Investigimi/Shtesa e kontratës rreth
 1 mln €  për dixhitalizimin e RTSH

Investigimi/Shtesa e kontratës rreth<br /> 1 mln €  për dixhitalizimin e RTSH
Kthimi i teknologjisë së transmetimeve televizive në Shqipëri nga analoge në dixhitale, po shoqërohet me hije dyshimi në lidhje me mënyrën sesi po kërkohet të plotësohet kontrata fillestare e lidhur mes Ministrisë së Inovacionit dhe kompanisë gjermane Rohde & Schwarz, me përfaqësuese në Shqipëri kompaninë “Idea­Tel”.

Kontrata e lidhur me palëve në prill të vitit 2013 me vlerë 21.5 milion euro, kërkon të zgjerohet tashmë nga ana e Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH) duke përfshirë bërjen nga fillimi të 11 pikave të transmetimit, përkrah 33 të tjerave të parashikuara në kontratën fillestare.

Kjo shtesë në kontratën fillestare pritet ta shtojë akoma më shumë barrën financiare që do të përdoret për procesin e dixhitalizimit të transmetimeve televizive.

Burimet bëjnë të ditur se fondi limit për investimin në 11 pikat është kërkuar nga RTSH të jetë rreth vlerës 1 milion euro. Gazeta “TemA” ka mundur të sigurojë shkresën e dates 2 dhjetor, ku drejtori teknik i RTSH kërkon hapjen e procedurës për ribërjen e 11 pikave ekzistuese të shpërndarjes së sinjalit të RTSH­së.

dokumenta tvsh

dokumenta tvsh

Dyshimet e para lindin mbi domosdoshmërinë e bërjes se këtyre pikave, në një kohë kur në kontratën fillestare të firmosur nga Ministria dhe Rohde & Schwarz, këto 11 pika konsiderohen se disponojnë infrastrukturën e duhur dhe kullat e përshtatshme për të montuar aty antenat dixhitale.

Në shkresën e RTSH­së, e cila merr edhe miratimin e zëvendësdrejtorit të këtij institucioni, Martin Leka, i cili vepron si drejtor aktual, kërkohet që këto 11 pika t’i jepen për ndërtim kompanisë Rohde & Schwarz përmes një tenderi me negocim dhe pa shpallje paraprake.

Kjo procedurë ngre dyshimet e para, sepse RTSH është autoriteti që përfiton nga kontrata për dixhitalizimin dhe jo autoriteti kontraktor (që në këtë rast është Ministria e Inovacionit) dhe e dyta, për shkak të një procedure të dyshimtë tenderimi, e cila shpall pa konkurs kompaninë Rohde & Schwarz si fituese për bërjen e punimeve në këto pika.

Procedura e shpalljes pa konkurs kryhet vetëm në situata emergjente dhe për afate lëvrimi shumë të shkurtra, në një kohë kur procedura për ketë projekt ka nisur prej dy vitesh.

Në shkresë theksohet se këto pika paraqesin problematikë komplekse, në një kohë kur dy vite më parë ato ishin përcaktuar se kishin të gjithë teknologjinë e përshtatshme për të instaluar antenat dixhitale.

“Për zgjidhjen e problematikave komplekse që paraqesin 11 pikat ekzistuese në implementimin e projektit të dixhitalizimit, të sistemit të integruar të shpërndarjes së sinjalit të RTSH­së, kërkojmë inicimin e procedurës me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, me kompaninë Rohde & Schwarz, duke u bazuar në argumentimin e nevojës për zbatimin e kësaj procedure sipas parashikimeve të ligjit të prokurimit publik,” theksohet në shkresën e RTSH.

Në vijim të argumentimit në lidhje me këtë procedurë tenderimi del në pah dhe një problem tjetër, kur thuhet se procesi i negocimit pa shpallje duhet të bëhet me të njejta kushte dhe cmime që ka pasur kontrata fillestare e lidhur dy vite më parë mes Rohde & Schwarz dhe Ministrisë së Inovacionit.

Në procedurat ligjore të prokurimit, çmimi për pajisje teknologjike nuk mund të zhvillohet me të njejtat cmime reference të dy viteve më parë, duke nisur nga fakti që teknologjia zhvlerësohet më rreth 30 përqind kur kalon një afat i tillë kohor. Kontrata nxjerrë në pah dhe një detaj të rëndësishm të asaj që po ndodh me procesin e dixhitalizimit të transmetimeve dixhitale në Shqipëri, kur thuhet se negocimi pa shpallje paraprake të njoftimit me kompaninë Rohde & Schwarz kërkohet për shkak të kohës së pakët që ka ngelur në dispozicion për plotësimin e fazës së parë të kontratës fillestare të dixhitalizimit.

“Me anë të kësaj procedure…do të fitonim kohë në implementimin e rrjetit, duke pasur parasysh afatet fizike dhe klimaterike. Afati kohor për finalizimin e fazës së parë të projektit është 28 javë nga hyrja në fuqi e kontratës (datë 24 korrik 2015), që është data 5 shkurt 2016,” argumentohet procedura e negocimit pa shpallje në shkresë.

Procesi i dixhitalizimit të transmetimeve televizive është nisur nga ish­ ministri i Inovacionit, Genc Pollo në vitin 2013 dhe përreth dy vite u zvarrit nisur nga akuzat për korrupsion.

Ishte Gjykata e Shkallës së Parë ajo që vendosi që tenderi ti kalonte kompanisë gjermane Rohde & Schwarz dhe miratimi formal i saj u bë nga ministrja Milena Harito në mars të këtij viti.

Ndërkaq, media ka ngritur shqetësim për një kontratë 8.8 milion euro që RTSH kërkon t’i dorëzojë kompanisë Rohde & Schwarz për mirëmbajtjen e rrjetit dixhital në një kohë kur nuk është mbyllur as faza e parë paraprake për procesin e dixhitalizimit./TEMA/


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg