Intervista/ Stamati: Si u zbulua
byzylyku 1100-vjeçar i gruas ilire

Intervista/ Stamati: Si u zbulua<br />byzylyku 1100-vjeçar i gruas ilire
TIRANE- Vlerësimi i objektit në të gjithë elementët e pranishëm të mjedisit ku është gjetur, është një tipar kryesisht i munguar i studimeve arkeologjike në Shqipëri. Por ka dhe përjashtime.

Duke punuar në laborator, restauratori Frederik Stamati befasohet kur sheh në një byzylyk të zbuluar në tumën e Piskovës gjurmë nga lëkura e dorës së një gruaje ilire, që ka jetuar 1100 vjet më parë. Gjatë vëzhgimit në stereomikroskop në laborator, ai ka marrë këto foto që rrëfejnë misterin e mënyrës së jetesës së ilirëve dhe arbërve.

“Arkeologu Namik Bodinaku zbuloi në tumën e Piskovës, rrethi i Përmetit, një varr, në të cilin ndodhej skeleti i një gruaje. Në dorë qëndronte një byzylyk prej bronzi, brenda të cilit ruheshin dy fragmente tekstili të veshjes. Brenda byzylykut ruhej edhe imazhi i lëkurës. Nga rrudhat kuptohet se gruaja ka qenë e moshuar”, thotë Stamati, duke u shprehur për “Shqiptaraja.com” se “nuk ka qenë e mundur të zbulojme më tepër kuriozitete. Është një punë që kërkon specialistë të profilizuar në këtë drejtim.

Natyrisht që gjurmën e lëkurës e kam ruajtur: ndodhet në byzylyk”, thotë Stamati, duke nxjerrë në dritë një temë të panjohur të arkeologjisë; atë të humbjes rëndom të artefaktit historik që ka lënë gjurmë tek objektet. Nga intervista më restauratorin Frederik Stamati mësojmë edhe një lajm të keq, që arkoelogët më parë, duke mos ua ditur rëndësinë, ua fshihnin gjatë zbulimeve gjurmët objekteve të gjetura nën tokë ose ca më keq në varrezat tumulare.

Disa prej gjurmëve janë fshirë nga padija, e disa për arsye të mungesësë së teknologjisë së analizave dhe konservimit. Ndërkohë restauratori Stamati rrëfen për rëndësinë e vëzhgimit dhe zbulimit të gjurmëve të tilla, se çfarë thonë këto gjurmë të lëkurës së dorës së një gruaje dhe të tekstileve që kanë mbetur në këtë byzylyk, por edhe zbulime të tjera.   
 
Të bën kurioz zbulimi juaj që në byzylukun e një gruaje mbi 1000-vjeçare janë ende gjurmët e lëkurës. Cila është rëndësia e tyre shkencore për arkeologjinë shqiptare?
Rreth tridhjetë vjet më parë, arkeologu Namik Bodinaku bëri disa gërmime arkeologjike në rrethin e Përmetit. Ndër të tjera në Piskovë. Atje ai gërmoi një tumë. Materialet e zbuluara gjatë gërmimit erdhën në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë për të kryer konservimin. Ndër të tjera erdhi edhe një byzylyk prej bronxi, i cili meritoi vëmendje të thellë falë veçantive që mbartëte. Ishte fat shkencor që erdhi në laboratorin tonë shkencor të pajisur me teknologjinë e duhur, por edhe me konceptet moderne të trajtimit të objekteve.

Një nga këto koncepte është vlerësimi i objektit në të gjithë elementët e pranishëm dhe i mjedisit ku është gjetur. Nga kjo pikëpamje analizohet gjithçka në objekt. Dikur arkeologët interesoheshin kryesisht për metalet, qeramikën, gurin dhe qelqin. Edhe po të dilte ndonjë farë merrej në konsideratë. Tashmë në konceptet e laboratorit bënte pjesë edhe studimi i tekstilit, teknologjija e prodhimit, prejardhja, etj. Falë këtyre koncepteve u mundësua edhe studimi i historisë së prodhimit të tekstileve në Iliri dhe Arbëri. Pikërisht dy tekstile ishin të veçanta në këtë byzylyk.

Janë tekstilet më të ruajtura që vijnë nga gërmimet arkeologjike. Këto ishin në pjesen e brendëshme të byzylykut, si pjesë të veshjes së gruas së vdekur. I kemi ruajtur mirë. Kur po punoja për konservimin e byzylykut, vura re se në anën e brendshme të tij ruhej një sipërfaqe e rrudhosur.

Nga vëzhgimi në stereomikroskop u pa gjurma apo imazhi i stampuar në metal i lëkurës së gruas që e mbante. Këto janë gjëra që nuk konstatohen thjesht me sy të lirë, por me mjete optike dhe me kujdes dhe njohuri të mjaftueshme për rastin. Kjo gjurmë ishte e nje gruaje të varrosur rreth 1100 vjet më parë dhe është rasti i vetëm që është ndeshur në gërmimet arkeologjike. Ishte fat që erdhi në laboratorin tonë dhe shpëtoi.
 
