Intervista me Hysen Sinanin

Ju jeni kryetari i fundit i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve. Pse thuhet se është zhdukur arkivi i Lidhjes? Ku ndodhet ai sot?
Në vitin 2007, na kanë lajmëruar me një shkresë të ministrit të Kulturës së asaj kohe Ylli Pango, se duhej ta lironim brenda 2-3 ditëve godinën e Lidhjes, pasi ajo i kthehej shtetit në bazë të vendimi të Këshillit të Ministrave. Në fillim menduam se do të ishte ndonjë presion nga ana e qeverisë për shkak të mosmarrëveshjeve që kishim patur. Por nuk ishte kështu. Një apo dy ditë pas datës së paralajmëruar më njoftojnë në telefon në 4 të mëngjesit se Lidhja ishte rrethuar me policë. Shkova atje dhe e pashë se po saldonin zinxhirët. Nga dita që i vunë çelësat, nuk kaluan as dy tri javë dhe policia së bashku me Gardën Kombëtare, rrethuan godinën ndërsa punëtorët me thasë plehrash në duar po nxirrnin nga godina gjithë bibliotekën, orenditë e Lidhjes, dosjet e dokumentacioneve dhe i larguan që aty. Nuk na e treguan vendin ku do t’i dërgonin. E morëm vesh më vonë, kur na u desh të kërkonim një dosje të llogarisë së bashku me dy prokurorë.

Ku e kërkuat?
Në sallën mbledhjeve në Kinostudio, në katin e dytë, ku është sot godina e albafilmit. Aty ishin hedhur në një rrëmujë të atillë saqë edhe prokurorët hoqën dorë nga kërkimi. Ky ka qenë shikimi i fundit që i kam hedhur unë gjithë bazës materiale të Lidhjes.

A u përpoqët ju ta rimerrnit këtë pasuri arkivore?
Me gjithë përpjekjet tona për të na e rikthyer këtë pasuri e cila i përket shoqatës tonë, na u mohua kjo nga autoritetet e MTKRS-së me argumentin se kjo është pronë e shtetit. Më duhej të hapja një gjyq tjetër, ndërkohë që ne ishim në një gjyq të hapur për godinën që na e morën dhunisht.
Pra ju nuk mund të shkoni ta merrni arkivin?
Jo nuk na lejojnë.

Çfarë përmbante ky arkiv?
Ishte e gjithë biblioteka e Lidhjes. Vetëm libra të huaj të porositur nga Lidhja mund të kenë qenë rreth 10 mijë tituj. Veç të tjerave të plota kanë qenë tre enciklopedi: ajo franceze e viteve 70, enciklopedia ruse e viteve ’60, dhe enciklopedia italiane e viteve ’70 me nga 20-24 volume. Vetëm kjo është një pasuri më vete.

Po arkivi i dokumenteve?
Lidhja është një organizatë që ka funksionuar që nga 1945. Kuptohet aty ruheshin gjithë dokumentet e kudrit, financës, të anëtarësisë, mbledhjet e kryesisë, etj.

Megjithatë shkrimtarët dhe artistët interesohen më shumë për këto dokumente, ku zbardhen akuzat, diskutimet, replikat dhe recensinet që lexoheshin në këto mbledhje të lidhjes së shkrimtarëve... Ruhej ky dokumentacion? Ju vetë keni parë dokumente të tilla?
Sigurisht, këto dokumente janë ruajtur. Diskutimet zbardheshin të gjitha, mbaheshin procesverbale. Por më të rëndësishme ishin mbledhjet e kryesisë, ku diskutoheshin si anëtarësimet e reja, po ashtu edhe përjashtimet nga rradhët e Lidhjes. Dhe kur kishte diskutime për përjashtim të ndonjë anëtari, diskutimet shpesh bëheshin mjaft të zjarrta me akuza e kundërakuza.

Për çfarë diskutohej? Për libra të ndaluar? Për tituj të propozuar që nuk ishin mbështetur...?
Po për të gjitha këto që thatë por edhe shumë më tej si: për sjellje morale, për devijime të vijës politike, sa zbatoheshin temat që jepeshin, etj.

Në cilat ambjente të Lidhjes mbahej më parë ky dokumentacion?
Në zyrën e sekretares së Lidhjes.

Ju i keni shfletuar? Çfarë keni hasur në to?
Ajo që bie në sy në këto diskutime ishte devotshmëria që tregonin disa nga anëtarët e Lidhjes në kritikat që bënin. Sot ky zell mund të duket i pabesueshëm. P.sh. për Koço Kostën personalitete të caktuara të asaj kohe që edhe sot flasin me fjalë të mëdha për lirinë e demokracinë, thonin në ato mbledhje të Lidhjes, që ai duhej të arrestohej, të dënohej...

Çfarë kishte bërë Koço Kosta?
Një novelë që nuk ishte realiste sa duhej dhe ku dy personazhet shfaqnin tendenca, megjithëse jo edhe aq të dukshme homoseksuale, sigurisht në sensin ironik, por që as që duhej përmendur.Po ashtu kishte përshkruar me nota të thella varfërinë. Kjo një atmosferë jo shumë e favorshme për kohën kur sapo kishte vdekur Enver Hoxha dhe pasuesit e tij donin të ishin edhe më fanatikë dhe të devotshëm se ai vetë.

Kush i mbante procesverbalet e këtyre diskutimeve?
Sekratarja, ose ndonjë nga anëtarët e Kyesisë. Shënoheshin në blloqe të trasha.

Ju i keni parë këto blloqe?
Po kam parë disa prej këtyre blloqeve, para se ta merrnin bazën materiale nga Lidhja. Mbase ishin rreth 15 blloqe të tilla.

Cilës periudhë i përkisnin?
Ato që kam parë unë i përkisnin viteve ’70-’80. Kam vënë re se blloqet e procesverbaleve nga ’80 e deri në ’90-ën, mungonin. Isha i interesuar t’i gjeja, por nuk i kam gjetur ato. Unë mendoj se protagonistët e kësaj kohe, që më vonë u bënë drejtues të Lidhjes si Bardhyl Londo, apo edhe Xhevahir Spahiu, dokumentet e para që zhdukën ishin pikërisht të kësaj periudhe. E përsëris, sepse ata ishin protagonistë të shumë ngjarjeve të kësaj kohe.

Në ç’periudhë mendoni se janë bërë spastrimet e dosjeve të Lidhjes?
Unë e kam thënë dhe e them gjithmonë, këto kanë ndodhur menjëherë pas ndryshimeve, mbase në kohën e Bardhy Londos apo të Xhevahir Spahiut.

Sa vërtetësi mund të ketë në atë që thuhet se dosjet e Lidhjes u dogjën prapa malit të Dajtit?
Nuk e besoj këtë teori. Pse duhet të shkonin deri në Dajt, kur mund të digjnin nga dy blloqe çdo natë në sobën e zyrës apo të shtëpisë? Them se janë djegur më shumë në sobat e këtyre revolucionarëve të pas ’90-ës.

Çfarë është sot Lidhja e shkrimtarëve vetëm një emër?
Në Tiranë, nuk ka godinë, mund të themi se është vetëm emri i Lidhjes, megjithëse, dukumentacioni i shoqatës është i rregullt, sikurse edhe struktura. Ndonjëherë bëjmë aktivitete të rralla. Ndërsa në rrethe, degët e Lidhjes janë funksionale.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Ishin duke festuar në një lokal të Rruga Kavajës, plagosen me armë zjarri 3 të rinj! Në kërkim shoku i tyre