Ish-manjati i naftës në Shqipëri, biznesmeni Rezart Taçi është marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e “mospagimit të taksave dhe tatimeve”. Vendimi për marrjen të pandehur të Taçit e ka marrë prokuroria e cila tashmë ka dërguar të gjithë materialet hetimore në gjykatë. Prokuroria ka arritur të gjejë element të veprës penale të konsumuar nga Rezart Taçi në kohën që ishte administrator i shoqërisë “ARMO” dhe “Taçi Oil”.
 
Sipas prokuorisë, Taçi me cilësinë e administratorit të ARMOS menjeherë pas blerjes së aksioneve nga shteti shqiptar, nuk ka paguar detyrime tatimore për disa vite, duke i sjell shteti një dëm prej miliona eurosh.
 
Burimet thanë se Rezart Taçi nuk ka preferuar të paraqitet në prokurori për tu njohur me provat dhe të marr dijeni për ngritjen akuzës, duke ia deleguar të gjitha këto veprime avokatit mbrojtës.
 
Hetimi në Zvicër
Ish-manjati naftës në Shqipëri Rezart Taçi që u ka shpëtuar thuajse të gjitha çështjeve penale në Tiranë, po përballet me një hetim intensiv nga Prokuroria Publike e Kantonit të Gjenevës në Zvicër.
 
Bëhet fjalë për një hetim të nisur që prej vitit 2014 nga kjo prokurori pasi dy kompani të huaja si ajo Panameze “Wallis Trading INC” dhe ajo Holandeze “Trafigura Beheer Bv” kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Kantonit të Gjenevës në Zvicër kundër biznesmenit shqiptar të naftës Rezart Taçi. Kallëzimi është bërë për tre akuza si ajo e “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.
 
Nga të dhënat që ka siguruar gazeta “Shqiptarja. com” mësohet se biznesmeni shqiptar Taçi, ka pasur marrëveshje tregtare që prej vitit 2009 me dy kompanitë e lartpërmendura, marrëveshje këto që sipas autoriteteve Zvicerane kanë sjellë dëme ekonomike në miliona euro ndaj dy kompanive kallëzuese, të cilat kanë si aktivitet tregtar energjinë dhe naftën.
 
Rezulton se prokuroria e Gjenevës në datën 5 maj 2014, ka dërguar në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme një letërporosi , duke kërkuar ndihmë nga homologët Shqiptarë, pasi një pjesë e veprimtarisë kriminale dyshohet se Taçi e ka kryer në vendin e tij, Shqipëri.
 
Zyra e Interpol Tiranë dhe Prokuroria e Përgjithshme, nuk konfirmojnë nëse është ndaluar apo jo Rezart Taçi , por pranojnë se janë vënë në dijeni se ndaj tij ka një proces penal në Gjenevë.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)