Cilësimi i sotëm i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se gjatë mandatit të dytë qeveria e tij synon, së bashku me qeverinë e Shqipërise, realizimin e hekurudhës Gjakovë–Shkodër, ka rikthyer në vëmendje një projekt strategjik me rëndësi të madhe ekonomike, infrastrukturore dhe kombëtare.
Një lidhje hekurudhore mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk është thjesht një investim transporti, por një hap drejt integrimit real ekonomik dhe rajonal. Hekurudha Gjakovë–Shkodër do të krijonte një korridor të ri transporti që lidh Kosovën me portet shqiptare, veçanërisht portin e Shëngjinit dhe atë të Durrësit. Kjo do të ulte kostot e transportit për bizneset kosovare, do të rrite konkurrueshmërinë e eksporteve dhe do të stimulonte tregtinë ndërmjet dy vendeve.
Nga ana tjetër, për Shqipërinë, kjo lidhje do të sillte më shumë volum mallrash në infrastrukturën portuale dhe një rritje të rolit të saj si nyje logjistike rajonale.
Një hekurudhë funksionale pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e zonave që përshkon. Rajoni i Gjakovës dhe ai i Shkodrës do të përfitonin nga investime të reja, rritje e turizmit, hapje vendesh pune dhe zhvillim të bizneseve lokale.
Transporti hekurudhor është gjithashtu më ekonomik dhe më miqësor ndaj mjedisit sesa transporti rrugor, duke kontribuar në objektivat për zhvillim të qëndrueshëm, si të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Vepra-sfidë financiare dhe teknike
Realizimi i projektit të hekurudhës Shkodër-Gjakovë kërkon investime të konsiderueshme financiare, studime fizibiliteti të detajuara dhe koordinim të fortë institucional mes dy qeverive. Burimet e financimit mund të përfshijnë fondet e BE-së, institucione financiare ndërkombëtare dhe partneritete publike-private.
Pjesa e re fringo e hekurudhës kuqezi është linja hekurudhore Shkodër-Gjakovë, e cila do të ketë 7 stacione dhe një gjatësi prej 105.8 km. Pjesa tjetër e hekurudhës nga Durrësi deri në Shkodër, do të jetë e njëjtë me linjën hekurudhore Vorë- Hani i Hotit, për ndërtimin e së cilës po zhvillohen procedurat tenderuese. Linja e re Shkodër-Gjakovë do të përmbajë 43 ura dhe 14 tunele, me nje gjatësi totale të tuneleve prej 35.3 km.
Përvoja e projekteve të mëdha infrastrukturore në rajon tregon se sfidat burokratike, procedurale dhe financiare janë jetike për t’u kaluar.
Dimensioni politik dhe simbolik
Përtej ekonomisë, hekurudha Gjakovë–Shkodër mbart edhe një dimension simbolik. Ajo shihet si një projekt që forcon lidhjet mes shqiptarëve në rajon dhe rrit bashkëpunimin konkret mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në një kohë kur integrimi rajonal dhe bashkëpunimi ekonomik janë përparësi europiane, një projekt i tillë mund të shërbejë si shembull i bashkëpunimit konstruktiv.
Premtimi i Kryeministrit Kurti për realizimin e hekurudhës Gjakovë–Shkodër në mandatin e dytë është ambicioz dhe potencialisht transformues. Nëse projekti konkretizohet, ai mund të sjellë përfitime të ndjeshme ekonomike, zhvillimore dhe politike për të dy vendet tona. Sfida kryesore mbetet kalimi nga vizioni politik tek zbatimi praktik dhe sigurimi i burimeve të nevojshme për ta kthyer këtë projekt në realitet.
Kostot e këtij segmenti përllogariten në 1.8 miliardë euro. Rreth 1.7 miliardë euro janë kosto që nevojiten për ndërtimin, sidomos për tunelet, ndërsa pjesa tjetër kosto për leje, shpronësime, etj.
Hekurudha kuqezi ka rëndësi jo vetëm për transportin e mallrave dhe qytetarëve. Ajo do të përdoret edhe për qëllime ushtarake.
Hekurudha pritet të kalojë pjesërisht në gjurmën ku do të ndërtohet hekurudha Vorë-Hani i Hotit, nga Durrësi drejt Milotit, pastaj në Mjedë, Shkodër, Gjakovë dhe më pas në Prishtinë.
Hekurudha, Porti në Porto Romano dhe Porti i “Thatë” i Prishtinës
Projekti i leverdisshmërisë ka përfshirë edhe Portin Tokësor të konteinerëve në Prishtinë, i cili në gjuhën teknike quhet “port i thatë” . Ndërkohë, potenciali i tregtisë dhe investimeve Shqipëri-Kosovë është me herë më i lartë se sa shkëmbimet e sotme tregtare dhe ekonomike mes të dyja vendeve tona, që për vitin 2025 arritën 525 milionë euro.
Me hekurudhën, eksportet dhe importet Shqipëri-Kosovë do të mund të dyfishohen brenda një kohe shumë më të shkurtër se tre vjet. Portit i ri i Durrësit në Porto Romano do të jetë i integruar me projektin e thatë të hekurudhës në Gjakovë dhe me portin e konteinereve në Prishtinë.
Si porti në Porto Romano dhe porti “i thatë” (i konteinereve) i Prishtinës mund të jenë veprues në vitin 2029. Kjo është një kohë reale, nëse të dyja qeveritë, si ajo e Tiranës dhe e Prishtinës, do të veprojnë fort për të gjetur financimet e duhura.
Porti i konteinerëve në Prishtinë pritet të trajtojë deri në 100 mijë konteinerë në vit, ndërsa porti detar i Porto Romanos do të mirëpresë 1 milionë udhëtarë në vit, si dhe do të përpunojë në të 400 ha e tij rreth 2 milionë konteinerë, me rreth 50 milionë tonë mallra.
Hekurudha kuqezi lidh tonelatat e mallrave të portit të Durrësit me dërgimin e tyre me sa më pak kosto dhe në kohë reale në Prishtinë. Ajo ka edhe rëndësi gjeopolitike, jo vetëm ekonomike.
Hekurrudha kuqezi jo vetëm që do të mundësojë transportin e shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave, së pari mes Shqipërisë dhe Kosovës e më tej drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por do të rrisë me rreth 25 përqind vëllimin e shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut-Bullgari, vetëm në vitin e parë të funksionimit të saj.
Komente












