Ndoshta më tepër se sa në plot vende të tjera, këtu njerëzit ende mendojnë shpesh herë që kanë aq kohë sa u ka caktuar jeta dhe kjo nuk është e mjaftueshme për të bërë atë çka dëshirohet. Një botëkuptim i tillë, që përgjithësisht tenton të justifikojë prapambetjen e vetes dhe të një shoqërie të tërë përpara zhvillimeve me ritme të shpejta dhe përmirësimeve domethënëse të nivelit të jetesës madje edhe në disa vende të Evropës Lindore, vazhdimisht është kundërshtuar nga një mendim tjetër dedikuar Senekës dhe i vërtetuar në gjithë botën për jetë të jetëve: “Nuk është pak koha që e kemi, shumë është koha që nuk e shfrytëzojmë”.

Në këtë vështrim vlerësohet se, “Shqipëria ka një potencial pjesërisht të pazbuluar, falë pozicionit strategjik si portë hyrëse në të gjithë Rajonin”. Kështu u shpreh Ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, e cila javën e kaluar pati takime në Tiranën zyrtare, stacioni i parë gjatë një turi vizitash të saj në Ballkanin Perëndimor.

     Kjo të bën të mendosh, gjithashtu, se suksesi i Shqipërisë në përftimin e statusit të Shtetit kandidat për anëtarësim në BE, çka në të vërtetë përfaqëson një vlerë politike edhe për të tëra Shtetet Anëtare të Unionit, nuk do të kishte asnjë kuptim të injorohej e shpërdorohej me zënka të brendshme për interesa meskine dhe vizione të ngushta në këtë fillim reformash të rëndësishme, për ndërmarrjen sa më shpejt të të cilave po tregon vullnet politik të qartë qeverisja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Nuk do të kishte asnjë kuptim të injorohej dhe të shpërfillej edhe nëse i referohemi, për shembull, përpjekjeve rreth hartimit të projektligjit për ndarjen e re territoriale, që u miratua pardje me shumicë të cilësuar votash të krahut të mazhorancës në seancën e fundit plenare të sesionit të parë vjetor të Kuvendit të Shqipërisë.

Prej disa muajsh, pjesëmarrja në Komisionin parlamentar përkatës u refuzua nga deputetët opozitarë me pretendime të luhatura, që tek e mbramja u artikuluan me idenë bishtënuese ndaj rolit të tyre institucional apo edhe oponent në jetësimin efektiv të kësaj nisme të domosdoshme për zhvillimin e vendit dhe forcimin e shtetit me tipare moderne. Me idenë bishtënuese ndaj rolit të tyre, duke u shprehur që më parë se sa të bëhej përcaktimi i Hartës së re territoriale të vendit duheshin aprovuar aktet juridike për decentralizimin e pushtetit te njësitë e qeverisjes vendore. Absurde kjo, po të merret parasysh që ato akte do të marrin fuqi me “dizenjinim” përfundimtar të një Harte të re, që së bashku të përbëjnë pjesë integrale të reformës administrative – territoriale.

Prandaj, tani e tutje nuk mbetet veçse të shpresohet që përfaqësuesit e zgjedhur të atyre partive ta gjejnë dhe të ndjekin rrugën e Parlamentit, ku mund dhe duhet të përfshihen prej muajit të ardhshëm në piketimin e qartë, diskutimin e plotë dhe përcaktimin e saktë të matricave të decentralizimit, në mënyrë që projektligji mbi ‘to të njohë një vendimmarrje me vota të të dy krahëve kryesorë politikë të vendit dhe me ritmet që bënë të mundur miratimin e ndarjes së re territoriale vetëm 5 javë pas përftimit të statusit të shumëpritur nga Brukseli. 

     Pikërisht kështu, pra, të të dy krahëve kryesorë politikë dhe me ritme të shpejta, sepse efektet e zbatimit të  kësaj reforme nuk mund të zvarriten si shumë zhvillime gjatë legjislaturave të mëparshme, ato mund dhe duhet të shtrihen deri në çdo cep të vendit, me përfitime të ndjeshme ekonomike dhe me rritjen e cilësisë së jetesës së të gjithë qytetarëve shqiptarë. Dhe, me këto përfitime, naivitet do të ishte të kuptohej vetëm  kursimi çdo vit prej buxhetit të shtetit të rreth 60 miljonë USD nga suprimimi i mijëra pagave të punonjësve në një listë aktualisht të gjatë të njësive të qeverisjes vendore, shumë kjo që pa dyshim do të hidhet për përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme në funksionimin e ndarjes së re territoriale.

Gjithashtu, do të ishte kuptim i mangët të mendohej që me zgjerimin e territoreve në kufij goxha më të gjerë se sa deri tani, vetëm investimet për ngritje restorantesh apo objektesh të tjera turistike nga buxhetet individuale, ato për zgjerimin dhe modernizimin e fermave bujqësore familjare, apo edhe shtimi i industrisë së konfeksioneve (fasoneve) të përbënin gjithë korpusin e objektivave strategjike të shtetit. Sfida më e madhe, për të shfrytëzuar “potencialet e pazbuluara ende”, për të cilat kanë filluar të interesohen seriozisht kompani të rëndësishme gjermane, shoqëri industriale italiane etj., natyrsiht që është shtimi i investimeve të huaja direkte. Çfarë kuptohet me ‘to?

