Irani përpiqet të 'bombardojë' zgjedhjet në SHBA me dezinformata në stilin rus

Irani përpiqet të 'bombardojë' zgjedhjet në SHBA me dezinformata në stilin rus

Irani i ka nisur përpjekjet nga të katër anët për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, me ndihmën e ueb-sajteve, hakerëve dhe sulmeve “phishing”.

Synimi i fushatës së sofistikuar është nxitja e mosbesimit në sistemin demokratik amerikan dhe shfrytëzimi dhe rritja e ndasive shoqërore, thonë ekspertët e kibernetikë dhe të inteligjencës amerikane.

Me afrimin e zgjedhjeve të 5 nëntorit, hakerët iranianë janë akuzuar se kanë sulmuar llogaritë e emaileve të kandidatëve për president, atij republikan Donald Trump, dhe asaj demokrate Kamala Harris.

Hulumtuesit dhe vlerësimet e inteligjencës amerikane tregojnë se të dy fushatat, e Trumpit dhe e Harrisit, kanë qenë në shënjestër të sulmeve “phishing” që janë kryer nga një grup me lidhje të dyshuara me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), degën elitare të Forcave të Armatosura.

Ekspertët thonë se një rrjet iranian, i quajtur “Stuhia-2035”, operon shumë faqe të lajmeve joautentike në ueb dhe në rrjetet sociale, që përdorin përmbajtje të prodhuar nga Inteligjenca Artificiale (IA), për t’i trazuar disidentët konservatorë dhe liberalë.

“Qëllimi kryesor i Iranit në këtë hapësirë është të shkaktojë kaos dhe përçarje, si dhe ta minojë integritetin e sistemit zgjedhor të Shteteve të Bashkuara”, tha Simin Kargar nga Laboratori për Hulumtime të Forenzikës Digjitale me bazë në Uashington (DFRLab).

“Nëse ata ia dalin, qoftë edhe në një shkallë shumë të vogël, do të jetë një dëshmi për retorikën e kamotshme të Iranit se demokracia është një 'koncept perëndimor me të meta' dhe se madje edhe SHBA-ja, e cila e ka akuzuar shpesh Iranin për zgjedhje të kurdisura, është e prekshme nga polemikat që lidhen me zgjedhjet”, tha ajo.

Së paku katër “faqe të maskuara iraniane të lajmeve”, të udhëhequra nga Storm-2035, janë identifikuara nga Microsoft Threat Analysis Center (MTAC) si ueb-sajte “që po i angazhojnë aktivisht grupet e votuesve amerikanë nga të dyja partitë politike me mesazhe polarizuese për çështjet si, kandidatët amerikanë për president, të drejtat e LGBTQ-së, dhe konfliktin Izrael-Hamas”.

Në një raport më 9 gusht, MTAC i veçoi me emër tri sajte: Even Politics [evenpolitics.com], Nio Thinker [niothinker.com] dhe Savannah Time [savannahtime.com].

Me Trumpin dhe Harrisin në garë të ngushtë 11 javë para votimit, Even Politics po publikon përmbajtje të fokusuar në luftën e vazhdueshme në Gaza, kërcënimet e supozuara kundër demokracisë dhe ndikimin e grupeve fetare. Pjesa më e madhe e përmbajtjes në faqe dukej se drejtohej kundër Trumpit.

Neo Thinker, i cili u shfaq menjëherë pas fillimit të luftës së Gazës në tetor, prej atëherë e ka zhvendosur fokusin e tij nga ai konflikt në zgjedhjet në SHBA.

Përmbajtja e tij i përshtatet "audiencës liberale" me "artikuj sarkastikë dhe të gjatë që fyejnë Trumpin", sipas MTAC, duke përfshirë një që e quan atë "elefant me pilula opioid në dyqanin MAGA të Kinës".

Kjo faqe gjithashtu e sulmon Harrisin për gjoja mbështetjen e saj të palëkundur për Izraelin, dhe kandidatët për zëvendëspresident nga të dyja palët, dhe hedh benzinë mbi tema të nxehta si ndikimi i korporatave dhe imigracioni.

Një artikull i paraqitur si kolumne pyet "Pse qëndrimi i Harrisit ndaj Palestinës i kushtoi asaj me votën time". Një storje e titulluar "J.D. Vance And The Rise Of The Sperm Cups" tallet me të propozuarin e Trumpit për zëvendëspresident, për shkak të qëndrimit të tij për "vlerat familjare", të cilin e përshkroi si "biletë me një drejtim të kthimit në vitet ’50".

Dhe, një tjetër e shkruar nga "perspektiva e një agjenti të FBI-së" pretendon se i zgjedhuri i Harrisit për zëvendëspresident, Tim Walz, ka një "lidhje të gjatë" me Kinën dhe Qeverinë e saj.

Ueb-sajti i tretë, Savannah Time, paraqitet si me origjinë nga qyteti Savanah në shtetin kyç Xhorxhia. Kjo faqe, sipas Darren Linvill, bashkëdrejtor i Qendrës së Inovacionit të Medias Ligjore të Familjes Watt, synon qartë të apelojë tek e djathta, me shkrime që sulmojnë Harrisin dhe mbështetësit e saj.

