Inxhinieret: Përmirësimi i Kodit të Ndërtimit emergjencë

Inxhinieret: Përmirësimi i Kodit të Ndërtimit emergjencë

Profesori i inxhinierisë së ndërtimit Luan Myrtaj tha se Shqipëria ka kapacitete shkencore dhe të dhëna të hollësishme sizmike. Për çdo objekt, sidomos pallatet kërkohet studimi sizmik. Sot të gjitha kompanitë e ndërtimit e kryejnë vetë studimin, pasi duhet të jetë pjesë e lejes së ndërtimit. Para viteve 2000 ky studim kryhej nga institutet shtetërore, por ish kryeministri Fatos Nano e liberalizoi studimin, duke e kaluar këtë përgjegjësi tek kompanitë e ndërtimit. Këto të fundit detyrohen të paguajnë një ekspert për studimin sizmologjik që kushton rreth 1 milionë lekë për një pallat shumëkatësh.

Por zoti Myrtaj thotë se, problemi më i madh është aplikimi i Eurokodeve si standard ligjor. Deri tani Eurokodi aplikohet sipas vullnetit të kompanive dhe inxhinierëve, teksa vuri në dukje se nuk ka një variant të përkthyer saktë. Tre variantet e përkthyera deri më tani në shqip të Eurokodit nuk janë të përshtatshme, pasi nuk janë të kuptueshme thotë ai.

Kodet e ndërtimit të vitit 1989 parashikojnë dhe japin siguri për kohën që është hartuar ku banesat nuk ishin më shumë se 5 kate. Mirëpo tani, kur ndërtesat kalojnë 10 e 15 katet edhe në zona jo të rekomanduara nga ana sizmike duhet urgjent një adaptim i Eurokodeve

Nëse supozohet se disa ndërtues do të shkojnë në gjyq për objektet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ato të gjithë do të jenë në rregull me ligjin, pasi kanë zbatuar standardin ligjor në fuqi, lajmëroi inxhinieri.

Ja çfarë parashikon Kodi shqiptar 1989

Kushti teknik i projektimit, i publikuar në vitin 1989, ishte përditësimi i fundit i miratuar me ligj i kodeve tona teknike të projektimit, i cili shoqërohej me hartën sizmike. Sipas KTP 1989, kërkesat sizmike që duhet të zbatohen jepen kryesisht për sheshe ndërtimi me intensitete sizmike mbi VI ballë.

Llogaritja e konstruksioneve ndaj veprimit sizmik jepet mbi bazën e parametrave sizmikë të shesheve të ndërtimit me intensitet VI ½ deri në iX ballë. Ky kod teknik jep përcaktimet për projektimin e strukturave në terrene me intensitet sizmik deri në iX ballë, për zona me intensitete më të mëdha, ky kusht nuk mund të merret si referencë.

KTP-89 rekomandon që veprat të konceptohen me rregullsi strukturore në plan dhe në lartësi për sa i përket kompaktësisë dhe simetrisë, duke siguruar për këtë qëllim:

– Shpërndarje të tillë të masave që të mos ndryshojnë shumë në lartësi

– Thyerje jo shumë të theksuara në plan dhe në lartësi

Kur thyerjet në plan ose lartësi të një ndërtese janë të theksuara, si edhe kur pjesët fqinje të ndërtesave i kanë ndërkatet me nivele të ndryshme, rekomandohet ndarja me fugë antisizmike në mënyrë që të sigurohet rregullsia strukturore. Fugat antisizmike duhet të realizohen edhe në rastet kur struktura ka një gjatësi të madhe, pavarësisht nëse kanë rregullsi strukturore apo jo. Rekomandohet përdorimi i materialeve ndërtimore të lehta, për të ulur peshën e konstruksionit (e rrjedhimisht edhe forcën sizmike që vepron në strukturë).

Synohet të sigurohet puna hapësinore e konstruksioneve mbajtëse gjatë veprimit sizmik, si dhe të krijohen kushtet e zhvillimit të deformimeve plastike.

Qëllimi i KTP 1989 është që, në rast tërmetesh, do të mbrohet jeta e njerëzve, do të kufizohen dëmtimet. Do të mbeten funksionale (operacionale) strukturat ndërtimore që janë të rëndësishme për mbrojtjen civile.

Sipas këtij kushti, llogaritja e ndërtimeve bëhet duke vlerësuar rrezikun sizmik mbi bazën e ballëve (shkalla Merkali). Sipas Kodeve shqiptare për ndërtesat e zakonshme merret në konsideratë ndodhja e një tërmeti të fuqishëm në 100 vjet.

