Ish-prokurori i Fatos Nanos:
Si më kërcënoi Gazidede

Ish-prokurori i Fatos Nanos: <br />Si më kërcënoi Gazidede
TIRANE-Skënder Demiri, prokurori i Apelit në 1995 rrëfen historinë e procesit gjyqësor ndja ish kreut të opozitës Fatos Nano.

Rrëfimi vjen tre ditë pas intervistës së dhënë nga ish kreu i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi,  po për "Shqiptarja. com", ku ndër të tjera rrëfente irritimin e Berishës për qëndrimin që ai mbajti për rrëzimin e një prej akuzave të liderit të opozitës Fatos Nano.

Një ndër çështjet e përmendura nga Zef Brozi në intervistën e tij dhënë për shqiptarja. com, tre ditë më parë, ishte irritimi i Berishës për qëndrimin që ai mbajti për rrëzimin e një prej akuzave të liderit të opozitës Fatos Nano. Përkundrejt fjalëve të Brozit, për herë të parë flet për shqiptarja.com, ish prokurori i Apelit Skëder Demiri, njeriu që në vitin 1995, kërkoi në mënyrë të pazakontë lirimin e liderit të opozitës Fatos Nano nga burgu rrëfen tërë kërcënimet, peripecitë dhe pasojat e këtij vendimi, tashmë që ai që nga viti 2005 ushtron avokatinë në kryeqytet, duke u ndarë nga 30 vite jetë si prokuror i shtetit.

Ai thotë se e kërcënuan, i kërkuan të lërë dosjen dhe të largohej, i ndryshuan vendimin, të cilin e ribëri sërish, gjykata kërkoi pushim seance ku pas urdhërave të tjera u vendos që Nano të lihej në burg. Demiri rrëfen rrethimin e Gjykatës me tre gardhe policie dhe pjestarë të SHIK, kërcënimet dhe survejimet e Gazidedes dhe zgjidhja private me të, duke e kërcënuar me kokë, si dhe përplasjet me shefin e tij direkt Rrapi. Ish-prokurori rrëfen dhe takimin e vonë me Fatos Nanon në verë të vitit 2005 kur kandidoi për deputet me siglën e PS në Mat dhe ku pas këtij viti ushtron avokatinë, pas 30 viteve si prokuror. Një rrëfim më detaje për një ngjarje të bujshme të asaj kohe, që silli dhe futjen e burgut në Nanos në axhendën e ndërkombëtarëve që kërkuar lirimin e tij si i burgosur politik.


Z.Demiri, jeni prokurori që në vitin 1995 guxuar për herë të parë të kërkonit lirimin e Fatos Nanos direkt nga salla e gjyqit. Cilat ishin arësyet që ju shtynë të vepronit në këtë mënyrë, kur të gjithë kjërkonin, madje dhe brenda lidershpit të partisë Socialiste t'i shtonin vitet e tij të burgut?
Ka qënë një vendim i vështirë për atë kohë por dhe shumë i lehtë për t'u marrë, pasi vetëm duhej të merrej parasysh dhe të zbatohej ligji me korrektësi dhe me ndershmëri dhe gjithçka ishte e qartë. Unë si prokuror i Apelit kisha parë në vijueshmëri se si po shkelej ligji, por dhe po shihja se si donin ta shkelnin ligjin në atë seancë. Kështu që mora një vendim të prerë me veten time që të zbatoj vetëm ligjin dhe nuk bëra as më pak dhe as më shumë por vetëm zbatova ligjin.

Ju e njihnit Fatos Nanon, që arritet të kërkonin në kundërshtim me të gjitha mesazhet që kishit marrë, lirimin e tij nga salla e gjyqit?
Unë atë kohë nuk e njihja Fatos Nanon. Dija për të aq sa dinin të gjithë qytetarët e tjerë, pasi ka qënë kryeministër i vendit, ishte dënuar për një akuza të caktuar dhe kaq. Por nuk e kisha takuar asnjë herë personalisht, pasi nuk kisha pasur as rastin dhe s'kisha pasur as punë me të. Duke qenë se ai kishte kërkuar të lirohej, duke paraqitur argumentet ligjore përmes avokatëve të tij, të cilat ishin bërë publik kuptohet dhe në media më parë, unë pasi shqyrtova dosjen dhe pashë se ishte e drejta e tij ligjore që të lirohej nga burgu, vendosa të zbatoj ligjin.

Por ju e bëtë të qartë qëndrimin tij ditë përpara se të fillonte seanca gjyqësore, duke paralajmëruar se kishte të drejtën ligjore të lirohej nga burgu, dhe se do ta kërkonit një gjë të tillë në sallën e gjyqit. Si e morët guximin, pasi bëhej fjalë për korrikun e vitit 1995?
Kam qënë gjithnjë një zbatues fanatik i ligjit dhe vetëm ligjit. Kue shfaq mendimin se Fatos Nano duhej liruar direkt në sallën e gjyqit pasi i takonte në bazë të ligjit, filluan menjëherë telefonatat kërcënuese, përplasjet brenda Prokurorisë së Apelit me eprorët e mi, por dhe me segmente të tjera të shtetit. Madje u arrit deri atje sa më bënë kërkesë ultimative që të hiqja dorë nga dosja e Fatos Nanos, që ta merrte dikush tjetër këtë dosje dhe të jepte vendimin për të. Unë refuzova në mënyrë kategorike duke u përgjigjur vetëm me argumente ligjore dhe praktikën ligjore.

