Investimet e Huaja Direkte përsëri rritje, arritën në 749 milionë euro për 6-mujorin e parë

Investimet e Huaja Direkte përsëri rritje, arritën në 749 milionë euro për 6-mujorin e parë

Investimet e Huaja Direkte shënuan vlera të reja rekord për tremujorin e dytë dhe të gjithë 6-mujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e dytë 2024 vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 395 milionë euro, në rritje me 3.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 749 milionë euro, gjithashtu niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Vlera e Investimeve të Huaja Direkte paraqitet në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e investimeve të huaja direkte edhe për tremujorin e dytë të vitit është mbështetur njëkohësisht nga shtimi i flukseve të reja dhe nga rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues. 52% e totalit të investimeve të huaja direkte ishin injektime të reja të kapitalit, ndërsa 47% ishin fitime të riinvestuara. Megjithatë, në të dhënat progresive të 6-mujorit fitimet e riinvestuara vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 394 milionë euro, 5.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Fitimet e riinvestuara përbënin 53% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2024. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 25%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 14%, e hidrokarbureve, në masën 13%, e energjetikës, në masën 13%, si dhe komunikacionit, në masën 4%.

Të njëjtët sektorë kishin qenë dominues edhe në tremujorin e parë të vitit, me pasuri të paluajtshme, në masën 23%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 21%, e hidrokarbureve, në masën 13%, e energjetikës, në masën 5%, si dhe komunikacionit, në masën 5%.

Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit duket se ka rritur paralelisht edhe interesin për të investuar në prona në Shqipëri, veçanërisht në zonat bregdetare. Sipas vlerësimeve nga Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA), veçanërisht në zonat bregdetare të jugut të Shqipërisë blerësit e huaj ose jorezidentë janë dominues, me rreth 70% të transaksioneve të blerjes.

Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse për të investuar. Kjo e ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona jo më për nevoja banimi apo shfrytëzimi familjar, por për qëllime investimi.

Një rol të rëndësishëm po luajnë investimet e vazhdueshme të ndërmarrjeve ekzistuese, sidomos në sektorin financiar dhe në atë të hidrokarbureve. Sektori financiar dhe veçanërisht ai bankar e kanë rritur kontributin e tyre në vitet e fundit, edhe për shkak të rritjes graduale të kërkesave rregullatore për kapital ndaj bankave tregtare./ Monitor

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Humbi vëllanë, Gjykata e Hagës nuk i jep leje Jakup Krasniqit për ceremoninë e varrimit! U përcoll sot në Drenas

Humbi vëllanë, Gjykata e Hagës nuk i jep leje Jakup Krasniqit për ceremoninë e varrimit! U përcoll sot në Drenas