Ish-ambasadori i SHBA, Withers tha se vendi është drejt greminës, ndërsa akuzoi Berishën për uzurpim institucionesh. Komenti juaj?
Arta Dade, ish-Ministre e Jashtme dhe deputete e PS: E ndoqa më vëmendje ambasadori Withers, i cili nuk është i vetmi mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve që ka trajtuar shqetësimet serioze, lidhur me funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Pak muaj më përpara dëgjuam të njejtat deklarata e shqetësime dhe nga ish-ambasadori i mbretërisë së Danimarkës, vend i cili pati dhe presidencën e radhës të BE-së. Pa asnjë mëdyshje ambasadori Withers është një njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri, megjithëse ka pak kohë që është larguar. Por është i vërtetë fakti që prej largimit të tij, gjërat veçse janë përkeqësuar, në vend që të shënonin përmirësim dhe për shkak të angazhimit për integrimin në BE. Mënyra e drejtëpërdrejtë e shqetësimit të shprehur për institucionet e pavarura, në mënyrë të veçantë funksionimi i gjyqësorit, kufizimi i lirive dhe të drejtave nga ana ekzekutivit dhe posaçërisht kryeministri Sali Berisha, sulmet e praprecedenta ndaj ish-presidentit e Prokurorit të Përgjithshëm për ngjarjet e 21 janarit, instalimi i autoritarizmit, janë të papranueshme për një qytetar amerikan, të rritur në vendin i kampionit të demokracisë dhe sigurisht shqetësuese për cilindo dashamirës që shqiptarëve dhe Shqipërisë i uron vetëm progres dhe një jetëse më të mirë, si dhe integrim sa më të shpejtë në familjen e vlerave të vërtetë demokratike. Unë dua të kujtoj me shumë respekt angazhimin e tij të fortë gjatë periudhës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ai ka të drejtë të ngrejë shqetësimin që mjaft nga ato standarde për të cilat Shqipëria u pranua NATO dhe për të cilat vetë Uidhers punoi dhe dha garanci për Shqipërinë, të ketë regres në elementët kryesorë të demokracisë. Përpjekjet e vazhdueshme të kryeministrit Berisha për të kontrolluar SHISH dhe realizimi së fundmi i këtyre përpjekjeve me emërimin e kreut të ri të shërbimit sekret, është tregues i përkeqësimit të treguesve demokratikë por dhe i kontrollit dhe uzurpimit të të gjitha institucioneve nga kryeministri. Sulmet ndaj prokurorisë, mosbindja ndaj saj dhe fshirja e provave për 21 janarin, sulmi ndaj ish-presidentit, janë elementë që shënojnë regres në treguesit të funksionimit demokratik të shtetit. Njëherësh dhe kufizimi i lirisë së medias është një shqetësim i shprehur dhe nga institucione euroatlantike që punën me median e lirë e kanë në fokus siç ishte dhe rasti i komisionerëve të OSBE.
Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm dhe deputet i PD: Pse duhet të komentoj opinionet e njërit prej 6 miliardë qytetarëve të botës. Nuk them asgjë më shumë se kaq.
Ish-presidenti dhe kryetar i FRD Bamir Topi: Shqetësimet e ish-ambasadorit janë me vend. Ato kanë qenë pjesë e bashkëbisedimeve gjatë periudhës që kam qënë në krye të shtetit. Ne ndajmë me ambasadorin Uithers, sikurse me çdo përfaqësues të shtetit që përbën për shqiptarët shtetin më mik, sikurse janë SHBA-të, shqetësimet për demokracinë. Vazhdimisht kemi qenë në sintoni të plotë. Unë ju siguroj që ndodhemi në një moment shumë të vështirë ku një dorë po merr gjithçka.
Mendoni se përtej deklaratave së pretenduara si personale, ish-ambasadorët janë njësh me qëndrimin e administratës amerikane?
Arta Dade: Ambasadori Withers nuk është i vetmi që ka ngritur këto shqetësime. Madje dhe mesazhi i zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker pas takimit me kryeministrin dhe përfaqësues të institucioneve të pavarura tregojnë qartazi që partnerët tanë euroatlantike inkurajojnë konsolidimin e demokracisë dhe nuk ka se si të bëjnë kompromis me shkeljen e standardeve për funksionimin e kolonave kryesore të shtetit demokratik. Sugjerimi i Withers se shqiptarët duhet të ndjehen të lirë të shprehin mendimin e tyre është në një linjë me thirrjet që ambasadori aktual i SHBA Aleksandër Arvizu bëri paradokohe kur lançoi nismën "Vepro tani". Kështu nuk ka asnjë mospërputhje ndaj asaj që konstaton e shpreh hapur ambasadori Withers dhe mesazheve publike e jopublike që DASH ka shprehur në vazhdimësi me autoritetet e shtetit shqiptar. Kur Berisha sulmonte Prokuroren e Përgjithdshme dalja publike në krah të saj e ambasadorit të SHBA Arvizu është i njejtë më ketë qëndrim. Ndërkohë që për zgjedhjen e Presidentit, unë jam shprehur shumë kohë më parë, qëndrim të cilin e ka shprehur dhe ambasadori aktual Arvizu, dhe ambasadorët e tjerë dhe funksionarë të lartë të BE, që fryma e Kushtetutës kërkonte një president konsensual.
Tritan Shehu: E thashë dhe njëherë që nuk bëj koment për këtë.
(sg/shqiptarja.com)