Nga kush të vinin kërcënimet, nga shefat e tu apo më lart...?
Kërcënimet më vinin nga vendi i punës, Prokuroria e Apelit. Ka qënë shefi i Prokurorisë së Apelit Marenglen Rrapi ai që më kërkoi që të mos kërkoja në sallën e gjyqit lirimin e Fatos Nanos, madje më paralajmëroi se do të më hiqnin dhe dosjen dhe do t'ia kalonin një prokurori tjetër të Apelit.

Nuk të ka thirrur presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, apo paralajmëruar për këtë dosje të rëndë që kishte të vbënte me kreun e opozitës së atëhershme, Fatos Nano?
Presidenti i asaj kohe Berisha nuk më ka kërkuar as takim, as më ka çuar mesazh dhe nuk e di nëse ka qënë ai prapa shefit të Apelit të asaj kohe Marenglen Rrapi. Mua të gjitha paralajmërimet, kërcënimet dhe kërkesat më vinin përmes shefit tim, që mi kalonte në çdo moment, sa më shumë afrohej dita e gjyqit. Por kishin bërë dhe një shkelje tjetër ligjore, ata kishin ndryshuar vendimin tim, kërkesën time për lirimin e Fatos Nanos. Nuk e pranova dhe kërkova shtyrjen e seancës për gjysmë orë dhe në këtë afat kohor me shpejtësi kam ribërë kërkesën time për ta paraqitur në seancë. Unë u paraqita në seancë dhe pasu u dhashë të drejtë avokatëve në kërkesën e tyre, kërkova lirimin direkt të Fatos Nanos nga burgu.

Në këtë vendim të fortë nga ana juaj si mbrojtës i akuzës në emër të prokurorisë së Apelit, cili ishte reagimi i gjykatës së Apelit dhe i personave të interesuar që Fatos Nano të mbetej në burg?
Gjykata nuk e priste, që megjithë presionet dhe kërcënimet që më ishin bërë, unë të jepja një vendim të tillë. Sapo unë mbarova fjalën time ku kërkova lirimin direkt në atë moment të Fatos Nanos nga burgu, trupi gjykues vendosi të shtyjë gjyqin dhe dhënien e vendimit për gjysmë orë tjetër. Gjyqi u shty, dhe në moment gjykata e Apelit është rrethuar nga policia dhe forcat e SHIK-ut të asaj kohe. Madje ka pasur tre rrethime të gjykatës nga këto forca duke formuar një "darë" të fortë përreth gjykatës, e cila ishte në qendër të kryeqytetit dhe ju e keni parë besoj asokohe, pasi keni qenë të interesuar si gazetarë. Trupi gjykues u rikthye në sallë dhe dha vendimin, duke mos e pranuar vendimin tim si mbrojtës i akuzës, një rast i paprecedent në historinë e gjyqësorit kur prokurori kërkon lirimin nga burgu të një personi, gjykata ka të drejtë të vendosë për atë që kërkon akuza.

Ju mendoni se kishte urdhër nga lart, apo ishte thjeshtë një vendim i trupit gjykues të asaj kohe...?
Unë kam qënë 30 vjet prokuror dhe jam njeri i ligjit. Nuk mund të flas pa fakte, kshu që mund të them se nuk di nëse ishte dhënë urdhër nga lart ose jo. Ajo që di unë është se menjëherë pas vendimit tim për lirimin e Fatos Nanos nga burgu dhe vendimit të Gjykatës së Apelit për ta lënë atë në burg, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e klasifikuan Fatos Nanon të burgosur politik dhe filluan kërkesat për lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu, duke shkruar se akuza e tij ka të bëjë vetemë me faktin se është i kryetar i opozitës. Unë veprova sipas parametrave ligjore duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin.

Pasi u dha vendimi që e la Fatos Nanon në burg, ju keni pasur presione nga ana e eprorëve tuaj apo strukturave të tjera të shtetit në lidhje me vendimin tuaj për lirimin e liderit të PS?
Edhe pas vendimit kam pasur shumë presione nga ana e strukturave të shtetit. Përjashtuar Alush Dragoshin, kreun e Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës, i cili ka qënë i vemti që më ka thënë zbato ligjin. Vetëm ai nuk më ka bërë asnjë presion për vendimin që mora për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Po nga SHIK-u i Gazidedes apo Presidenca...?
Mua më ka bërë gjithnjë presion të jashtëzakonshëm kreu i athershëm i Prokurorisë së Apelit, Marenglen Rrapi, i cili nuk e di nëse komandohej nga të tjerët. Por pas gjyqit kam pasur presion dhe nga SHIK-u i drejtuar nga Bashkim Gazidede, ndjesë pastë. Ai më survejonte ntgado që shkoja, qëndronin dhe rrotull shtëpisë sime, kur shkoja në punë dhe kudo pas meje ishin. Me Gazideden e zgjidha çështjen privatisht. I çova fjalë privatisht që të mos më shqetësonte më, të mos më ndiqte dhe survejonte më, pasi do të përgjigjej me kokën e tij nëse vijonte sërish kjo punë. Do ta bëja çështje personale pastaj, dhe kjo me sa duket ndikoi që unë të lehtësohesha një çikë nga përndjekja.

Por ju vijuar të ishit sërish prokuror në Prokurorinë e Apelit?
Presidenti Sali Berisha me sa duket ka qënë i bindur që unë kam shkelur ligjin në lidhje me vendimin që kisha dhënë për lirimin e Fatos Nanos nga salla e gjyqit. Por me sa duket ai është këshilluar me këshilltarët e tij juridikë dhe ligjorë dhe vetëm shtatë ditë pas vendimit, pra më 28 korrik të vitit 1995 ai shkoi në Kuvend dhe kërkoi ndryshimin e ligjit. Me këtë ndryshim ligji, Fatos Nano mbetej në burg gjithsesi, pasi ligji mbi të cilin u mbështeta unë në vendimin tim e nxirrte atë në bazë të të gjitha përllogaritjeve jashtë dyerve të burgut.

Ju e keni takuar Fatos Nanon pas daljes nga burgu?
Unë e kam takuar Fatos Nanon vetëm në vitin 2005, kur kam kandiduar në emër të PS për deputet. Ai më ka vlerësuar shumë për vendimin që mora unë në atë kohë të vështirë, duke zbatuar vetëm ligjin. Më ka takuar, më ka dhënë dorën dhe më ka shprehur vlerësimin e tij në mënyrë të drtejtëpërdrejtë. Në atë kohë, duke zbatuar ligjin kam dhënë dorëheqjen si prokuror, duke i dhënë fund karrierës sime 30 vjeçare në organin e akuzës dhe duke hyrë në fushatën elektorale. Rezultati duhet dhe që nga ajo kohë unë ushtroj avokatinë pa ndërprerje.

Eshtë hapur debati për dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe hapjen e tyre. Si njeri i drejtësisë mendoni se duhet të hapen?
Unë jam kategorikisht pro hapjes së dosjeve. Por ligji i lustracionit duhet të bëhet me kujdes dhe duke parë në shumë drejtime. Qeveria e Berishës e filloi gabim këtë punë, duke kërkuar hapjen e dosjeve për drejtësinë. Unë jam me qëndrimin se asnjë gjyqtar, prokuror, hetues, drejtues policie nuk mban dhe as duhet të mbajë përgjegjësi për ligjin, si është ndërtuar ligji, por ka mbajtur, mban dhe duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin e ligjit të kohës. Pasi ishte i detyruar të zbatonte ligjin e asaj kohe, si kushdo në Shqipëri. Të gjithë ata që kanë shkelur ligjin e asaj kohe duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përgjigjen dhe askush tjetër.

Po për shtresën e ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të shtetit..?
Ndërsa shtresa tjetër që ka lidhje me dosjet e së kaluarës, duhet dhe këta të kategorizohen në persona që kanë sjellë dëmë ndaj shoqërisë apo individëve me informacionet e tyre apo nuk kanë sjellë asnjë dëm. Sepse unë kam hasur në 6 raste të tilla, që pavarësisht se kanë nënshkruar deklaratën e informatorit, ata kanë dhënë informacione për ata që janë ngarkuar si të padëmshme, madje kanë dhënë vlerësime pozitive për ta, duke bërë që pas disa kohësh këta informatorë të cilësoheshin si të paaftë dhe të përjashtoheshin dhe dosje e tyre të arshivohej. Por ama nëse do hapeshin dosjet, emri i tyre del si ish-bashkëpuntor i Sigurimi të Shtetit. Dhe do njësohen si ata që kanë bërë dëmë, si këta që janë përjashtuar si të paaftë.

Po pse nuk hapen dosjet e Sigurimit të Shtetit sipas jush?
Nuk hapen për arsye shumë të forta të politikës. Politika nuk ka se si t'i hapë dosjet e Sigurimit, pasi në të dy krahët e politikës ka ish-bashkëpuntorë. Unë e theksoj dhe njëherë që duhet bërë një ligj shumë i mirë "Lustracioni" dhe duhen hapur urgjent.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Turi i mirënjohjes, Veliaj: Sot Kavaja është më socialiste se kurrë; PS e vetmja forcë që di të bëjë shtet dhe qytet

Turi i mirënjohjes, Veliaj: Sot Kavaja është më socialiste se kurrë; PS e vetmja forcë që di të bëjë shtet dhe qytet