SHKODËR- Thirrja për të qëndruar në shtëpi drejtuar shkodranëve, kësaj herë vjen nga dy figurat më të dashura të kryeqendrës së veriut, por edhe në të gjithë Shqipërinë, nga Inva Mula dhe Elhaida Dani. Kërkesa e tyre ka një emërues të përbashkët, të qëndrojnë në shtëpi për të mirë e të gjithë globit. Në një lidhje Skype, nga i deleguari në Shkodër për situatën e COVID-19, Besfort Lamallari mesazhi i tyre është i thjeshtë.
"Të dashur qytetarë të Shkodrës, të globit, mendoj se ka ardhur momenti që secili nga ne ka nxjerrë konkluzionet e veta! Ajo që ne duhet të bëjmë është të shpëtojmë jetët tona duke ndenjur në shtëpi. Për temperametin e shkodranve se është paksa e vështirë, por e di që shqiptari di të sakrifikojë dhe ky është momenti, për njëri-tjetrin, për familjen, të afërmit, është hera para që duhet të mendojmë globalisht. Prandaj duhet të qëndrojmë në shtëpi. ju lutem rrini në shtëpi dhe të shpëtojmë jetën e të gjithë globit", u shpreh Mula.
"Përshëndetje Shqipëri, por mbi të gjitha Shkodra jeme, unë kam vetëm një mesazh për të gjithë ju, je të qëndrojmë në shtëpi, le të durojmë edhe pak se kemi nevojë që të ndihmojmë të gjithë njerëzimit. E rëndësishme të mos tregohemi egoist, është hera e parë që na është kërkuar diçka kaq e thjeshtë për diçka kaq të madhe për globin. Nëse ne jemi të fortë se jemi të rinj, të paktën le të mendojmë për prindërit tanë, nipërit tani, për njerëzit më të dobët. le të bëhemi bashkë duke qëndruar larg. Unë jam me ju, mezi pres t'ju takoj të gjithëve", tha Elhaida.
Kjo thirrje vjen pasi qytetarët Shkodran kanë qenë ndër më të "pabindurit" sa i përket respektimit të msave të marra ndaj COVID-19, e cila është reflektuar më pas edhe në një numër të lartë të të prekurve. Shkodra renditet e dyta, pas Tiranës, me 96 të infektuar. Në përmbyllje të këtij mesazhi, Lamallari i ka falenderuar me një shprehje tipike e qytetit. "Shkodër Locja ju do shumë, e gjithë shqiptaria është krenar me ju! Faleminderit nga zemra", e mbyll Lamallari.