Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv është diskutuar mbrëmjen e sotme lidhur me investimin në Zvërnec, pasi pak ditë më parë dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, i cili është një prej investitorëve, tha se nëse projekti do të miratohej, do të bënte krenar çdo shqiptar.

Gjatë fjalës së tij, aktivisti Ilir Xhemalaj tha se Shqipëria nuk ka nevojë për turizëm elitar të këtyre niveleve, ku sipas tij parashikohet ndërtimi i mijërave njësi banimi.

Xhemalaj tha se vendi ynë ka nevojë për turizëm familjar, që sipas tij do i vinte në ndihmë familjeve shqiptare,

Duke e cilësuar si të gabuar investimin në Zvërnec, Xhemalaj tha se projekti do të sjellë kosto të larta dhe rritje të çmimeve për banorët e zonës.

“Ne vijojmë të jemi të bindur që është një investim totalisht i gabuar. Në radhë të parë duhet parë se çfarë përfitojnë shqiptarët nga ky projekt. Do ketë kosto shumë të larta për banorët e zonës atje. Ai që e blen një vilë 2 milionë euro nuk e ka problem që një kile domate ta blejë 10 mijë lekë. S’është çështja që aty po ndërtohen 5 vila. Aty po ndërtohen 10 mijë njësi banimi. Turizmi shqiptar nuk është një turizëm i tillë. Por është një turizëm familjar. Ne duhet të shohim kush janë përfituesit realë të këtij projekti. Protesta është maturuar, ka kaluar pjesën e Zvërnecit dhe tani kërkon dorëheqjen e Qeverisë”, tha mes të tjerash Xhemalaj.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, tha se kongresmenët amerikanë i kanë kërkuar Jared Kushner të japë shpjegime në Kongres për investimin në Zvërnec dhe lidhjet me Artur Shehun, i shpallur në kërkim nga SPAK.

Sipas Muçit, thirrja e tij për të dhënë shpjegime në Kongres mund të bëhet e detyrueshme pas zgjedhjeve të mes-mandatit në nëntor në SHBA, ku ai tha se demokratët pritet të fitojnë shumicën.

Në përfundim Muçi theksoi se në tokën e kontestuar mes Artur Shehut dhe banorëve të zonës në Zvërnec, kryeministri Rama kishte dhënë leje edhe për ndërtimin e 3 resorteve të tjera.

“Ajo është një tokë e kontestuar mes banorëve të asaj zone dhe një personi, Artur Shehu, që jeton në Amerikë, që i janë ngrirë transaksionet për shitjen e tokës nga SPAK. Janë kongresmenë amerikanë që i kanë kërkuar Jared Kushnerit që të dëshmojë në Kongres për projektin dhe lidhjet me Artur Shehun. Dhe ai do të detyrohet pas zgjedhjeve të nëntorit, kur demokratët të fitojnë shumicën në kongres. Te e njëjta tokë ku është dhënë leja për projektin e Zvërnecit, Rama dha leje për 3 resorte të tjera, në tokën e kontestuar mes Artur Shehut dhe banorëve të zonës. Tre resorte të reja te e njëjta tokë. Po përfshihet prona e Artur Shehut, që është e kontestuar”, tha mes të tjerash Muçi.

Gazetari Bardh Sejdarasi tha se aktualisht po punohet për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe vetëm pas përfundimit të këtij raporti qeveria shqiptare do të marrë një vendim, duke kërkuar gjithashtu miratimin e Bashkimit Europian.