Sot në Ditën Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuara një lajm i mirë për këtë kategori në nevojë është se shteti ka rezervuar një fond më të madh sa i përket pagesave të tyre. Kështu gjatë vitit 2015 do të jenë 16 milion dollarë më shumë të vendosura në dispozicion të PAK për të përballuar efektin e fashës mbrojtëse 300 kë.

Ndërkohë që fakt tjetër është se këta persona gjatë vitit 2014 kanë marrë pagesat e tyre në datat e përcaktuara, ndërkohë që një vit më parë në Ditën Botërore të PAK, rezultonte se invalidët kishin mbi tre muaj pa marrë pagesat e paaftësisë. Ky fakt është pohuar edhe nga vetë kryeministri Rama i cili e kujton Ditën Botërore të PAK të vitit 2013 si një nga situatat më të sikletshme, ku ishte trashëguar edhe një borxh prej 54 milion dollarësh.

“Më kujtohet vitin e kaluar në të njëjtën kohë, në një takim me PAK dhe jemi ndjerë në pozitë të vështirë, se nga njëra anë kishim trashëguar borxhin prej 54 milionë dollarësh, pasi paratë që figuronin për ta ishin drejtuar gjetkë. Dhe nga ana tjetër një situatë ku historikisht ku këta persona nuk e merrnin asnjëherë pagesën në kohë, dhe në prag të vitit të ri ne nuk kishim para për ti paguar. Sot një vit jemi në kushte të ndryshme.

Sot jemi në kushtet kur kemi mbyllur plotësisht gropën prej 62 milionë dollarë vetëm me pagesat e aftësisë së kufizuar, dhe praktikisht jemi pa borxhe, dhe kemi çelur një buxhet për vitin e ardhshëm, i pari buxhet në histori, që nuk bazohet mbi borxhin por mbi një start të ri pa borxhe. Çka do të thotë se kemi çdo qindarkë që na duhet për t’i paguar PAK në kohën e duhur” ka pohuar Rama. Ndërkohë që një tjetër nismë e marrë gjatë këtij viti ka qenë edhe rishikimii dosjeve të invalidëve, ku është bërë largimi nga skema i atyre që i përfitonin padrejtësisht atë.


Redaksia Online
(shqiptarja.com