Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka përsëritur deklaratën e tij se nëse kryeministri Edi Rama do të largohet nga pushteti, do i bëjë një dëm shumë të madh Shqipërisë.
Komentet Spaho i bëri në një lidhje live për Report Tv, ku tha se ka shumë kritika për kryeministrin Edi Rama dhe qeverisjen e tij, por shtoi se protestat që po zhvillohen gjatë këtyre ditëve në Tiranë, kanë për qëllim dëmtimin e Shqipërisë.
“Në fakt unë e kam qartësuar goxha në atë postim që kam bërë. I kam qëndruar atyre postimeve që kam mbajtur gjatë gjithë jetës sime politike, duke pasur Ramën kryeministër. E kam theksuar se i ka bërë shumë dëme vendit dhe kam theksuar shumë arsye pse ai duhet të ishte larguar shumë kohë më parë. Por nisur nga kjo protestë, që është tërësisht e stisur, nga njerëz që nuk duan të mirën e Shqipërisë, që kanë gjetur edhe mbështetje këtu brenda vendit, me grupe apo parti neomarksiste, me shoqatat e mjedisit, fondamentalistë sa të duash, vullnetarë që vijnë sa të duash, vullnetarë që vijnë nga Prishtina, nga Tetova, lidhje të ndryshme dhe korente që pleksen këtu në këtë çështje dhe mendoj se synimi i parë i kësaj proteste ishte që të sabotonte investimin shumë të madh të një konsorciumi investitorësh në Zvërnec, me argumenta krejt qesharakë, që do ruajmë zonat e mbrojtura. A thua se të tjerët nuk kanë zona të mbrojtura”, tha mes të tjerash Spaho.
Më tej Spaho tha se protestat janë të ndikuara edhe nga vende që nuk duan anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Sipas Spahos, Shqipëria është në një moment kyç të anëtarësimit, që për 1 vit e gjysmë pret që të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave.
Ish-deputeti e cilësoi ‘marrëzi’ djegien e kësaj mundësie për vendin tonë, për shkak të protestave që po zhvillohën në Tiranë.
“Objektivi tjetër për mendimin tim është t’i krijohen pengesa hyrjes së Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë për të fshehur këtu. Ka shumë forca në Europë që nuk e duan Shqipërinë në BE, për arsye të ndryshme. Dhe për të qenë të sinqetë, duhet thënë se kemi arritur në stadin më kryesor, i kemi hapur gjithë kapitujt, kemi 1 vit e gjysmë kohë në dispozicion për të mbyllur gjithë kapitujt. Situata gjeopolitike është e tillë që na favorizon. Dhe ta djegësh këtë situatë politike për mustaqet e Çelos, është një nga marrëzitë që do të bënim ne si popull”, tha mes të tjerash Spaho.
Komente






