëve të tjerë që kjo e fundit mendon se kanë pushtet mbi të.. Unë personalisht e quaj veten të lirë, por nga ana tjetër edhe me më tepër përgjegjësi. Edhe mendoj se pjesën e lirisë e paguaj shumë më shtrenjtë se femrat e tjera që kanë një krah apo mundësinë për ta ndarë përgjegjësinë me dikë tjetër.


-Sa e vështirë ishte të merrje vendimin të ishe e lirë? Kur e ke ndjerë veten të lirë? 
Mendoj që kur kam marrë një vendim të vështirë por edhe më të rëndësishmin në jetën time, atë që unë të jetoj vetëm me djalin edhe me nënën time për të qenë përkrah dhe ndihmesë për njëra tjetrën. Ndoshta kam qenë e lirë edhe më parë por jam ndjerë pa barra ose pengesa..

-Në fakt, lidhur me atë që prezantova për ju; sot që jeni një grua e rritur dhe në këto rrethana, e keni kuptuar nëse bëhet fjalë për një zgjedhje tuajën apo ka qenë fati?
Mendoj që nuk është as njëra as tjetra, sepse ndonjëherë mendojmë sikur jemi pasoja të fatit ose fati na vendos disa zgjidhje përpara nesh dhe ne që nuk i refuzojmë dot. Ndërkohë që mundet gjithashtu që të kemi përgjegjësinë, të gjejmë forcën për të zgjidhur vetë për ta ndryshuar rrjedhën e fatit. Unë të paktën kështu e kam ndjerë gjatë viteve që kam kaluar deri tani. Ndoshta në disa zgjedhje mundet t’ia kem atribuar fatit sesa zgjedhjes personale ose anasjelltas.

- Babai juaj është larguar nga jeta në moshë të re,e ndërkohë që ju sapo kishit hyrë në adoleshencë.
Po në moshën 52 vjeçare, unë kam qenë 15 vjeç në vit të parë gjimnaz.

-Ju e kishit njohur figurën mashkullore në familje, ndaj besoj mund të më shpjegoni si ishte ta humbisnit atë?
Ishte shumë e vështirë, ashtu siçështë e vështirë për këdo fëmijë që t’i largohet prindi në një moshë të re kur fëmijët kanë më tepër nevojë. Lidhja ime me babain ka qenë tepër e fortë, ishte shoku im më i mirë. Mund të them një lidhje më  e fortë se ajo që kam pasur me nënën. Jeta mori një drejtim krejtësisht tjetër. Unë pashë nënën time që të plakej para kohe dhe veten time që të bëhej më e pjekur, më e rritur, sepse ndoshta është shumë të them që të bëhet grua. Adoleshenca ime kaloi shumë shpejt, nuk mund të them që kam përjetuar një adoleshencë të ngjashme me adoleshentët e tjerë dhe aq më pak me adoleshentët sot që unë shikoj çdo ditë në profesionin tim.

- Po vazhdimi më pas ? Sa ndikoi kjo që ju të bëheshit feministe?
Besoj se ka ndikuar pozitivisht. Unë gjithmonë e kam gjetur forcën për të ecur para, për të realizuar objektivat e mia, kuptohet brenda mundësive që më ka ofruar gjendja ime familjare, qoftë ekonomike, qoftë kulturore apo edhe qyteti i Korçës. Patjetër që si cdo njeri kam pasur ato ulje ngritjet e mia dhe është mëse normale që pas disa momentesh lotimi kam thënë që ‘Marjana duhet të vazhdosh të ecësh’.

-A ka patur në ndonjë moment rrezik që ju të braktisnit studimet? Në të gjitha rastet, do doja të flisnit për mamanë tuaj dhe rolin e saj. Si ju ka frymëzuar ajo?
Të them të drejtën, të paktën në periudhën kur humba babanë dhe mamaja bashkëshortin, nëna ime e përjetoi akoma më keq dhe isha unë ajo që i dhashë dorën e u mbajtëm së bashku. Kaluam një periudhë shumë të vështirë. Studimet e mia kanë qenë gjithmonë prioritet dhe në natyrën time u bëra pak pesimiste. Ndoshta u shndërrova në një vajzë nga energjike, e çiltër, në pak melankolike. Por kjo nuk ndikoi negativisht në studimet e mia, përkundrazi cdo hap që ndërmerrja, çdo dëshirë e re, përpjekje bëhej më e fortë sepse e bëja edhe në emër të babait tim. Thosha “nëse do të bëj një zgjedhje të mirë për shkollën e lartë, ai do ishte krenar për mua”. Kujtimi i tij edhe sot e kësaj dite më jep forcë. Ndërsa me mamanë, u bëmë bashkë si dy mikesha, dy partnere. Unë çdo zgjedhje time e bëja pasi konsultohesha me nënën time. Madje edhe vendimet që i kalon  jetës sime personale, siç ishte hapi që unë të krijoja një familje apo të martohesha me dikë.

