/ ATSH / - Në kuadër të forcimit të zbatimit të ligjit, kontrollit të zbatimit të detyrimeve ligjore që kanë subjektet që shfrytëzojnë mineralin e kromit, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave ka filluar kontrollin e të gjitha subjekteve që ushtrojnë këtë aktivitet. Duke vlerësuar se rrethi i Bulqizës është një nga rrethet me numrin më të madh të subjekteve minerare dhe të përqendruar në disa zona specifike, ISHMPU filloi sot inspektimin me qëllim kontrollin e 86 subjekteve minerare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë.

Objekti i inspektimit ishte vlerësimi i impaktit në mjedis të këtyre aktiviteteve ku përfshihet kontrolli i dokumentacionit për marrjen në përdorim të fondit pyjor, zbatimi i kushteve të lejeve mjedisore, sidomos për sistemimin e mbetjeve të ngurta dhe rehabilitimin e sipërfaqeve të dëmtuara nga gërmimet apo kontrollin e furnizimit me shtylla miniere prej lënde drusore të cilat kanë stimuluar në një mase të madhe prerjen e paligjshme të pyjeve.

Gjatë inspektimit të datës 3 dhjetor ISHMPU ka kryer kontrollin në 18 subjekte ku vetëm 5 prej tyre kishin leje mjedisore, ndërsa 13 subjektet e tjera janë gjobitur me  2 milionë lekë të reja për çdo subjekt.

I pranishëm në inspektim, Kryeinspektori Ergys Agasi tha se: "Aktiviteti i nxjerrjes së mineralit të kromit është një nga aktivitetet me impakte të konsiderueshmë në dëmtimin e mjedisit dhe të pyjeve ndaj ISHMPU ka filluar këtë inspektim që do të vijojë gjatë gjithë muajit dhjetor. Asnjë shkelje nuk do të tolerohet".

Grupet e inspektimit, do të vijojnë kontrollet gjatë gjithë muajit dhjetor në zonën e Bulqizës, për marrjen e masave ligjore të parashikuara në legjislacionin përkatës të fushës së mjedisit e pyjeve, duke filluar nga ndëshkimet me gjoba deri në pezullimin e pjesshëm ose të plotë të aktvitetit.  Pas mbarimit të inspektimit në Bulqizë kontrollet e aktiviteteve minerare do të shtrihen në të gjithë vendin