“Rrjetet e lidhura mirë të transportit dhe energjisë nxisin rritjen ekonomike dhe kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës. BE është e angazhuar të përmirësojë ndërlidhjen me dhe midis vendeve të Ballkanit për të lidhur më mirë njerëzit, ekonomitë dhe infrastrukturën”, thotë departamenti i zgjerimit, teksa promovon broshurën, që është një material i zgjeruar i projekteve që u paraqitën dhe në samitin e Triestes.
Teksa në këtë dokument dhe në hartën kryesore mungojnë projektet për Shqipërinë për vitin 2017, komentuesit shqiptarë kanë pyetur për këtë. “Do të doja që të kishte fonde për Shqipërinë”, thotë një komentues. Interesimit të tij i është përgjigjur Departamenti, që e ka orientuar në faqet e departamentit të Komisionit për Shqipërinë dhe në atë të delegacionit të BE-së dhe instrumentet e paraasistencës.
Në broshurën për axhendën e ndërlidhjes 2017 jepet informacion për bashkëfinancimet dhe projektet e investimeve në Ballkanin Perëndimor për vitin 2017.
Në Samitin e Triestes, zhvilluar në fillim të muajit korrik u prezantuan shtatë projekte të reja me bashkëfinancim, vlera e të cilëve përllogaritet të jetë 538.5 milionë euro. Nga të shtatë projektet, 6 prej tyre janë në transport dhe vetëm një në sektorin e energjetikës. Për këtë vit, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë paraqitur asnjë projekt.
Të shtatë projektet parashikohen se do të hapin 2150 vende të reja pune. Për 2017-n, sipas Axhendës së Lidhshmërisë, Serbia do të jetë përfituese e dy granteve që do t’i jepen për realizimin e një projekti në sektorin e energjetikës dhe një projekti në sektorin e transportit.
Numrin më të lartë të projekteve e ka Bosnjë dhe Hercegovina, e cila do të mbështetet me grante për katër projekte në transport.
Ndërsa Maqedonia do të mbështetet në financimin e vetëm një projekti, por që ka vlerën më të lartë. Projekti i energjetikës për ndërtimin e gazsjellësit nga Nishi (Serbi) deri në kufijtë me Bullgarinë, përllogaritet që do të ketë një kosto prej 85.5 milionë eurosh, nga të cilat rreth 49.5 milionë do të financohet me grantet e BE-së apo rreth 59%. Në përmbushje të këtij projekti do të hapen 250 vende të reja pune. Projekti parashikon shtrimin e 108 kilometrave tuba.
Në projektet infrastrukturore të transportit, Bashkimi Europian do të financojë 30% të kostove të projektit.
Bosnja, e cila ka katër projekte në transport, kryesisht për ndërtimin e korridoreve lidhës, do të përfitojë katër grante me vlerë 46.1 milionë euro për projekte me vlerë totale investimi 241 milionë euro. Të katërt projektet parashikohen se do të hapin në Bosnjë 1600 vende të reja pune.
Nga të gjashtë projektet në transport, vlerën më të lartë e ka ndërtimi i interkoneksionit hekurudhor midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, korridori që lidh Lindjen me Mesdheun. Investimi do të kapë vlerën e 152 milionë eurove, prej të cilave 45% (70 milionë euro) do të financohet prej granteve të BE-së. Projekti parashikon rehabilitimin e 34 kilometrave hekurudhë me standardet moderne, 2 stacione, 5 kilometra urë dhe 5.5 kilometra tunel. Për realizimin e këtij projekti do të hapen 300 vende të reja pune gjatë ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com