VLORE - Në aksionin që INUK po zhvillon në Vlorë për prishjen e objekteve në zonën përgjatë Ujit të Ftohtë në kuadër të zgjerimit të rrugës së Skelës, pjesë e këtyre objekteve që do të prishen është edhe filiali i Postës Shqiptare në këtë zonë.
 
Për prishjen e Postës, kanë reaguar vetë punonjësit dhe drejtuesit e saj të cilët janë shprehur se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për boshatisjen e ambjenteve.
 
Sipas tyre gjatë boshatisjes që kanë nisur të bëjnë, janë vjedhur kamerat e sigurisë së postës. Pavarësisht protestave të punonjësve, inspektorët e INUK kanë vijuar punën e tyre.
 
Kjo është dita e dytë që INUK po zhvillon aksione në këtë zonë. Ditën e djeshme të paktën 13 objekte pa leje, mes të cilave edhe banesa, janë shembur nga fadromat e INUK. Aksioni në fjalë vjen në kuadër të projektit të Lungomare i cili do të fillojë punën në shtator.

INUK, VIJON AKSIONI TEK UJI I FTOHTË PËR PRISHJEN E OBJEKTEVE PA LEJE
INUK vijon aksionin në ditën e dytë të tij për prishjen e objekteve pa leje në zonën përgjatë Ujit të Ftohtë në Vlorë. Aksioni i nisur ditën e djeshme, do të vijojë edhe sot me prishjen e disa objekteve të tjera të cilat janë pa dokumentacionin përkatës.

Shembja e tyre do të bëhet me fadroma e çekiç, ndërsa në ndihmë të inspektorëve të INUK janë edhe forcat e FNSH-së. Ditën e djeshme INUK, prishi disa objekte, mes të cilëve edhe banesa që nga viti 1930. Aksioni i INUK u ndesh fillimisht me protestat e banorëve të zonës të cilët u shprehën se nuk kanë marrë akoma dëmshpërblimin.

Megjithatë pas reagimeve paraprake, banorët lanë pronat e tyre, ndërsa INUK vijoi prishjen e tyre. Ky aksion i INUK për prishjen e objekteve pa leje në këtë zonë, vjen në kuadër të projektit ‘Lungomare’ të miratuar nga qeveria, i cili do të fillojë punimet e tij në shtator.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)