Intervista/Marinela Rukia: Ja cili
është vizioni im për FRESSH-in

Intervista/Marinela Rukia: Ja cili<br />është vizioni im për FRESSH-in
Në 22 tetor të rinjtë e FRESSH-it do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të tyre për 4 vitet e ardhshme. Në garë janë 8 finalistë, 3 vajza e 5 djem. Një prej tyre është Marinela Rukia, një 22-vjeçare që përfundoi studimet për Shëndet Publik. Me besimin se fuqia e femrave është e pashtershme sa për të bërë shumë gjëra njëkohësisht, Marinela flet me kurajo për projektin e saj në forumin rinor të Partisë Socialiste.

Duke i njohur vetes të meta, por e bindur se bilanci ndaj vlerave të saj është shumë më pozitiv, ajo thotë për Shqiptarja.com se surprizat që jeta i ka rezervuar në fëmijëri, do t’i përdorë për tu kujdesur për këdo në FRESSH, si në një familje të madhe.  
 
Marinela, ju tashmë jeni një nga 8 finalistët e garës për kreun e FRESSH. Pse një vajzë që studion në Universitetin e Mjekësisë zgjedh të përfshihet në politikë?
Në fakt është e kundërta. Më pëlqente politika që para se të zgjidhja studimet e larta për Shëndet Publik, por jeta ndonjëherë të vë përpara provave nga më të çuditshmet, duke e rritur gjithnjë e më shumë kuriozitetin tim në këtë fushë. Kështu që më është dashur të studioj sa më shumë mbi mirëfunksionimin e trupit të njeriut. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë” J. Mendoj se kujdesi duhet treguar në çdo hallkë, si në menaxhimin vetjak edhe në shkallë të gjerë. Duke mos i hequr asgjë politikës si pasioni im i parë, mendova atë moment që kjo zgjedhje më kompletonte më shumë, por nuk kam reshtur asnjëherë se studiuari edhe mbi politikën duke e zgjeruar informacionin mbi historinë e saj, ideologjitë e ndryshme, politikanët, diplomacinë dhe argumente të tjerë që lidhen me këtë fushë.
 
Cilat janë objektivat tuaja për drejtimin e FRESSH, nëse e fitoni këtë garë?
Objektivat e mia janë besoj të njëjta me ato të çdo të riu që bazohet në idealin për të jetuar në një botë më të mirë. Jetojmë në kohë të vështira, do dëshiroja shumë të jepja vizionin tim për përmirësimin e jetës sonë të përditshme, duke e filluar nga mosha ime, dhe bashkë me shokët e të njëjtit ideal të çrrënjosim disa vese të këqija duke hapur horizonte të reja në mendjet tona, dhe parimi kryesor për këtë është puna dhe sakrifikimi i interesit vetjak për një të mirë më të madhe. Më konkretisht do doja që FRESSH të ishte shumë më i shumtë në numër se ç’është sot, dhe profili i çdo eurosocialisti të udhëhiqej jo vetëm nga një integritet i lartë moral, i cili është i domosdoshëm, por edhe nga profesionaliteti. Transparenca dhe lufta kundër diskriminimit janë një tjetër objektiv shumë i rëndësishëm, dhe për të arritur këtë na duhet patjetër bashkëpunimi. Dhe kur them bashkëpunimi nuk diskutoj vetëm bashkëpunimin me njëri–tjetrin apo në shkallë kombëtare, por edhe atë ndërkombëtar. Natyrisht objektivat janë të shumta, unë kam përmendur këtu vetëm thelbin për të mos u zgjatur pafundësisht, por në rast përzgjedhjeje çdo gjë do të jetë e parashtruar deri në detaj.
 
Ju keni pasur një angazhim të spikatur në shoqërinë civile dhe po ashtu në disa projekte të Junior Achievement of Albania. Si ju ndihmojnë këto eksperienca në angazhimin politik?
Më kanë rritur shumë këto eksperienca, më kanë afruar shumë me problemet konkrete si në botën e fëmijëve dhe në atë të të moshuarve. Është njësoj sikur ti të jetosh me problematikat e çdokujt dhe të punosh që këto probleme jo vetëm të evidentohen por edhe të marrin një zgjidhje. Ndërsa, përsa i përket eksperiencës në Junior Achievement më ka mësuar vërtetë shumë mbi lidershipin, organizimin dhe vendimmarrjen. Janë të dyja eksperienca të domosdoshme, besoj për të gjithë ata që duan të merren me politikë sepse të mban të lidhur ngushtë me realitetin, me problematikat e ndryshme duke të dhënë ndjeshmërinë e duhur për të qenë prezent në çdo situatë, pa lënë mënjanë faktin që njohjet e shumta që krijon rrisin kapacitetin tonë personal  duke shuar brenda nesh çdo grimcë diferencimi dhe dallimi.
 