Sipas Eurokodit, duhet të ndërtohet në këtë mënyrë

Inxhinieri i ndërtimit, Altin Serani, shpjegon se, në Praktikën Normative Europiane (EC8) si vlerë e rekomanduar për shpeshtësinë e veprimit sizmik të projektimit apo tërmetit të projektimit më të lartë jepet periudha e përsëritjes 475 vjet. Kjo do të thotë se, kur ndërtohet, merret në konsideratë që objekti të përballojë një tërmet që bie një herë në 450 vite.

Serani thotë se në literaturën teknike europiane, trajtohet edhe mundësia e një veprimi sizmik shumë të madh, të jashtëzakonshëm, e tërmetit “maksimal të mundshëm”. Ky natyrisht konsiderohet shumë më i rrallë se “tërmeti i projektimit”. Sipas disa indikacioneve, tërmeti maksimal i mundshëm mund të konsiderohet tërmeti me periudhë në 1000 vjet. Ka edhe rekomandime për ta zgjedhur atë me intensitet 2 herë më të madh se sa tërmeti i projektimit.

Eurokodi (EC8) për këtë tërmet, si dhe për kriteret përkatëse të projektimit nuk ka përcaktime specifike. Mund të konsiderohet se respektimi i masave specifike konstruktive suplementare që përmban ky Eurokod ndihmojnë për një përballim të mundshëm edhe të një tërmeti të tillë eventual, por meqë ka pak të ngjarë që të ndodhë. Strukturat në rajonet sizmike sipas Eurokodit 8 duhet të ndërtohen të tilla që të përmbushin kriteret e mëposhtme:

1-Kërkesa e kufizimit të dëmtimeve

Tërmetet e shpeshtë me intensitet relativisht të vogël në lëkundjet e terrenit nuk duhet të ndërpresin shfrytëzimin e objektit pas ndodhisë së tyre. Ky nivel i korrespondon gjendjes kur dëmtimet strukturore janë të kufizuara dhe sistemi kryesor rezistues i forcave vertikale dhe horizontale ka kryesisht po ato karakteristika dhe kapacitete sikundër para tërmetit. Struktura nuk ka nevojë për ndonjë masë përforcimi.

Ajo mund të shfrytëzohet menjëherë. Kështu, për ndërtesat e zakonshme, kjo kërkesë duhet të plotësohet për veprimin sizmik me 10% probabilitet të ndodhjes në 10 vjet ose perioda e përsëritjes së tërmetit 95 vjet.

2-Kërkesa e mos ndodhjes së shembjes

I korrespondon gjendjes kur në ndërtesë ka dëmtime të konsiderueshme, por aty ka ende rezerva strukturore, krahasuar me gjendjen e një kolapsi total ose pjesor. Struktura është dëmtuar konsiderueshëm, me soliditet dhe ngurtësi të mbetur relativisht të ulët dhe elementet vertikale janë të aftë të mbajnë ende ngarkesa vertikale. Elementet jostrukturore kanë pësuar dëmtime, megjithatë muret ndarës dhe mbushës nuk mund të kenë dalë nga funksioni i tyre. Spostimet relative të përhershme mesatare, janë të pranishme. Këto dëmtime mund të shkaktojnë plagosje në njerëz, por risku i plagosjeve me kërcënim të jetës së njerëzve është i ulët. Struktura duhet të përballojë (durojë) pas-goditjet e tërmetit me intensitet të moderuar. Struktura ka kosto të lartë riparimi apo ka gjasa të jetë joeficiente për t’u riparuar. Kështu, për ndërtesat e zakonshme, kjo kërkesë duhet të plotësohet për veprimin sizmik me 10% probabilitet të ndodhjes në 50 vjet ose perioda e përsëritjes së tërmetit 475 vjet.

3-Qëndresa strukturore

I korrespondon gjendjes kur ka dëmtime të tilla thelbësore strukturore që çojnë sistemin strukturor në prag të kolapsit strukturor dhe plagosje të mundshme. Struktura është dëmtuar rëndë, me soliditet dhe ngurtësi horizontale. Shumica e elementeve jostrukturore janë shembur. Spostimet relative të përhershme të mëdha janë të pranishme në të. Struktura është në prag të kolapsit dhe ka gjasa të mos i rezistojë një tërmeti tjetër, madje edhe kundrejt një tërmeti me intensitet të moderuar. Kjo strukturë është e pamundur të riparohet. Kështu, për ndërtesat e zakonshme, kjo kërkesë duhet të plotësohet për veprimin sizmik edhe më të lartë se tërmeti i projektimit. Perioda e përsëritjes së tërmetit është një herë në 2000 vjet.

