Ish-deputeti Halit Valteri është shprehur se ka raste që prokurorë të SPAK, me axhenda private dhe pa asnjë provë, e përdorin detyrën për të ‘vrarë’ politikisht personazhe të caktuara politike.
Komentet Valteri i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku mori si shembull rastin e mbajtjes në qeli të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që sipas tij, është investim personal i 2 prokurorëve.
Valteri hoqi edhe një paralelizëm mes rastit të Veliajt dhe rastit të pagave të magjistratëve, ku tha se në rastin e parë kërkesa e Kushtetueses për Gjykatën e Lartë, që ta rivlerësonte masën ndaj kryebashkiakut nuk respektohet. Ndërsa për pagat e magjistratëve, sipas Valterit, gjyqtarët e prokurorët përdorin dhe kërkojnë respektimin e vendimit të Kushtetueses.
“Nëse arrestohen ministra, kryebashkiakë, deputetë dhe u provohet fajësia në Gjykata, do të thotë se Qeveria e mbështet SPAK dhe e mban këtë strukturë gjallë. Por marrim rastin e kryebashkiakut, është investim personal i dy prokurorëve. Gjykata Kushtetuese i thotë ‘vlerësoje masën’ Gjykatës së Lartë, kërcënohen, vihen nën hetim e përgjim gjyqtarët e prokurorët dhe për rastin Veliaj nuk e zbatojnë vendimin e Kushtetueses, ndërsa për rastin e pagave thonë ‘ka folur Gjykata Kushtetuese’”, tha mes të tjerash Valteri.
Në vijim të fjalës së tij Valteri tha se kryebashkiaku Veliaj shoqërohej nga 20 policë kur shkoi të kryente një operacion, ndërsa një personazh i botës së krimit të organizuar, sipas tij qarkullonte pa asnjë masë sigurie, aq sa arriti të arratisej.
Valteri theksoi se nga 11 akuza që rëndojnë mbi Veliajn, deri më tani nuk ka asnjë akuzë për inceneratorët apo për lejet e ndërtimit, por vetëm për fustanet e gruas së tij, Ajola Xoxa.
“Nuk lejohet Veliaj të operohet, me 20 policë brenda, ndërkohë ai robi tjetër që akuzohet për 4 vrasje, me duar në xhepa, me syze dielli, u ikën me vrap policisë. Nuk lejohet Veliaj të takojë avokatët. Dhe kemi raste të tjera që Ben Ahmetajt vibratorët e gruas ua nxorën në publik, si ushqim për shikime. Dhe akuzohet Veliaj, ka 11 akuza, se ka blerë fustane Ajola Xoxa, por nuk shoh as akuzë për inceneratorët, as akuza për lejet e ndërtimit, se u bë nami në bashki, konfiskuan dosje e bënë... Do shkojë biseda si autokombanja e atij zotërisë”, shtoi Valteri.
Për të forcuar tezën e tij se SPAK po tenton ‘vrasjen politike’ të Veliajt, Valteri tha se ai është i vetmi kryebashkiak që po hetohet nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’, pasi 6 kryebashkiakë të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Ai shtoi se nëse SPAK-ut do i lihet kjo liri veprimi, prokurorët e Strukturës së Posaçme do shkojnë edhe te ministrat e tjerë dhe kryeministri Rama. Me ironi Valteri tha se SPAK ‘të fut plumbin’ dhe më pas thotë ‘më fal se të vrava’.
“Pra brenda këtij institucioni ka agjenda, sepse ke 6 kryebashkiakë të tjerë që hetohen në gjendje të lirë. I vetmi që mbahet në burg, është Veliaj. Ky është rasti që ka një agjendë brenda SPAK për ta vrarë politikisht një person. Sot s’ke nevojë të paguash vrasës me pagesë, sepse ke prokurorë që të vrasin politikisht. Në fund do të dalë Veliaj i pafajshëm. Kush mban përgjegjësi që jetën që ja kanë marrë atij. Do i japin 1500 euro në vit dhe do i thonë ‘na e bëj hallall se gaboi Klodi’. Nëse ka skenarë të tillë, ata nesër do shkojnë te Rama dhe te ministrat e tjerë. SPAK të fut kokrrën e plumbit dhe thotë pastaj ‘më fal se të vrava vlla’”, përfundoi Valteri.
Lajmi kryesor:
Ish-kreu i SHISH nën arrest/ Valteri: Standardin që Rama përdori për shkarkimin e Vlora Hysenit, duhet ta ndiqte edhe për Ballukun! Kthupi: Dosja e SPAK ka baza të forta!









