TIRANË - Infiltrimi i radikalëve fetarë në vendin tonë dhe fitimi i terrenit për të zhvilluar aktivitete të dyshimta dhe terroriste, ka nisur që në fillim të viteve '90, sipas ish-presidentit Alfred Moisiu.
 
Numri një i shtetit deri ne vitin 2007, shprehet gjithashtu se nuk kanë qenë vetëm organizatat fetare myslimane që kanë operuar gjatë kësaj periudhe, ato që kanë pasur qëllime të tjera përveç atyre të bamirësisë.

"Shenja domethënë për fat të keq që kur filloi mbushja e vakumit që u krijua nga Partia e Punës me zgjedhje fesë jashtë ligjit ka pasur sepse ne po na vijnë hoxhallarë dhe priftërinj nga shumë anë që nuk e dimë se çfarë kanë në mendjen e tyre, si janë edukuar, si janë përgatitur. Edhe sigurisht fenomene të veçanta ka pasur edhe atëherë që janë ndjekur në rrugë ligjore. Kuptohet, por tani sikur situata është nxehur shumë", - u shpreh Moisiu.

Tashmë kur shërbimet inteligjente kanë vënë alarm strukturat shtetërore për sulme të mundshme terroriste edhe në vendin tonë, rreziku sipas ish- presidentit Moisiu vjen nga brenda territorit.
 
"Kujdesin duhet ta kenë për njerëzit tanë brenda sepse ka ca fenomene që vërtet janë shqetësuese, ca xhami që janë jashtë vëmendjes së Komunitetit Mysliman. Pra me këtë aspekt mund të ketë domethënë njerëz të çmendur që mund të bëjnë budallëqe. Personat që mund të kenë shkuar në Siri dhe janë kthyer ata duhen mbajtur nën vëmendje të veçantë, duhen ndjekur dhe po të jetë nevoja duhen izoluar për një kohë të caktuar", - tha ish-kreu i shtetit Alfred Moisiu.

Deklaratat e Alfred Moisiut vijnë në të njëjtën ditë kur presidenti Bujar Nishani njoftoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
 
Mbledhja e fundit e kësaj strukture koordinuese për sigurinë me fokus po luftën kundër terrorizmit u zhvillua në 17 janar 2015. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)