Si është një ditë e juaja jashtë FRESSH-it dhe Fakultetit?
Sinqerisht kjo është një pyetje e vështirë, sepse edhe kur s’kam Fakultetin, Fresshin e kam gjithmonë, por kur kam pak kohë të lirë preferoj ta kaloj pranë familjes, ku në bisedat tona nëna është ajo që gjithmonë thotë fjalën e fundit. Dhe me miqësinë e ngushtë e cila më mungon në jetën e përditshme. Flas për ata dy -tre miq që njeriu i merr në telefon edhe një herë në gjashtë muaj dhe biseda apo loja e shahut fillon aty ku kish ngecur herën e fundit. Po edhe bota e librave ka pjesën e vet.
 
Ku strehoheni kur “arratiseni” nga rutina?
Më pëlqen shumë natyra, preferoj të eci këmbë zbathur në lëndina pa njerëz, më kujton pak fëmijërinë, dhe sado pak minuta më distancon nga realiteti që ndonjëherë rëndon. Më pas mbyllem në dhomë dhe shikoj filmin tim të preferuar “Lista e Shindlerit”, i cili më bën të ndihem shumë mirë, më bën të kuptoj që kjo botë ka nevojë për më shumë njerëz si ai.
 
I njihni vetes të meta?
Oh sa te duash, shumë J, po do përmend vetëm kokëfortësinë se po i përmenda të gjitha s’do lija më vend për zbulim. 
 
Çfarë është Zoti për ty?
Zoti për mua është më shumë se një koncept, Zoti është e mira, logjika pozitive, dashuria, paqja, bukuria e lumturia. Mendoj që çdo njëri nga ne e ka Zotin brenda vetes, jo gjithmonë shkohet në kishë apo në xhami për të folur me Zotin. Zoti është bashkudhëtar me ne në çdo hap që bëjmë duke na dhënë një forcë speciale në realizimin tonë si njerëz dhe të objektivave tona. Ky është Zoti për mua.
 
Do të vijoni betejën në FRESSH dhe angazhimin tuaj aty edhe nëse nuk fitoni?
Nuk e konsideroj si betejë, por si një etapë që duhet kapërcyer nga të gjithë ne. Nuk humbas nëse e përzgjedhura nuk jam unë, do jem aty duke bashkëpunuar me këdo që do ta meritoj kreun e FRESSH. Në fund të fundit këtë e vendos partia, anëtarët e saj, te inteligjenca e të cilëve kam një besim të plotë. Do të vënë lapsin mbi vizionin e duhur, dhe nuk kam asnjë dyshim që do jem përherë pjesë e Partisë Socialiste, si një ndër copëzat e puzzle-it në tablonë e saj.
 
Si ka qenë fëmijëria juaj në Tepelenë? Di se nuk ka qenë e thjeshtë për shkak edhe të disa fatkeqësive shëndetësore në familje.
Ndihem pak e zënë ngushtë nga kjo pyetje, është e vështirë të flasësh për diçka që të lëndon. Mund të them që në adoleshencën e hershme për një periudhë kohe të konsiderueshme isha e detyruar të kujdesesha për dy motrat e mia më të vogla për shkak të problemeve shëndetësore të nënës sime, u rrita pak shpejt. Por besoj se çdo njëri nga ne ka problemet e tij dhe mua nuk më takon të ankohem shumë, se miq e të afërm i kam patur pranë vetes.
 
Është e thjeshtë për një vajzë që vjen nga një zonë si Kurveleshi për tu spikatur në ashpërsinë e garave kryeqytetase?
Kështu thonë që jeta në kryeqytet është më e egër, por dhe me oportunitete më të shumta. Mua më pëlqejnë garat dhe kjo është padyshim një garë shumë e bukur dhe nuk do të mbetet ndër të parat në jetën time, kurajoja nuk më mungon.
 
 
Synimi
“Do të doja që FRESSH të ishte shumë më i shumtë në numër se ç’është sot, dhe profili i çdo eurosocialisti të udhëhiqej jo vetëm nga një integritet i lartë moral, i cili është i domosdoshëm, por edhe nga profesionaliteti”.
 
 
Altruizmi
“Mund të them që në adoleshencën e hershme për një periudhë kohe të konsiderueshme isha e detyruar të kujdesesha për dy motrat e mia më të vogla për shkak të problemeve shëndetësore të nënës sime, u rrita pak shpejt”.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit