Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka marrë në dorë çështjen e Irena Gjokës për të shqyrtuar nëse ajo e ka fshehur një dënim në vitin 2005 në Greqi, pasi KLGJ nuk pranoi ta merrte dosjen. Tashmë për gjyqtaren ka nisur një hetim disiplinor bazuar në argumentin se mund të bëhet fjalë për një shkelje.
Në një lidhje direkte me “Frontline” në Report TV, juristi Indrit Sefa thotë se nisja e këtij hetimi tregon që “Gjoka nuk ka asnjë mbrojtje” nga institucionet. “Do të bëhet një proces i rregullt ligjor ku të gjitha palët të kenë të drejtën për t'u dëgjuar, të paraqesin provat”, thotë juristi.
Sipas ILD, Gjoka ka pasur detyrim më shumë se një herë për të deklaruar të dhëna për pastërtinë e figurës. Sefa thotë se Gjoka e ka firmosur formularin e vetëdeklarimit në vitin 2016. Dëbimi ka afat 10-vjeçar, shton Sefa, kurse ndalimi i hyrjes është vendosur në 2005 duke bërë që Gjoka të mos kishte detyrim ligjor për ta deklaruar.
Nga ana tjetër, gjyqtarja i është drejtuar më parë me një letër KLGJ-së ku mohonte të kishte dijeni lidhur me dënimin ndaj saj. Për këtë, Sefa thotë se ky diskutim lidhet me kryerjen e veprës penale, por mbetet ende të shihet.
“Në formularin e dekriminalizimit, dëbimi ka afat 10 vjeçar. Në këtë rast kemi ndalim për të hyrë në një vend të BE. Dëbimi duhet vetëdeklaruar për 10 vitet e fundit. Formulari i vetëdeklarimit është firmosur nga Gjoka në 2016. Ajo duhet ta deklaronte nga 2006 e në vazhdim, ndërkohë që moslejimi i përket vitit 2005. S’ka pasur detyrim ligjor për ta deklaruar. A ka pasur detyrim moral? Kjo është çështje tjetër. Për dënimin, a ka qenë efektiv, a ka pasur dijeni është diskutim që lidhet me kryerjen e veprës penale. Nëse ka pasur dijeni dhe nuk e ka deklaruar ka konsumuar elementë të veprës penale që është falsifikim i formularëve dhe shkresave shtetërore. Për këtë, ka një procedim në Prokurorinë e Posaçme dhe s’ka akoma një konkluzion. Nga sa kam arritur të konstatoj, nuk është se ka pasur një proces penal ku Gjoka ka marrë pjesë dhe është në dijeni”, tha juristi.
Sa i përket shënjestrimit nga Berisha që shpesh e ka etiketuar me forma të ndryshme gjyqtaren, Sefa shprehet se është qartazi një gjueti politike për të sulmuar reformën në drejtësi.
“Është qartësisht gjueti politike sepse klasa politike kërkon të sulmojë reformën në drejtësi dhe për të mbështetur retorikën e saj kundër reformës në drejtësi kërkon që të gjejë një simbol të kësaj beteje dhe normalisht duan të bëjnë simbol të saj Gjokën, e cila në të vërtetë është një magjistrate që ka 30 vjet eksperiencë dhe ka qenë në gjykata të ndryshme në Shqipëri dhe në gjykatën e Fierit ka pasur sulme fizike. Kjo politikë, meqë e ka kaq përzemër reformën në drejtësi, Gjoka ka qenë te Gjykata e Krimeve të Rënda, ka qenë anëtare dhe për sa kohë që nuk u cenuan interesat personale të klasës politike, Gjoka ishte në të drejtën e saj të vazhdonte detyrën, nuk kishte pretendime. Në momentin që ajo bëri detyrën e saj në disa hetime penale dhe çështje gjyqësore me rëndëis të veçantë politike, u bë target i sulmeve. Ky sulm politik ndaj Gjokës nuk është ndaj saj si individ, por ndaj sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të reja të drejtësisë si SPAK e GJKKO. Nuk duan të sulmojnë Gjokën, por sistemin e drejtësisë”, tha Sefa.
Juristi nuk la jashtë vëmendjes as standardin e dyfishtë të opozitës, e cila në rastin e Berishës refuzoi çdo akuzë dhe nuk pranoi heqjen e imunitetit, ndërsa pretendon të kundërtën për Ballukun. Sefa thotë se çdo çështje që lidhet me drejtësinë, nuk duhet të marrë ngjyrime politike dhe duhet të adresohet sa më shpejt.
“Morali është arma e vetme që ka opozita. Sot fatkeqësisht nuk e ka. Të njëjtën aktorë në komisionin e mandateve në rastin e Berishës mbanin qëndrim refuzues për heqjen e imunitetit, ndërsa sot thonë që duhet hequr imuniteti për Ballukun. Unë jam dakord që në të gjitha rastet që vjen një kërkesë nga drejtësia për heqjen e imunitetit, patjetër që duhet të adresohet një orë e më parë për t’i lënë rrugë drejtësisë për të bërë punën e vet”, përmbylli juristi.
Komente












