Sipas Kumes sot është afati i fundit që subjektet e regjistruara në zgjedhje të paraqesin listat e deputetëve.
“Sipas Kodit Zgjedhor subjektet duhet të paraqesin në zgjedhje listat jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve që do të thotë se jo më vonë se sot. Sot është dita e fundit, sot është dita e 50. Ora 00:00 është afati i fundit që subjektet që janë të regjistruar të kenë të drejtën të paraqesin listat”, tha Kume në një lidhje telefonike për Report Tv.
Kume u shpreh se pas skadimit të afatit në fund të kësaj dite në rastin e një dakordësie politike Kodit Zgjedhor mund t’i ndryshohet dispozita që parashikon afatet për regjistrimin partive si subjekte zgjedhore që pasohen nga regjistrimi i listave të kandidatëve.
“Kodit mund t’i ndryshohet dispozita që parashikon këtë afat. I shtohet kësaj dispozite ndryshimi afateve por edhe e data e regjistrimit të partive dhe listave, sepse ndryshimi i datës nuk të jep të drejtën të regjistrosh kandidatët nëse nuk je regjistruar si subjekt. Me një dispozitë të përkohshme në kushtetutë mund të ndërhyhet në kod përmes një marrëveshje që zgjat mandatin e Kuvendit deri në datën kur do të bëhen zgjedhjet”, deklaroi Kume.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com