Politikat ekonomike të Harrisin kritikohen shpesh nga Savannah Time. Në një shkrim, ajo i përshkruan ato si "ekonomi të pamatur fiskale që do ta bënin edhe një marinar të dehur të skuqej". Një tjetër e akuzon atë për "një flirt të rrezikshëm me kontrollimin e çmimeve në stil komunist".

Shumica e artikujve të publikuar nga tri faqet janë shkruar nga "stafi" dhe kompania e kërkimit të inteligjencës artificiale Open AI tha në një raport të 16 gushtit se Storm-2035 mbështet shumë në ChatGPT për të prodhuar përmbajtje.

Ekspertët sugjerojnë se në shumë mënyra qasja e Iranit për të ndikuar në sistemin zgjedhor të SHBA-së është kopje e asaj të Rusisë, e cila përdori profile të rreme për t’i vërshuar mediat sociale me dezinformata dhe me përmbajtje përçarëse gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, duke favorizuar gjerësisht Trumpin kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton.

"Ajo që ne kemi parë nga këto faqe interneti sugjeron një lloj [fushatash] të stilit rus, ku ata kanë krijuar faqe interneti që kanë në shënjestër komunitetet në të majtë dhe në të djathtë", tha Linvill.

"[Ata duan] mbase t'i përdorin ato faqe interneti për targetuar këto komunitete për të përhapur dezinformata dhe ndoshta për ta bërë politikën tonë më ekstreme sesa do të kishte qenë, si dhe për të ndikuar që ne të grindemi mes vete më lehtë", shtoi ai.

Linvill tha, gjithashtu, se ueb-sajtet iraniane në disa mënyra i tejkalojnë ato ruse dhe se janë përmirësuar me kalimin e viteve.

"Ato janë të ndërtuara vërtet jashtëzakonisht mirë. Qartazi, ata përdorin AI-në në mënyra vërtet interesante për të krijuar përmbajtjen e tyre", tha Linvill.

Përpjekjet iraniane për të ndikuar në procesin zgjedhor të SHBA-së janë vërejtur prej vitit 2018, kur persona joautentikë u përdorën për t’i imituar kandidatët për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së dhe për t'u paraqitur si gazetarë, sipas specialistëve nga firma kundër kërcënimeve kibernetike Mandiant.

Analistët sugjerojnë se fushata u rrit pas vrasjes së komandantit të IRGC-së, Qasem Soleimani, në një sulm ajror amerikan në Irak në janar të vitit 2020, kur Trump ishte president.

Dy shtetas iranianë, për shembull, u akuzuan për përfshirjen e tyre në një fushatë kibernetike për të ndikuar te votuesit amerikanë në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat Trump i humbi kundër presidentit Joe Biden.

Mandiant theksoi se aktorët iranianë u dërguan emaile kërcënuese votuesve në Shtetet e Bashkuara gjatë fushatës së vitit 2020. Mandiant dhe ekspertë të tjerë kibernetikë thanë gjithashtu se Irani përdori faqet e mediave si, Even Politics, për të tentuar të ndikojë në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022.

Përveç përdorimit të platformave mediatike, agjencitë e inteligjencës amerikane dhe ekspertët e kërcënimeve kibernetike thonë se Irani aktualisht po përdor sulme phishing dhe hakimi, në një përpjekje për çrregulluar votimin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Fushata e Trumpit më 10 gusht fajësoi Qeverinë iraniane për hakimin e disa prej komunikimeve të saj të brendshme, duke nxitur një hetim federal.

Një vlerësim i përbashkët nga tri organe të inteligjencës amerikane, i publikuar më 19 gusht, konfirmoi se "ka pasur rritje të aktiviteteve agresive iranian gjatë këtij cikli zgjedhor", duke përfshirë "aktivitetet e raportuara së fundmi për të kompromentuar fushatën e ish-presidentit Trump".

Duke marrë parasysh vrasjen e Soleimenit, vendimin e njëanshëm të SHBA-së për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe përkeqësimi i marrëdhënieve gjatë administratës së Trumpit, shumë ekspertë thonë se Teherani nuk dëshiron që Trumpi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Fushata e Trumpit sugjeroi se sulmet kibernetike ndaj saj, për të cilat e fajësoi Iranin, ndodhën për shkak të armiqësive me Teheranin në të kaluarën.

Megjithatë, në shënjestër të sulmeve kibernetike ka qenë edhe fushata e Harrisit.

Raporti i përbashkët i inteligjencës amerikane këtë muaj tha gjithashtu se ishte i bindur se "iranianët, përmes inxhinierisë sociale dhe përpjekjeve të tjera, janë përpjekur të sigurojnë qasje tek individët që kanë qasje të drejtpërdrejtë në fushatat presidenciale të të dyja partive politike".

Teherani ua ka mësyrë kampeve republikane dhe demokrate sepse “Irani po kërkon mënyra për të shkaktuar mosmarrëveshje dhe përçarje mes komuniteteve të ndryshme të votuesve”, tha Kargar. Rusia e bëri të njëjtën gjë më 2016, shtoi Kargar./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Sëmundjet që lidhen me konsumimin e ushqimeve të përpunuara

Sëmundjet që lidhen me konsumimin e ushqimeve të përpunuara