Intervista/ Kristaq Kume: Kodi i ri
ndryshim administratës zgjedhore

Intervista/ Kristaq Kume: Kodi i ri<br />ndryshim administratës zgjedhore
TIRANE - Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë për gazetën Shqiptarja.com e shikon jo si të arrirë performancën e institucionit administrues zgjedhor në vend, KQZ gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve në 23 qershor. Sipas tij, kjo KQZ gjysmake e mbetur vetëm me katër anëtarë, nuk mundet dot që të bëjë certifikimin e zgjedhjeve, gjë që pritet ta bëjë shumë shpejt Kolegji Zgjedhor. Gjatë fjalës së tij, Kume shprehu edhe idenë se ajo që duhet të ndryshohet në kod është pikërisht përbërja e administratës zgjedhore, e cila nuk nuk duhet të përfshijë individë nga partitë politike. Vendimmarrjet e Kolegjit Zgjedhor sipas ish-kreut të KQZ, janë korrekte me ligjin.
 
Ju keni qenë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si e keni parë performancën e këtij institucioni gjatë gjithë procesit zgjedhor të 23 qershorit?
Mund të them që nuk ka qenë një performancë në nivele të larta. Pjesa e mbetur e KQZ-së veproi edhe duke mos respektuar kërkesën e Kodit Zgjedhor në rastet kur iu kërkua që të shqyrtoheshin ankimet e subjekteve politike. Sipas kodit nuk kishte mundësi që me katër vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shqyrtonte ankimime, ndërkohë që me katër anëtarë as nuk mund të mblidhej në shqyrtim të tyre. Pavarësisht nga kjo, ajo ç`ka prodhoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me veprimtarinë e tij, i shërben sipas opinionit tim një transparence më të madhe të një procesi zgjedhor të zhvilluar. Ajo ç`ka mund të merret përveç kësaj ka të bëjë më faktin që ne kemi probleme që duhet t`i  mbajmë në konsideratë në reformën zgjedhore të radhës, që sipas meje çështja duhet trajtuar në thelbin e vetë sistemit të administrimit. Për mua është nevojë e kohës që të trajtohet mundësia e krijimit të një administrate të KQZ-së që mos të ketë lidhje me asnjë nga partitë politike.

A duhet të ndërhyet në kod për ndryshimin e kësaj administrate?
Për mendimin tim duhet të ndërhyet sepse edhe në Kodin Zgjedhor për të parandaluar mundësitë e abuzimit të administratës zgjedhore u vendosën penalitete, të cilat tashmë janë pjesë edhe e Kodit Penal. Sërish  megjithatë edhe pas këtyre penalizimeve që janë vendosur, ata kanë  shkelur ligjin, siç e kemi parë nga ajo çfarë ndodhi në rinumërimin në Qarkun e Lezhës. Pra siç duket nuk mjafton kjo. Masa të tilla shtrënguese nuk mjaftojnë, ndaj jam i mendimit që duhet të trajtohet çështja e krijimit të një administrate zgjedhore, e cila të ketë performacat njësoj si çdo pjesë tjetër e administratës publike. Rregullat e mirëfunksionimit të saj duhet të jetë më të plota. 

Si ka vepruar Kolegji Zgjedhor lidhur me vendimarrjet e tij?
Kolegji Zgjedhor të paktën deri në vendimarrjet që ka dhënë deri më tani ka treguar se është institucion, i cili deri më sot ka zbatuar ligjin. Vendimmarrjet e tij janë korrekte.

Subjektet politike kanë depozituar në Kolegj Zgjedhor një sër ankesash, ku dhe nga të cilat PS ka tërhequr dy prej tyre...
Lidhur me kërkesat ankimore që janë bërë në kolegj, është e drejtë e çdo subjekti zgjedhor që të shftrytëzojë hapsirat e Kodit Zgjedhor e të ankohet në Kolegj. Kjo është tepër normale, ashtu siç është po normale që të heqin dorë nga ankesat. Arsyet pse nuk i shkon deri në fund kërkesës, i di vetë subjekti politik. Ligji i jep të drejtë në çdo rast edhe të ankimojë edhe të tërheqë kërkesën.

Përsa i përket procesit të rinumërimit të 15 kutive të Qarkut të Kukësit, që u bë në sallën e Kolegjit dhe jo në KQZ siç ndodhi me qarkun e Lezhës apo dhe të Shkodrës. Sa e lejon Kodi këtë?
Kjo është një e drejtë që e njeh dhe kodi. Në rastin kur Kolegji pranon një ankim, një padi të tillë për rezultatin e zgjedhjeve, ai ka detyrë që ta trajtojë çështjen në themel. Që do të thotë në funksion të kërkesës, ai do të kërkojë dhe prova. Është në integritetin e tij.  Ia njeh ligji që të kërkoj prova e të bëjë rregullime. Nëse nuk e shikon si të nevojshme merr vendime sipas rasteve. Unë e shikoj si një aktivitet në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor për gjithë atë çfarë ka bërë. Në përgjithësi e gjithë kjo bën që të realizohet ajo pritshmëria që unë e kam shprehur dhe herë të tjera në lidhje me faktin që Parlamenti i Shqipërisë duhet të mblidhet brenda afatit kushtetues.

Certifikimi i zgjedhjeve?
Certifikimi i zgjedhjeve, me këtë Komision Qëndror të Zgjedhjeve që kemi, me katër vetë, nuk mund të bëhet. Do të jetë Kolegji Zgjedhor ai që do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, këtë po presim që të ndodhi sa më shpejt. Është e pamundur që ta bëjë KQZ certifikimin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat