Ka 70 vite mbi supe, përmes një jete me rrugë të mundimshme. Pleqëria e ka shpërblyer me një jetë të qetë pas shumë sfidash, por sërish nuk ka hequr dorë nga puna dhe i ruan fort traditat.
Nënë Tonia nga fshati Shkozë në Pukë, edhe sot, e shoqëruar nga nipi i saj, është nisur drejt mullirit të Gojanit, atje ku bluan misrin, farën të cilën e ruan atë të vjetrën, autoktone.
E mban në shpinë, siç e kërkon zakoni që buka të mos përbuzet, dhe bashkë me nipin mbërrijnë në mullirin e vjetër të Gojanit.
Tone Lika kërkon që kjo traditë të mos shuhet, si shumë të tjera nën ndikimin e modernizmit që ofron koha. Ndaj fillimisht ia shpjegon procesin nipit të saj, Rubinit, një nxënës ekselent në shkollën e Fushë-Arrëzit.
Bluarja e drithit është një teknologji e vjetër, e cila lindi në përpjekjen e njerëzimit për krijimin e kushteve të ushqyerjes, por që edhe sot, ndonëse një traditë që po venitet, krijon shije të veçanta të gatimeve të ndryshme me bazë miellin e misrit.
“Gjithë kohës kemi bluar kështu. Sidomos pasi ka ikur kooperativa. Kishim mullinjtë jo shumë të riparuar. I kemi riparuar sipas kushteve që kishim. Drithi para bluarjes është mirë të jetë i tharë. Misiri i bardhë është ai më i mirë me të cilin ne dhe gatuajmë. Misri i kuq përdorët kryesisht për bagëtitë”, rrëfen nënë Tonia.
Nënë Tonia sot kujton me nostalgji vitet e fëmijërisë së saj, kur prindërit i dërgonin në mulli dhe i linin vetëm atje duke bluar. Asokohe, siç thotë ajo, nga halli, e sot për kënaqësi.
“Për herë të parë kur kam shkuar në mulli, isha shumë e vogël. Mbaj mend që në klasë të katërt. Na çonte nëna, e cila pasi na rregullonte mullirin na linte vetëm duke bluar atje”, tregon ajo.
Edhe për nipin e saj, Rubinin, kjo fundjavë ishte e bukur. Ai shpreson ta ruajë këtë traditë.
“Ishte shumë interesante. Mulliri është një vlerë e rëndësishme historike. Shpresoj të vazhdojnë të punohen tokat që të mbeten në funksion dhe mullinjtë”, thotë Rubin Lika.
Nënë Tonia, edhe sot, kur gatimin ia ka lënë nuses së shtëpisë, bukën e misrit dhe produkte të tjera si çervishi apo qullin e misrit i ka specialitet, që dëshiron t’i gatuajë sërish vetë.
“Nga mielli dalin ushqime me shumë shije. Buka e misrit të bluar në mulli me ujë është diçka e madhe dhe me shije të veçantë. Mua ma ka lënë amanet vjehrra e cila ishte specialiste”, shprehet ajo.
Mullinjtë e bluarjes mbajnë në vetvete histori teknologjike, tregtare dhe shoqërore, por mbi të gjitha janë prodhuesit e një produkti siç është mielli, që mbart shije unike i bluar në të tillë mekanizma, fatkeqësisht sot drejt zhdukjes.
Komente










