Historia
Edhe pse është 92 vjeç dhe ka kaluar vite të tëra në burg, Gjelosh Biku deri më dje nuk kishte përfituar asnjë qindarkë nga shteti. Në fondin e çelur së fundmi për të përndjekurit Gjeloshi mori 6 milion e 150 mijë lek për vitet e burgut. Por nuk ka qenë vetëm 92 vjeçari ai që ka përfituar këstin e parë të pagesës, mes tyre kanë qenë edhe ish drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, dhe dy anëtarë të tjerë të kësaj familje, të cilët me këstin e parë u dëmshpërblyen gjithsej me 2 milion e 500 mijë lek.
Për ministrin Veliaj, edhe pse është e vështirë të listosh ish-të përndjekurit politikë të cilët kanë vuajtur dhe kanë kaluar një pjesë të madhe të jetës së tyre nëpër burgje, të privilegjuar do të jenë të gjithë personat mbi 70 vjeç, që janë gjallë e që deri më sot nuk kanë marrë asnjë këst. Sipas Veliajt, ndryshimet në ligj do të bëhen brenda datës 20 maj. “Nga java që vjen do diskutojmë ligjin që ata që janë mbi 70 vjeç të marrin prioritet përsa kohë janë gjallë dhe të mos presin këstet kur natyra bën të vetën. Duhet që këstet t’i bëjmë më të mëdha për ata që janë vuajtës, por janë ende gjallë”, deklaroi ministri Erjon Veliaj gjatë shpërndarjes së pagesave të para.
Pagesat
E ndërsa dje në llogaritë bankare të 106 të ish- të përndjekurve janë bërë rreth 28.7 milion lekë të reja, ndërkohë që deklaroi se do të ketë një listë të re të personave që do të përfitojnë pagesën e parë. “Kanë 23 vjet që nuk kanë marrë asnjë qindarkë të gjakut, punës dhe jetës së tyre. Bëhet fjalë për një shoqëri që po i kthen borxhin disa njerëzve që kanë punuar pa pagesë, njerëz që janë torturuar e që kanë humbur njerëz”, tha Veliaj. Për ministrin, ky proces do të vazhdojë pa ndërprerje dhe ka theksuar se nuk duhet të politizohet. Nga ana tjetër, ministri Veliaj shtoi se në asnjë vit tjetër jo elektoral nuk janë dhënë më shumë fonde për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve se sa këtë vit. Sipas tij, edhe ato para që jepeshin nuk shpenzoheshin plotësisht dhe digjeshin pa u shpërndarë. “Ata që kanë marrë këstin e dytë dhe presin të tretin, duhet të na kuptojnë dhe të tregohen solidarë ndaj atyre që nuk kanë marrë asnjë lek”, shtoi ai. Sa i përket ndryshimeve ligjore, Veliaj ka ftuar të gjitha forcat politike që të mbështesin ndryshimet në ligjin për ish të përndjekurit politikë, si një mënyrë për të vënë pak drejtësi për këta njerëz që kanë vuajtur në burgjet e komunizmit. “Dua t’ju bëj thirrje të gjithëve që të votojmë amendimet e reja në ligj dhe të sigurohemi që të marrin këstet ata që janë ende gjallë, për t’i kaluar vitet e fundit të jetës me dinjitet”, nënvizoi ai. Sipas përllogaritjeve të bëra janë rreth 2 mijë persona të cilët janë ende gjallë dhe përfitojnë pagesat e para.
Lexoni listën me 80 emrat e ish-të përndjekurve që do të paguhen në këstin e radhës në Shqiptarja.com (versioni Online)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)