Ish-kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj nis përballjen me Kolegjin! Ja akuzat për aftësinë profesionale dhe vendimet e dyshimta

Ish-kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj nis përballjen me Kolegjin! Ja akuzat për aftësinë profesionale dhe vendimet e dyshimta

Ish-kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj po përballet me ankimin e Komisionerit Publik në KPA

Komisioneri Publik, Darjel Sina u qëndroi të hënën gjatë parashtrimeve para Kolegjit shkaqeve të ngritura në ankimin ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Besim Hajdarmataj. Sina kërkoi shkarkimin e tij me arsyetimin se subjekti nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e profesionalizmit dhe pasurisë.

Sina renditi në seancë edhe 14 denoncime, për të cilat u shpreh se nuk rezultonin të dhëna që mund t’i shërbenin ankimit. Prokurori Hajdarmataj i cilësoi si të pabazuara të gjitha shkaqet e ngritura nga Komisioneri dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të tij në detyrë.

Trupi gjykues i kryesuar Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon, pasi u njoh me parashtrimet e palëve dhe administroi një sërë aktesh të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit, vendosi të shtyjë seancën për në datën 6 korrik, për t’i dhënë kohë Komisionerit të njihet dhe të shprehet mbi këto akte.

Kontestimet për profesionalizmin

Komisioneri Darjel Sina tha se nga verifikimi i disa çështjeve penale të hetuara nga prokurori Hajdarmataj ose nga prokurorë të tjerë në varësinë e tij si drejtues, duket se subjekti i rivlerësimit nuk ka kryer si duhet detyrën. Ai theksoi se, edhe nëse shkaqet më vete nuk do të gjenden shkarkuese, në vlerësimin tërësor të tyre mund të konkludohet cënimi i besimit të publikut tek drejtësia nga ana e subjektit.

Sina tha se nuk e gjente të drejtë dhe të bazuar vendimin e KPK-së për transferimin për inspektim të një çështjeje të hetuar nga prokurori Hajdarmataj në vitin 2010, kur ai ka qenë prokuror i çështjes dhe drejtues i Prokurorisë Kurbin. Sina u shpreh se kjo gjetje duhet trajtuar bazuar në ligjin për vetingun.

Sipas Komisionerit, subjekti e ka cilësuar gabim veprën penale dhe ka vendosur pushimin e çështjes me pretendimin se nuk ka fakt penal. Ai  theksoi se Hajdramataj nuk ka kryer asnjë veprim hetimor pas kallëzimit të kryer nga një grup pune i Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, NJMLF se ishin kërcënuar dhe se u ishin marrë pas 5 makineri lojrash fati të sekuestruara. Çështja është mbajtur e hapur për 1 vit e 3 muaj dhe më pas është pushuar.

Komisioneri u shpreh më tej se rezulton se Hajdarmataj ka pasur miqësi me një prej personave të kallëzuar, pasi rezulton të kenë udhëtuar bashkë jashtë shtetit në të njëjtat ditë dhe me të njëjtin destinacion, si dhe të kenë shkëmbyer mesazhe telefonike.

Hajdramataj e konsideroi konstatimin e Komisionerit për moskryerje të hetimeve si paragjykues dhe të pabazuar. Ai deklaroi se ishte provuar gjatë hetimit administrativ se kishte qenë prokuror i gatshëm ditën e ngjarjes, prandaj edhe e kishte hetuar ai çështjen në fjalë.

Subjekti argumentoi se konstatimi i Komisionerit për moskryerjen e veprimeve ka të bëjë me themelin e çështjes dhe jo me vlerësimin profesional.

Hajdarmataj e kundërshtoi edhe konstatimin për cilësimin gabim të veprës penale, duke u shprehur se cilësimi përfundimtar kryhet në përfundim të hetimeve ose përpilimit të akuzës. Ai vijoi se roli i punonjësve të NJMFL-së është vënë në dyshim, pasi ata e kanë vendosur në dispozicion urdhërin e punës disa orë pas kryerjes së kallëzimit.

Lidhur me pretendimin e Komisionerit për marrëdhënie miqësie me një prej të kallëzuarve, Hajdarmataj shpjegoi se M.L. nuk ka qenë i proceduar në këtë rast. Për udhëtimet jashtë shtetit ai pohoi se kanë qenë për arsye pune dhe se nuk kishte pasur dijeni për arsyet e udhëtimit të shtetasit M.L. Subjekti deklaroi se nuk i kishte kthyer përgjigje mesazhit të marrë nga M.L.

Komisioneri parashtroi se prokurori Hajdarmataj, në rastin më të mirë nuk e ka ushtruar detyrën e tij edhe në disa çështje të tjera, kur ai drejtonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë e Durrësit.

Për një çështje për drogë të vitit 2017 të Krimeve të Rënda, të dërguar për kompetencë në Përmet, Sina konstatoi se subjekti nuk ka verifikuar ecurinë e çështjes, duke mos përmbushur detyrën e tij si drejtues edhe pse bëhej fjalë për 12 ton cannabis sativa.

Duke iu referuar ndryshimeve ligjore penale të vitit 2016, Hajdarmataj tha se kishte respektuar pavarësinë e prokurorit të çështjes.

“Për më tepër që prokurori i çështjes konkrete, është konfirmuar në detyrë nga organet e rivlerësimit,” tha Hajdarmataj dhe solli në vëmendje se ai prokuror sot është pjesë e SPAK.