Eurokodi aplikohet edhe në Shqipëri me raste

Serani shprehet se në vitet e fundit janë bërë përpjekje për të kryer një sërë studimesh, të cilat do të përbëjnë bazën për aplikim të kodeve moderne të projektimit antisizmik (Eurokodi 8).

Kështu, p.sh., u hartua harta e re e rrezikut sizmik bazuar mbi metoda probabilitare, u hartua katalogu i tërmeteve, u përcaktuan zonat që janë burim tërmetesh, u studiuan një sërë modelesh mbi shuarjet dhe parametrat e amplifikimit në një sërë zonash, meqë nuk kemi matje të drejtpërdrejta, etj. Bazuar në studimet e bëra, është arritur në përfundimin se përgjatë “zonës sizmogjene” Joniane-Adriatike mund të ndodhin tërmete me magnitudë maksimale të pritshme – Magnitudë = 7 – 7.5 në veri të zonës tërthore Shkodër – Pejë, kurse në jug të saj, në pjesën ballore, mund të ndodhin tërmete me Magnitudë = 6.0 – 7.0.

Në drejtim të Tiranës, në lindje, mund të ndodhin tërmete me M = 5.5 – 6. Sipas studimeve, vetëm në Shqipëri, periudha e përsëritjes së një tërmeti me M = 5.0 është 3.6 vjet, e një tërmeti me M = 6.0 është 29.1 vjet, e një tërmeti me M = 6.5 është 93.9 vjet dhe e një tërmeti me M = 7.0 është 505.6 vjet.

Profesor Altin Serani thotë se për krijimin e një kodi të plotë dhe të saktë projektimi, duhet të jetë një studim i plotë në rang vendi i sizmologjisë dhe një mikro-zonim i saktë i të gjithë territorit, në mënyrë që të skicohen harta të sakta për intensitetin e parashikuar të tërmeteve maksimale të pritur për zona të veçanta. Ekspertët pohojnë se adoptimi i eurokodeve në legjislacionin shqiptar e rrit koston e ndërtimit me 5%, por ndërtuesit dhe inxhinierët kanë zgjedhur të aplikojnë këto standarde në shumë objekte të ndërtuara pas vitit 1990.

Ligjet dhe përgjegjësitë duhet të saktësohen

Inxhinierët e ndërtimit kërkojnë që kërkesa për lejet e ndërtimit duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje aspektit gjeologjik se sa përmbajtjes së strukturës. Aktualisht, kriteret për lejet vlerësojnë më së shumti aspektin e volumit të strukturës, ndërsa duhet t’i kushtohet më shumë kohë dhe kushte për verifikim aspektit gjeologjik ku vihet objekti dhe kritereve sizmologjike. inxhinierët kërkojnë me urgjencë aplikimin e hartave të reja sizmologjike dhe aplikimin e Eurokodit në legjislacionin vendas. inxhinieri Agim Serani thotë se, duhet të përqendrohet përgjegjësia ndaj një personi gjatë ndërtimit të një objekti. Aktualisht, nëse një objekt shembet është vështirë të gjendet përgjegjësi, pasi secili prej personave që ka marrë pjesë që nga projektuesit, arkitektët, inxhinierët e zbatimit mbajnë përgjegjësi individuale. Në BE ekziston një profesion i veçantë që mbikëqyr të gjitha proceset dhe ai është përgjegjësi nëse objekti shembet apo dëmtohet./ Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dri: 15/12/2019 23:37

    Ajo qe me shqeteson mua eshte se degjoj shume inxhinier qe flasin per Eurokodet dhe sidomos EC8, ndersa IBC(International Building Code) ose KIN (Kodi Internacional I Ndertimit) nuk permendert askund. Ka ardhur koha te jemi me agresiv ne aplikimeve te kodeve te ndertimit dhe jo vetem te flasim per EC8 se na ra termeti dhe ti harrojme fatketsite e tjera qe mund te ndollin ne objekte. Ne shqiperi ka nevoj ne menyre emergjente te vendoset nje kod i tille sepse na duhet te sistemojme njeher e pergjithmone kete katastrofe qe e kemi krijuar vete.

    Përgjigju
  • Habi: 14/12/2019 10:04

    Nuk e dime 15 kateshi i ndertuar ne vitet 70-te me cfare kod projektimi u ndertua, qe qendron bukur edhe pas 50 vjetesh ne kembe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës