TIRANE - Invalidët e punës kërkuan të hënën shtimin e buxhetit me rreth 780 milionë lekë. Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri gjatë një seance dëgjimore në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave tha se qeveria duhet të mbështesë këtë kategori.

“Mosha jonë mesatare është 49.3 vjeç dhe fëmijët tanë kanë të drejtë të arsimohen. Buxheti i planifikuar për ne për vitin 2015 është 3 miliardë e 24 milionë lekë, por duhen edhe 780 milionë lekë. Sot më shumë përfitim ka një individ që nuk ka kontribuar sesa unë që isha kontribues”, u shpreh Omuri.

Sipas tij, në bazë të përllogaritjeve, referuar indeksit të varfërisë nevojiten 2 dollarë për person, ndërsa Omuri nënvizoi se janë gjithsej 65 mijë invalidë të punës. Ndër të tjera Omuri theksoi se qeveria u ka premtuar mbështetje dhe kërkesat e tyre janë pjesë e premtimeve të saj.

Ndërkohë Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave bëri të ditur se kërkesat e kësaj kategorie do të merren në shqyrtim ga ana e komisionit dhe se do të kërkonte dhe vemendjen e Kuvendit përkundrejt shqetësimeve të paraqitura.

Marrë nga "ATSH"

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)