Deputeti i PS, Erion Malaj, është shprehur se Partia Socialiste nuk përkrah dhe nuk mbron askënd që përballet me drejtësinë.

Komentet Malaj i bëri në emisionin 'Studio Live' me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku mori si shembull edhe rastin e drejtoreshës së shkarkuar të SHISH, Vlora Hysenit, për të cilën tha se kryeministri Rama e shkarkoi menjëherë nga detyra, pas masave të sigurisë të vendosura me kërkesë të SPAK ndaj saj.

Malaj nxori në pah edhe qëndrimet e kundërta të opozitës, ku tha se deri dje PD e sulmonte SPAK, ndërsa sot që po goditen zyrtarë të lartë të PS, sipas tij, PD i kërkon llogari që të veprojë më shpejtë.

"Opozita më parë e quante me emër tjetër këtë institucionin që sot e trumbeton që të veprojë. E quante SKAP. Sot ja ka gjetur emrin e saktë, sepse po godet në persona që kanë qenë në institucionet shtetërore. Përgjegjësia është individuale. Përgjegjësia politike është një gjë tjetër, që edhe në rastin konkret, kryeministri ka vepruar menjëherë duke e shkarkuar personin në fjalë, që duhet të përballet me drejtësinë", tha mes të tjerash Malaj.

Malaj shtoi gjithashtu se çdo person apo zyrtar duhet të prezumohet i pafajshëm, deri në momentin që fajësia e tij nuk është provuar.

Ai theksoi se numri i lartë i të paraburgosurve në Shqipëri e ka alarmuar Këshillin e Europës. Sipas Malajt, nuk mund të bëhet gjyq publik ndaj askujt që është nën hetim.

"Kemi harruar komplet dhe kemi arritur në një pikë që e quajmë fajtor cilindo që sot është nën hetim. Ndërkohë që botërisht është e njohur që çdo individ deri në momentin që provohet i fajshëm, prezumohet i pafajshëm. Këtë situatë e kemi prej vitesh. Unë këtë situatë e kam thënë edhe kur bëhej fjalë për elementë të lidhur, apo pjesë e opozitës. E kam thënë edhe kur bëhej fjalë për kryetarin e opozitës. Pra, që deri në momentin që ai dënohet, prezumohet i pafajshëm. Kështu që duhet t'i qëndrojmë kësaj, në të kundërt do bëjmë të njëjtat gabime që janë bërë dikur, gjë që kjo mazhorancë nuk mund ta lejoj. Dhe diçka tjetër që është alarmante, është numri i të paraburgosurve, që e ka tmerruar Këshillin e Europës. Këto janë rezultate të këtyre gjuetive të shtrigave që bëhen për individë të caktuar edhe kur janë nën hetim. Pra është nën hetim tjetri, mund të dalë i pafajshëm. Nuk mund të bëhet gjyq publik për cilindo që është nën hetim. Kjo është e padrejtë", shtoi Malaj.

Në përfundim Malaj shtoi se përgjegjësia e gjithësecilit që hetohet nga SPAK është personale, pasi sipas tij, nuk është nën hetim institucioni.

Lidhur me rastin e Belinda Ballukut, për të cilën Kuvendi vendosi që të mos i hiqte imunitetin, Malaj tha se PS nuk e mori në mbrojtje ish-zv.kryeministren.

"Përgjegjësia personale është shumë e qartë. Sepse kur drejtësia heton, heton vetëm një individ, jo një institucion. Keni dëgjuar ndonjëherë për përgjegjësi penale politike? Ka patur një kërkesë për ndryshim të masës nga ajo që ishte prurë më parë. Sepse diskutohet një më dy kjo çështja e imunitetit. Ne nuk kemi imunitet, deputetët nuk kanë imunitet. Personi hetohet edhe pse është deputet dhe në rastin Balluku po hetohet 360 gradë. Por për akuzat që kishim, në asnjë rast për asnjë person nuk ishte kërkuar ajo masë. Pse duhet të kërkohej për personin në fjalë. Kjo ishte ajo që u trajtua. Ne nuk mbrojtëm askënd, as mbrojmë njeri, se nuk e kemi në funksion për të mbrojtur dikë që përballet me drejtësinë", përfundoi Malaj.