Cilës periudhe i përket ky byzylyk. Ndërkohë, ju pohoni se me zbulimet në tumën e Piskovës, në Përmet, është marrë Namik Bodinaku. Ka një arsye që lihet në harresë Tuma e Piskovës. Nuk mendoj se është folur shumë për të?
Studimin e materialeve të tumës së zbuluar në Piskovë e ka bërë arkeologu Namik Bodinaku. Ai edhe e ka botuar studimin e tij. Kronologjija relative, e realizuar me anën e metodave tradicionale të arkeologjisë, ka përcaktuar edhe moshën e varrit ku u gjet byzylyku. I takon shek. IX - X. Pra gruaja që është varrosur dhe imazhi i lëkurës së cilës gjetëm, ka jetuar rreth 1100 vjet më parë. Për studimin e mëtejshëm arkeologjik të zonës duhet marrë mendimi i specialistëve të fushes.
 
A ka laboratorë të specializuar për të ruajtur të dokumentuar këtë artefakt historik. Ç’ndodh, nëse nuk i bëhen analizat në kohë, se pas zbulimit dihet që gjurmët zbehen?
Trajtimi konservues i kryer në laboratorin që përmenda më lart ka plotësuar kërkesat maksimale të konservimit. Ai laborator ka punuar me një siguri 99,5%. Pra, një shifër tepër e lartë kjo. Byzylyku u kthye në Muzeun e Përmetit. Varet sesa i plotëson atje kushtet e konservimit aktiv apo pasiv. Dihet që këto kushte nuk i ka asnjë muzeum i Shqipërisë. Madje as nuk njihen si terma nga personeli i muzeumeve. Për gabime teknike mund të ndodhë prishja e ekuilibrit të vendosur dhe riaktivizimi i korrozionit me pasojë prishjen.
 
A mund të ruhet gjatë imazhi, nëse nuk analizohet në kohën e duhur?
Me punën e kryer dhe në kushte të pershtatshme muzeale, i gjithë byzylyku dhe imazhi që mbart, mund të ruhen pa asnjë problem. Realisht ka patur interesim nga një mjek specialist i mjekësisë ligjore, i cili më takoi pasi ëmsoai lajmin. Unë shtroja pyetjen e përcaktimit të moshës së personit që e mbante dhe nëse do të ishte e mundur të kuptohej, nëse ai person ka vuajtur nga ndonjë sëmundje, gjëra të cilat mund të reflektohen në lëkurë. Mirëpo këto duan specialistë të kualifikuar në këtë drejtim, kështu që nuk u bë gjë.
 
Ka ndodhur që jane fshirë imazhe të tilla nga pakujdesia në zbulimet tumulare?
Ky është i vetmi rast që kam ndeshur për lëkurën. Ka patur edhe një rast tjetër, kur arkeologu Damian Komata zbuloi një tufë flokësh në një varrr mesjetar në Krujë. Ishin të zeza, të shkurtëra dhe të përziera me baltë dhe gjurmë jeshile të kriprave të bakrit. Dihet që kriprat e bakrit kanë karakter biocid, pra që vrasin bakteriet dhe kjo ishte arsyeja se pse kishin shpëtuar. Nuk jam marrë me to dhe nuk e di fatin e tyre. Do të jetë interesante, nëse kanë shpëtuar nga dekompozimi.

Një përgjigje tjetër, por që ndoshta edhe mund të përfshihet në pikën e mëparshme, ose edhe më vete. Nese përmendëm deri tani pjesë nga trupi i njeriut, mund t'i kushtojmë vëmendje pjesëve që ruhen nga veshja. Ka patur vetëm një rast, po nga mesjeta, e një fragmenti lëkure nga veshja. Edhe kjo vinte nga mesjeta. Interesant është gjetja e fragmenteve të tekstilit, si pjesë e veshjes. Kam patur ndonja 200 raste të tilla. Më parë nuk janë marrë në konsideratë. Ju shpjegova se kërkimi ka fazat e veta të zhvillimit.

Unë i kushtova vëmendje të vecantë gjurmëve të tekstilit. Falë kujdesit të treguar nga arkeologët për të ruajtur këto lloj mbeturinash, u bë e mundur që të kryheshin studime mjaft të imta për të parë mënyrën e prodhimit të tekstileve dhe llojin e materialit të përdorur, pra nëse ishte lesh, pambuk, li, apo mëndafsh.

Një kujdes të madh tregoi mbas kësaj e ndjera Hëna Spahiu me objektet që zbuloi në Koman. Falë këtyre gjurmëve të tekstilit u bë emundur që të botoja dy artikuj shkencorë për historinë e prodhimit të tekstileve në vendin tonë, që 4000 vjet më parë. Natyrisht që gjurmët e tekstileve janë tepër delikate. Ato duan kushte për t’u ruajtur, ndryshe...
arkeologji

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës