OSHEE ka nisur investimin për ndërtimin e kabinave ajrore dhe rrjetit të ri të tensionit të ulët, me vlerë 125 milionë lekë në Njësinë Administrative Mollas, Cërrik. Ndërhyrja me këtë projekt nga ana e OSHEE-së ishte e domosdoshme në kushtet e një rrjeti tejet të amortizuar, ndërtuar që në vitin 1967, i cili nuk garantonte më furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Kryeministri Edi Rama, së bashku me deputetin e Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla panë nga afër punimet që po kryhen nga OSHEE, të cilat pritet të përfundojnë brenda 3 muajve.
“Kjo është një zonë që i ka munguar energjia elektrike, pavarësisht se paguan rregullisht energjinë, por besoj me këtë investim që po sjell OSHEE-ja, tashmë do i qëndrojmë angazhimit që kemi marrë ndaj kësaj zone,” u shpreh deputeti Balla. “Investimi këtu është bërë që në 1967-ën dhe janë 125 milion lekë të reja që investon OSHEE-ja për rikonstruktimin e 20 kabinave dhe ndërtimin e 3 kabinave të reja ajrore, i gjithë sistemi ABC i tensionit të ulët. Përfshin njësinë administrative Mollas, Rrajcë, Papër dhe fshatrat përreth. Ky investim mbaron për 3 muaj,” u shpreh kreu i OSHEE-së, Ardian Çela. Nga ana tjetër ai shtoi se OSHEE po kryen edhe disa investime të tjera mjaft të rëndësishme për këtë qark.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate%20shqiptarja.png)
“Njëkohësisht jemi duke investuar 130 milion lekë të reja në Bashkinë e Cërrikut për aksin Cërrik-Elbasan, ku përfitojnë rreth 10 mijë banorë. Kemi dhe dy investime në proces. Për herë të parë preket qyteti i Përrenjasit, i cili s’është prekur asnjëherë me një investim, rreth 40 milionë lekë të reja dhe kemi aksin tjetër Cërrik-Dopaj, që është 120 milion lekë të reja. Vetëm në Qarkun e Elbasanit janë 167 projekte që kemi investuar në këto 4 vite,” deklaroi Çela.
Kryeministri Rama tha se i gjithë ky transformim në rrjetin e energjisë elektrike erdhi si rezultat i reformës së ndërmarrë nga qeveria në këtë sektor. “Deri përpara pak vitesh as bëhej fjalë për të imagjinuar që do kishte investime në rrjetin e energjisë elektrike, sepse këtu investimi i fundit është bërë kur është elektrifikuar vendi, në 1967-ën. U desh reforma, u deshën edhe sakrificat e shumë familjeve që të paguanin detyrimet e papaguara dhe pak nga pak të fillojmë të ndryshojmë komplet gjithë rrugën e të ardhmes,” tha ndër të tjera Kryeministri Rama. Brenda sezonit të verës banorët e zonave përfituese të projektit do të kenë më në fund cilësi të lartë të furnizimit me energji elektrike, garanci kjo edhe për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral të zonës.
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)