-Si ka qenë dashuria e parë ? Tani që ktheni kokën pas, mendoni se jeni ndikuar nga figura e babait tuaj, nga malli për të e ndoshta keni kërkuar të gjeni të njëjtin karakter, në partnerin tuaj?
Nuk e mendoj që e kam bërë këtë gjë. Ndoshta ky ka qenë edhe gabimi im apo papjekuria ime. Zgjedhja që unë kam bërë ka qenë mendoj një zgjedhje e nxituar që nuk duhej bërë në moshën 19 vjeçare. Ndoshta ka qenë ajo nevoja për të patur një figurë mashkullore në shtëpi, për të patur dikë mbështetje edhe për të luajtur rolin e dikujt që  do të ishte gjithmonë atje kur unë të kisha nevojë.  Për fat të keq nuk rezultoi kështu.. 

-Si e shpjegoni këtë tendencë të vajzave, që mesa duket është krejt organike?
Është më shumë çështje mentaliteti do thoja unë. Korça të paktën e vuan pjesërisht ende këtë pjesë ose ndoshta në kohën time se tani e shoh që kanë ndryshuar gjërat, por në periudhën kur kam qenë adoleshente që kanë qenë vitet 99’-2003 për një vajzë ishte e rëndë që pas dy tre vitesh  shoqërimi me një djalë të mos kishin një përfundim pozitiv. Ndaj edhe ndoshta... deri diku çështje mentaliteti, ndikimi i familjes ose fakti që ti je në një gjendje familjare ku nëna pret nga ty  që con në zgjidhje të tilla të nxituara...

- Duket në pamje të parë se ne e kemi të domosdoshme praninë e një burri në jetën tonë, babai vëllai shoku bashkëshorti..në fakt ju, eksperienca juaj tregon të kundërtën. Ju ia keni dalë më së miri, edhe pa burra përkrahë. A është kështu siç duket apo keni pengje?
Jo Kristi, nuk kam pengje. Unë jam edhe pak spiritualiste në natyrën time. Pavarësisht se fizikisht babanë nuk e kam pranë, në periudhën që kemi kaluar bashkë e sjell figurën e tij, këshillat që ai më jepte, apo qëndrimet që ai mbante karshi meje. Në jetën time është edhe një vëlla, nuk jemi rritur bashkë sepse interesi i tij për muzikën ka bërë që ai të largohet që në moshën 18 vjeçare. Ndonëse se nuk e kam pasur edhe vëllanë pranë, kemi pasur një korrespodencë të shkëlqyer. Megjithatëështë pjesërisht kjo që thua ti, kur jeta të vë përballë nevojave praktike unë jam vetëm dhe më duhet t’ia dal vetëm. Ndonëse mendimi për njerëzit e dashur mua më shoqëron, më jep forcë por përballë nevojave gjithmonë kam qenë vetëm. Nuk e di sa ja kam dalë, por ajo që mund të them me siguri është se jam përpjekur, nuk jam dorëzuar asnjëherë. Gjërat që unë kam dashur i kam bërë, ndoshta në mënyrën më të mirë të mundshme jo, por i kam bërë dhe ndihem deri diku e plotësuar dhe vazhdoj të kërkoj...

- Po ndërkohë gjatë rrugëtimit tuaj deri më sot, çfarë e ka mbushur shpirtin tuaj? Si e keni kultivuar veten? Më flisni më tepër për studimet, profesionin apo pasionet tuaja...
Shpirtin e kam mbushur me dashurinë për jetën, unë gjithmonë kam pasur dashuri për jetën dhe kam gjetur lumturinë në gjërat më të vogla që ndoshta njerëzve u kalojnë kështu pa i vënë re. Edhe në momentet e mia të pesimizmit gjithmonë kujtoj momentet kur kam patur më pak sec kam tani. Fakti që unë kam dicka më tepër se sa dje, tregon se kam diçka dhe përpjekjet e mia nuk kanë shkuar dëm. Zgjedhja ime për të vazhduar studimet për Filozofi, dashurinë për të e kam kultivuar që në gjimnaz duke pasur profesorë shumë të mirë. Paralelisht me studimet, unë kam plotësuar deri diku edhe pasionin që kam pasur ndaj teatrit. Është një pasion i vjetër, fillon që me fëmijërinë time kur kam marrë pjesë në Teatrin e Kukullave. Madje babait i bëhej zemra mal kur unë merresha me aktivitete të tilla dhe e shikonte që më pëlqente dhe më ndriçonin sytë. Që prej asaj dite unë nuk i jam ndarë teatrit dhe sa herë më jepet mundësia unë jam pjesë e trupës së Korçës. Është një pasion që unë e kultivoj edhe në shkollë. Kështu që atje ku unë nuk jam vetë, sic është skena..shikoj një pjesë timen në fytyrat e nxënësve.

-Dhe për ta mbyllur, cila është ëndrra juaj për nesër?
Ëndrra është fjalë e madhe shumë. Megjithatë ëndrra ime më e madhe është që ‘UNË TË BËHEM DHE TË JEM NËNA MË E MIRË PËR DJALIN TIM’.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Të shunën derbi i 'final-four', trajneri Mehmeti: Partizani me organikë shumë të fortë! Teuta-Vllaznia, Osmani: Ti japim fund krizës

Të shunën derbi i 'final-four', trajneri Mehmeti: Partizani me organikë shumë të fortë! Teuta-Vllaznia, Osmani: Ti japim fund krizës