     Studime ndërkombëtare të ndryshme tregojnë që investimet e huaja direkte ndikojnë pozitivisht në rritjen e rolit dhe forcimin e shtetit ku realizohen këto investime, sidomos në vendet në zhvillim. Në këtë kuptim, këto lloj investimesh vlerësohen si faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe efektet e tyre janë mjaft pozitive për të gjithë aktorët e interesuar. Ato shoqërohen me kulturën e biznesit, profesionalizmin, inovacionin e shërbimeve, por edhe me instalimin e teknologjisë së përparuar.  Njëherazi, investimet e huaja që transferohen në Shqipëri do të kryenin edhe një funksion tjetër dytësor, atë të trajnimit dhe zhvillimit të kapitalit human, i cili mund të transmetohet në shoqëritë vendase, duke krijuar kështu edhe ndërlidhje më të ngushtë bashkëpunimi me shtetet, që interesohen të investohet në Shqipëri.

Pa folur pastaj për kontributin tjetër, i cili ka të bëjë me rritjen e punësimit, shtimin e produktivitetit, zhvillimin e konkurrencës së ndershme që passjell edhe eleminimin e monopeleve në treg. Këto lloj investimesh sjellin këtu, gjithashtu, përmirësim të aktiviteteve tregtare dhe prodhuese, si rrjedhojë jo vetëm të veprimtarive të shoqërive të huaja, por edhe të asaj që quhet ‘Know-how – njohuritë dhe përvoja e një natyre teknike, tregtare, administrative, financiare etj, që aplikohet në aktivitetin e një kompanie apo në ushtrimin e një profesioni. Dhe këto, sigurisht, me prezencën e asaj që përkufizohet me termin ‘spillover’ – çdo efekt indirekt i shpenzimeve publike.

     Pa u ndalur në definicionin dhe konceptin e investimeve të huaja direkte (Foreign Direct Investments), si edhe në tipologjinë, format dhe kategoritë e ndryshme të tyre, nuk mund të mos shtrohet pyetja: a ekzistojnë kushtet, përkatësisht kuadri ligjor, për t’u kryer investime të huaja direkte në Shqipëri? Sipas nenit 16 të Kushtetutës sonë parashikohet që:
“1. Të drejtat e liritë themelore, si dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë për shtetasit tanë vlejnë njëlloj edhe për të huajt e për personat pa shtetësi në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur Kushtetuta e lidh në mënyrë të posaçme me shtetësinë shqiptare ushtrimin e të drejtave e të lirive të caktuara.

2. Të drejtat dhe liritë themelore, si dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa përputhen me qëllimet e përgjithshme të këtyre personave dhe me thelbin e këtyre të drejtave, lirive dhe detyrimeve”.
Gjithashtu, Shqipëria ka miratuar dhe ratifikuar traktate ndërkombëtare, duke u bërë këto kështu pjesë e së drejtës sonë të brendshme dhe duke prevaluar mbi ligjet dhe aktet nënligjore. Pikërisht edhe ky fakt mund t’u hapë fushë të gjerë investimeve të huaja direkte në Shqipëri, sepse në raste mosmarrëveshjesh të ndryshme këto mund të shqyrtohen dhe zgjidhen sipas normave ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet ekonomiko – trefgtare.

Hapi i parë dhe më i rëndësishëm që ka bërë Shqipëria për të tërhequr investitorët e huaj u realizua me miratimin e ligjit nr. 7764, datë 02.11.1993. Për më tej, mund të përmendet ligji “Për ndihmën shtetërore” i vitit 2005, ligji i vitit 2007 “Për Qendrën Kombëtare të regjistrimit”, ai i vitit 2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, ligjin për shtesat që iu bënë më 2010 ligjit të parë “Për investimet e huaja” etj. Në këto kushte u krijua edhe Agjencia Shqiptare pëto kushte u krijua edhe Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), veprimtaria e së cilës përqendrohet kryesisht në lehtësimin dhe mbështetjen e investimeve të drejtpërdrejta në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet identifikimit dhe promovimit për investime, duke u ofruar investitorëve mbështetje dhe shërbime, në rritjen e aftësive konkurruese të ndërmarrjeve të vogla e të meseme etj.

Por, e rëndësishme është të theksohet që, ndonëse kuadri ligjor dhe kapacitetet administrative nuk kanë munguar, qeverisja e re e gjeti gjendjen në këtë drejtim të përafërt me atë të vitit 1997. Sepse, midis të tjerash, është vërejtur vazhdimisht paqëndrueshmëri politike në jetën e vendit, inflacion i lartë, konkurrencë e pandershme dhe kriminalitet i organizuar.
Këto tipare negative sidomos të qeverisjeve nën Sali Berishën nuk mund të mos u shtohet korrupsioni i lartë dhe burokracia e padurueshme. Por, natyrisht, e lidhur me ‘to edhe ndarja administrative – territoriale me kufizime të shumta, si ato gardhishtet e skërkave bujqësore.

Prandaj, interesimit aktual të investitorëve potencialë të huaj dhe përfitimeve të shumanshme e mjaft të efektshme të vendit tonë nga investimet e qëndryeshme të tyre këtu, do t’u hapte horizonte të gjera Harta e re territoriale, e cila pa ngurim mund të thirret si një arritje madhore në erërat e reja që po fryjnë. Një arritje, që pa dyshim do të konsolidohet dhe shumëfishohet sidomos prej reformës në Drejtësi, efektet e së cilës do të krijojnë dhe rritin sigurinë juridike si për shtetasit tanë, edhe për ata të huaj. Për investitorët që parashikohet të kryejnë këtu investime direkte në mjaft sektorë, deri në ata strategjikë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)