Në lidhje me një procedim të vitit 2013 të Prokurorisë për Krime të Rënda, Komisioneri pohoi se për dy vite nuk ishte kryer asnjë hetim dhe pastaj dosja ishte dërguar për kompetencë në Shkodër. Sipas Sinës, subjekti ka pasur kompetenca të plota në këtë periudhë që të ndërhynte në cilësinë e drejtuesit.

Hajdarmataj e kundërshtoi këtë konstatim me pretendimin se zëvendësimi i prokurorit ishte kryer prej tij pikërisht për shkak të moskryerjes së hetimeve.

“Një prej prokurorëve sot është në SPAK, tjetri drejton sot Prokurorinë më të madhe në vend dhe janë të konfirmuar në detyrë,” pohoi Hajdarmataj.

Ai shtoi se ishte komanduar si drejtues në Prokurorinë për Krime të Rënda në vitin 2016, ndërsa hetimet për këtë çështje kishin nisur tre vite më parë.

Hajdarmataj i kundërshtoi edhe konstatimet për dy çështje të tjera, një të vitit 2015 të dërguar për kompetencë nga ish-krimet e Rënda në Prokurorinë e Durrësit që drejtohej në atë kohë nga subjekti, si dhe një çështje e vitit 2013 e prokurorisë së Durrësit e dërguar për kompetencë në Elbasan.

Ai deklaroi se vendimet e tij për moskompetencën nuk ishin ankimuar.

“Vendimet e mia kanë qenë korrekte dhe pretendimet e Komisionerit Publik janë të pabazuara,” përfundoi Hajdarmataj lidhur me profesionalizimin.

Qëndrimet ndryshe për pasurinë

Komisioneri e konsideroi të padrejtë analizën financiare të kryer nga KPK për të ardhurat dhe shpenzimet e prokurorit Hajdarmataj. Sina theksoi se nuk duhej të ishin konsideruar të ardhurat e subjektit nga bonusi i karburantit dhe se deklarimet përfundimtare të tij për shpenzimet jetike binin në kundërshtim me ato që kishte deklaruar më parë.

Për të kundërshtuar shkaqet e ankimit të Komisionerit për pasurinë, prokurori Hajdarmataj u përfaqësua nga avokatja Romina Zano.

Lidhur me bonusin e karburantit, Zano shpjegoi se bazuar në legjislacionin në fuqi, subjekti ka përfituar 35 mijë lekë në muaj gjatë periudhës 2010-2013 kur drejtonte Prokurorinë Kurbin. Ajo tha se këto shuma janë depozituar në llogari bankare dhe vërtetohet se nuk janë shpenzuar të gjitha. Sipas Zanos, subjekti ka udhëtuar së bashku me kolegët, duke mos e shpenzuar gjithë bonusin e krijuar prej tij.

Ajo kërkoi që shpenzimet jetike të konsiderohen sipas përcaktimve të INSTAT-it dhe jo sipas deklarimeve të subjektit.

Sipas Sinës, Hajdarmataj nuk ka pasqyuar në deklaratën veting apartamentin e vëllezërve ku jeton. Komisioneri e konsideron një prej vëllezërve si person të lidhur dhe tjetrin si person tjetër të lidhur. Ai solli në vëmendje se subjekti ka qenë në të njëjtën certifikatë familjare me vëllezërit deri në vitin 2016 dhe se në vitin 2009 ka deklaruar kursime cash të përbashkëta. “Diferenca negative në ekonominë e përbashkët thellohet,” pohoi Sina.

Sina deklaroi se subjekti duket se është përpjekur të paraqesë ndryshe pasuritë që ka përdorur apo disponuar. Ai solli në vëmendje edhe mospasqyrimin e një police sigurimi në periudhën 2010-2011, që i jepte atij të drejtën për përdorimin e një makine.

Lidhur me përdorimin e banesës së vëllezërve, Zano tha se Hajdarmataj e ka deklaruar që në vitin 2009 dhe se nuk kishte asnjë fakt apo provë për fshehje.

“Nuk mund të aludohet se ai e fsheh një banesë që e deklaron se jeton. Nuk ka asnjë veprim juridik të kryer nga subjekti për këtë pasuri,” theksoi Zano dhe vijoi se vëllezërit nuk mund të konsiderohen persona të lidhur, pasi nuk ka asnjë akt huamarrje, huadhënie apo dhurimi për apartamentin.

Për deklarimin e gjendjes cash të përbashkët në vitin 2009, Zano tha se Hajdarmataj ka kryer një pasaktësi në këtë rast, pasi vlera ka qenë e kursyer prej tij.

Lidhur me dy dhurime nga një prej vëllezërve, avokatja Zano pohoi se ishte provuar se dhuruesi kishte pasur të ardhura të mjaftueshme.

Për policën e sigurimit, Zano shpjegoi se ka qenë vëllai i subjektit që e ka vendosur emrin e tij për përdorimin e mjetit në fjalë. Ajo theksoi se Hajdarmataj nuk e ka përdorur këtë mjet dhe se e ka mësuar këtë gjë gjatë procesit të vetingut.

Sipas Komisionerit, nga hetimi ka rezultuar se Hajdarmataj ka pasur kontakte dhe ka udhëtuar me persona me precedentë penalë. Sipas tij, ka rezultuar që ata të kenë kryer edhe thirrje telefonike.

Gjatë mbrojtjes, subjekti theksoi se nga hetimi nuk ka rezultuar që ai të ketë pasur kontakte me persona të përfshirë, që sjellin pasojën e shkarkimit.

Hajdarmataj dhe Zano e konsideruan ankimin e Komisionerit të paudhëhequr nga parimi i objektivitetit dhe proporcionalitetit dhe kërkuan lënien në fuqi të vendimit të KPK-së./ Reporter.al

/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë