Intervista/ Shyqyri Çaushaj: Jeta
mes roleve në Turqi dhe Shqipëri

Intervista/ Shyqyri Çaushaj: Jeta<br />mes roleve në Turqi dhe Shqipëri
I lindur në Skrapar, por prej pak kohësh është shpërngulur për të jetuar në Turqi bashkë me familjen e tij. Shtatlartë, i bukur dhe shumë joshës, Shyqyriu na tregon përmes këtij rrëfimi, angazhimin e tij në Turqi, ku identifikohet prej disa personazheve, është prezantuar në disa seriale e filma. Ndërkaq, përsa i përket karrierës në Shqipëri ai premton se së shpejti do të rikthehet në skenë me një rol shumë interesant. Më tej, ai e vë theksin edhe tek skenari, ku premton se është duke shkruar një skenar për një film me metrazh të gjatë, tentativa e parë drejt kinematografisë si skenaristë.
 
Aktori është pjesë e rolit, lëvizjeve, fjalëve dhe lojës. Është sfidë realizimi i këtyre akteve aktoriale?
Aktori shpalos shpirtin e tij në skenë, gjatë procesit të provave lufton me ‘unin’ tjetër që është karakteri dhe gjatë procesit të shfaqeve bëhet ‘uni’ i ri, por në fund të fundit është unë, pra vetja. Të njohësh veten…
 
Që një aktor, të arrijë ta bindë publikun në atë çka ai kërkon të shprehë në atë çast të përcaktuar interpretimi, me ç’cilësi duhet të jetë i pajisur?
Me cilësinë e sinqeritetit!
 
Partnerja juaj e preferuar?
Nuk kam, punoj me të gjithë me përgjegjshmërinë dhe disiplinën absolute pa bërë asnjë dallim, çdo shfaqje është një jetë që nis nga e para.
 
Po ndonjë emër nga kinematografia e huaj?
Sharon Stone!
 
Keni një aktorë që imitonit, idhulli juaj?
Charli Chaplin!
 
Fëmijëria juaj është e ndarë mes Shqipërisë dhe Turqisë. Si e kujtoni ju atë kohë?
Kam lindur në Malind të Skraparit dhe pa bërë akoma 1 vjeç shkuam për të jetuar në Stamboll, ku jetuam për 12 vjet. Atje kalova të gjithë fëmijërinë time. U rrita me disiplinën e shkollës turke, kulturës turke por edhe me traditën shqiptare. Kjo pasi në shtëpi gjithmonë flisnim shqip dhe babi im më sillte përralla e tregime nga Shqipëria dhe unë pata fatin të shkruaja e të lexoja shqip që në fillim, kur fillova klasën e parë në fillorën e shkollës turke. Më kanë shoqëruar gjatë jetës të dyja sëbashku në çdo drejtim të jetës, si në atë artistike, ashtu edhe në atë sociale, kulturore, famijare, njerëzore e profesionale. Sapo u diplomova në Akademinë e Arteve në Tiranë në degën e Regjisurës, shkova për të kryer studimet Master në Stamboll, ku kisha nderin të studioja me një ndër pedagogët më të mirë atje, i cili ishte gjeorgjiani Zurab Siharulidze. Jeta artistike atje ishte shumë e pasur si në sasi edhe në cilësi për mua. Jeta arsimore gjithashtu, pasi Stambolli është një metropol ku vijnë më të mirët nga e gjithë bota. Gjithashtu kam studiuar me Tom Brangle, i cili është pedagog edhe në Actor Studio Nju Jork, ku më pas pata fatin të isha asistenti i tij në ëorkshop-et që ai realizonte. Më pas u futa në teatrot private, atje ku mësova se si ndërtohej një teatër që nga themelet e saj. Por më vonë u ktheva në Shqipëri sepse është vendi im, sepse dua të kontribuoj të gjithë eksperiencën time që kam marrrë atje, dhe anasjelltas. Unë jam një shqiptar që maman time e thërras “ Anne” ( mami – në turqisht), kjo besoj se e shpjegon faktin se si ndjehem në lidhje me kombësinë time.
 
Rolet tuaj si protagonist, zakonisht janë karakterizuar nga një emërues i përbashkët: aftësia juaj drejtuese dhe organizative në rol, këmbëngulja, vendosmëria e shpirti i përgjegjësisë. Sa gjejnë hapësirë këto tipare në temperamentin dhe jetën tuaj reale?
Jeta ime si në punë dhe jashtë saj reale është, e kështu do jetë gjithmonë. Cilësitë e individualitetit tim nuk ndryshojnë kur futem në skenë, por sipas rolit që kam zgjedh të përdor ato që më duhen për rolin dhe nuk përdor ato që nuk më duhen, çështja është të njohësh vetitë dhe cilësitë që ke dhe aftësia qëndron tek organizimi i këtyre cilësive në masën e duhur.
 
A i pranoni të gjitha rolet që ju ofrohen?
Nuk paragjykoj asnjë personazh, mundohem të jap më të mirën time në çdo karakter, por parapëlqej që personazhi që do luaj të ketë të paktën moshë të përafërt me timen se më duket shumë e shëmtuar kur shoh disa të rinj që luajnë një të moshuar apo anasjelltas që është qesharake në të dyja rastet.
 
Ka ndonjë rol që i besuar ndonjë kolegut tuaj do t’ju kishte pëlqyer ta interpretonit ju? Nëse do te realizonit ndonjë serial televiziv, cila do të ishte sipas jush, tematika më e dashur për publikun shqiptar sot?
Nëse do merresha me rolet e të tjerëve nuk do bëja dot timen, sa për serialet në Shqipëri nuk kam parë ndonjëherë një të tillë.
 
Nëse ju personalisht, sot do të fillonit të ‘vizatonit’ një skenar, cila tema e tij, nga ju e përzgjedhur?
Jam duke shkruar një skenar që do të bëhet një film me metrazh të gjatë dhe besoj se ky do jetë iniciativa e parë në fushën e kinematografisë si regjisorë.
 
Film artistik apo dokumentar. Sot, diçka që të bën të njihesh në mënyrë të drejtpërdrejtë e të shpejtë, është paraqitja, sipërfaqësorja. A bëhet ky, një shkak iluzioni për të rinjtë, se është i lidhur në të njëjtin raport edhe me aktrimin?
Unë personalisht kam vënë re se nuk më njihte njeri edhe pse kisha realizuar disa shfaqje në teatër apo film në kinema, por pasi dola tek emisioni “Zonë e lirë”, vura re që më ishin shtuar friendsat e “facebook”-ut në mënyrë të rrufeshme.
 
Cilat janë këshillat që do t’u jepnit të rinjve që synojnë të bëhen aktorë?
Të lexojnë Hamletin e Shekspear-it, Hamleti vetë jep këshillat e duhura aktorëve në një nga monologjet e tij.
 
Projekte për të ardhmen tuaj profesionale?
Më e afërta është projekti i Hamletit me regji të Zurab Sikharulidze unë luaj personazhin e Hamletit, e cila ka përfunduar provën gjenerale dhe pas pushimeve në shtator vjen me premierën e saj në Teatrin Metropol.

shyqyri caushi

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com",versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament