TIRANE - Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, akuzon disa militantë të Partisë Demokratike rreth përplasjes që ka ndodhur para zyrave të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë protestës së ditës së sotme.
 
Ndërkohë që ish- të përndjekurit protestonin, përpara Kuvendit ishin mbledhur edhe të larguarit nga puna në administratë, që protestonin në të njëjtin vend.
 
“Njëkohësisht me protestën paqësore të të dënuarve politikë po zhvillohej dhe një protestë tjetër. Në një moment disa protestues të palës në proteste u drejtuan kundër nesh duke fyer dhe duke shtyre pleq të moshave të mëdha, që kishin dalë në këtë protestë paqësore dhe kishin bërë me dhjetëra vite burg politik.
 
Në media ndoqëm një protestuese të prononcohej kundër protestës sonë paqësore, duke e quajtur atë si anti- protestë të këtij grupimi. Ajo u shpreh se ‘më kanë kërcënuar deri me jetë’. Shprehim habinë për këtë prononcim, i cili, duke pasur parasysh se vjen nga militantët salistë, justifikon arrogancën dhe brutalitetin e e këtyre protestusve ushtarë.
 
Duam të theksojmë se këta persona, të cilët ankoheshin se ishin larguar nga vendet e punës, kur ne protestonim, digjeshim, burgoseshim e terrorizoheshim nga qeveria, e cila kishte ardhur në pushtet duke përdorur dhe vuajtjet tona si karburant politik, njëkohësisht këta individë, që me paturpësi fyenin dhe shtynin pleq të moshuar, ndoshta nuk e merrnin parasysh se kishin ndenjur në zyrat shtetërore duke u mbështetur dhe nga vuajtjet e këtyre martirëve”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së ish- të Burgosurve Politikë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)